Athinë, 15 janar – U drejtohem të gjithë juve dhe u bëj thirrje të ndaleni para ndërgjegjes tuaj, por edhe para interesit të vendit dhe popullit, dhe lirshëm të jepni përgjigje të qartë, keni besim në këtë qeveri ose jo, tha kryeministri grek Aleksis Cipras në fund të fjalimit të tij në fillim të debatit për votim të besimit të qeverisë së tij dhe tha se pikërisht kjo është fuqia e demokracisë e cila as nuk shantazhon dhe në fund do të fitojë, njofton Koha.
Kryeministri grek ka bërë retrospektivë të tërë asaj me të cilën është përballur qeveria e tij viteve të fundit, çka ka bërë, por edhe çka duhet të bëjë në të ardhmen. Ka folur për dalje të vendit nga kriza, nga politika e memorandumit dhe masat e kursimit, e përmendi edhe krizën emigruese, por edhe Marrëveshjen e Prespës.
Cipras ka theksuar se me ndryshimin e pushtetit te ne dhe mposhtjen e Gruevskit është krijuar mundësi e madhe si për Greqinë, ashtu edhe për vendin fqinj, por edhe për rajonin.
“Mundësi e madhe të zgjidhet një çështje e pazgjidhur historike, politike dhe diplomatike prej shumë dekadash. Ndërgjegjja ime dhe detyra ime patriotike më imponuan ta shfrytëzoj këtë mundësi historike, duke e ditur se kjo do të ketë çmim politik. Nga momenti i parë së bashku me ish ministrin e Punëve të Jashtme Nikos Koxias me shpirtrat dhe mendjet tona i’u përkushtuam përpjekjes së madhe për zgjidhjen e këtij dallimi për emrin e vendit fqinj, që ka paraqitur dhe paraqet, përderisa edhe më tutje nuk zgjidhet, peshë e madhe në diplomacinë dhe politikën e jashtme të vendit, por edhe gjemb i madh për stabilitetin e rajonit”, tha kryeministri grek.
Cipras theksoi se në këto përpjekje janë përkushtuar me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj historisë, ndaj interesit tonë kombëtar, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj të ardhmes së vendit dhe rajonit, që të sendërtohet roli i liderit në Greqi, Ballkan dhe në Mesdheun lindor. (Koha.mk)