12 fitore radhazi nuk mjaftuan aspak për t’u shkëputur nga Liverpooli, kështu që Manchester City-t i nevojitet sërish një tjetër, ndoshta edhe fitorja më e rëndësishme e gjithë edicionit 2018-19, teksa kampionët në fuqi do të luajnë takimin e fundit të sezonit përpara publikut të tyre, ndaj Leicester City-t. Suksesi i tetë rresht i ekipit të drejtuar nga Jurgen Klopp shtyu gjithçka për në javën përmbyllëse të kampionatit, megjithatë sfida që do të vendosë me shumë gjasa edhe fatin e edicionit të 27-të në Premiership është pikërisht kjo ndaj “dhelprave”, në “Etihad”.
Është e pabesueshme që “të kuqtë” nga Merseyside kanë grumbulluar plot 94 pikë gjatë këtij sezoni, e megjithatë sërish nuk mjafton, pasi skuadra e Guardiolës ka mundësinë për të bërë rokadën e radhës, për më tepër për herë të parë pas afërsisht dy muajve “sky blues” kanë patur rastin për t’u shplodhur, me tetë ditë pushim nga ndeshja e fundit me Burnley-n në “Turf Moor”.
Në historinë e Premier League-s ka ndodhur pesë herë që një skuadër të regjistrojë 12 apo më shumë fitore rresht, sidoqoftë City është i vetmi klub që e ka arritur diçka të tillë në dy raste. 17 fitoret e Citizens në këtë edicion e kanë shndërruar stadiumin “Etihad” në një fortesë të vërtetë dhe i vetmi rast kur formacioni i Guardiolës ka dështuar është regjistruar më 22 dhjetor, kur Crystal Palace ia doli mbanë për të triumfuar brenda në Manchester me shifrat 2-3. Kurioz është fakti që vetëm katër ditë më vonë, në takimin korrespondues të “boxing day”, City u thye me shifrat 2-1 edhe në “King Power Stadium” pikërisht nga “dhelprat”, ndonëse kampionët në fuqi kaluan të parët në epërsi me anë të portugezit Bernardo Silva.
Ishin kohë tepër të vështira dhe një periudhë shumë impenjative që e shkëputi Liverpoolin 7 pikë në krye të klasifikimit, madje nëse John Stones nuk do të kishte mbajtur atë top mbi vijë për thjesht 11 mm në mbrëmjen e 3 janarit në duelin e drejtpërdrejtë me “të kuqtë”, atëherë diferenca lehtësisht mund të ishte hapur në plot 10 pikë ndërmjet tyre. Disfata me Newcastle United në “St. James’ Park” në mbylljen e muajit janar përbën njëherësh edhe rastin e fundit kur skuadra e Guardiolës ka humbur pikë në kampionatin anglez, gjithsesi këtë herë 3 pikët nevojiten më shumë se kurrë, përndryshe titulli do të kthehej në Merseyside për herë të parë pas plot 29 vjetësh.
Te vendasit do të mungojë De Bruyne, ndërsa Fernandinho është në dyshim për shkak të një problemi në gju. Përballë qëndron një kundërshtar i fortë si Leicester City, që i ka shënuar City-t në 10 nga 11 vizitat e fundit në Manchester. Miqtë kanë grumbulluar 16 pikë nga 21 të mundshmet në 7 javët e fundit dhe, sado të pakta, përsëri “dhelprat” kanë shpresat e tyre për ta mbyllur sezonin në vendin e shtatë, pozicion që do ta kualifikonte klubin nga Leicestershire në Europa League.
Citizens kanë fituar 2 Kupat e fundit të Ligës në Angli, por Leicester City është rikthyer në të dy rastet nga disavantazhi, për t’u eliminuar në fund vetëm pas ekzekutimit të 11-metërshave. Rreziku mban sërish të njëjtin emër, bëhet fjalë për sulmuesin Jamie Vardy, që është njëkohësisht edhe futbollisti që ka shënuar më shumë gola ndaj skuadrave të ashtuquajtura “big six”, plot 34, e pesë prej këtyre golave 32-vjeçari nga Sheffield-i i ka realizuar pikërisht ndaj Manchester City-t. Sikur të mos mjaftonte ky detaj, këtë herë Guardiola do të ketë përballë një trajner si Brandon Rodgers, të cilin 48-vjeçari katalan nuk e ka mundur kurrë në karrierë.
Janë vetëm 6 trajnerë ndaj të cilëve Pep nuk njeh fitore, natyrisht duke llogaritur rastet me dy apo më shumë përballje në karrierë: Carlo Ancelotti, Guus Hiddink, Roberto di Matteo, Ronald Koeman, Bruno Genessio dhe pikërisht trajneri nga Irlanda e Veriut, që i ka një borxh të madh Liverpoolit, sepse pesë vjet më pare, kur ishte në timonin e “të kuqve”, gaboi krejtësisht ndeshjen me Chelsea-n, një sfidë e humbur brenda në “Anfield”, ku vendasve u mjaftonte edhe barazimi, por që mbahet mend gjithashtu edhe për rrëshqitjen e famshme të ish-kapitenit Steven Gerrard. Takimi Manchester City – Leicester City do të luhet në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga 50-vjecari i mirënjohur Mike Dean.