Ylli dhe kapiteni argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, mund të fillojë të dëgjojë ofertë për një largim të mundshëm nga klubi katalonas dhe Manchester City është i gatshëm të bëjë çmos për ta marrë gjashtë-herë fituesin e Topit të Artë.
Zënka e fundit e Lionel Messit me drejtorin sportiv të Barcelonës, Eric Abidalin, ka bërë që Manchester City të fillojë ta monitorojë situatën e tij, me shpresën se do të arrijë ta transferojë, sipas ESPN, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Argjentinasi e ka një klauzolë në kontratën e tij me Barcelonën që do ta lejonte atë të largohej më 30 qershor të çdo viti edhe pa dëshirën e klubit, përkundër që kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2021.
Manchester City beson se mund të jetë favorit për ta arritur transferimin e Messit, nëse ky i fundit vendos të largohet nga Camp Nou, për shkak të lidhjes së tij të mirë me trajnerin e klubit anglez, Pep Guardiolën.
Messi e kishte kaluar periudhën e tij më të suksesshme në karrierë gjatë kohës sa Guardiola kishte qenë trajner i Barcelonës, kur katalonasit kishin thyer rekord duke i fituar gjashtë titujt e mundshëm brenda një sezoni.
Kampioni në fuqi i Premierligës është gjithashtu njëri ndër klubet e vetme në botë që mund ta përballojë pagën aktuale të Messit, që është rreth 60 milionë euro në vit.