Athina dhe Shkupi arritën marrëveshje historike për zgjidhjen e kontestit dydekadësh rreth emrit, deklaroi sot kryeministri grek Aleksis Cipras.
“Kam një lajm të mirë. Pak kohë më parë arritëm marrëveshje me kryeministrin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë”, i tha kryeministri grek Aleksis Cipras presidentit Prokopis Pavlopulos në fillim të takimit të tyre në pallatin presidencial për ta informuar atë për marrëveshjen e arritur.
Jam i lumtur sepse kemi një marrëveshje që i mbulon të gjitha parakushtet e vendosura nga qeveria greke, tha Cipras, duke shtuar se marrëveshja është një emër i përbërë me një përcaktues gjeografik, për një përdorim të përgjithshëm erga omnes që parashikon një rishikim kushtetues.
Kryeministri grek tha se marrëveshja në parlamentin grek do të vinte pasi pala maqedonase të përmbushë të gjitha detyrimet e kërkuara, duke përfshirë revizionin kushtetues.
“Kjo marrëveshje, kjo marrëveshje e mirë, e cila është një zhvillim i mirë pozitiv për rajonin tonë, së pari duhet të zbatohet nga fqinjët tanë që pastaj menjëherë të bëhet edhe nga ana jonë”, shtoi Cipras.
Ndërkohë, presidenti Pavlopoulos tha se tani i mbetet vendit fqinj për të përmbushur atë që ka lidhur me marrëveshjen, siç është ndryshimi i Kushtetutës.
Presidenti grek ishte i pari që Cipras e informoi për marrëveshjen dhe menjëherë pas përfundimit të takimit, filloi një cikël bisedash telefonike me udhëheqësit e partive politike. Kryeministri grek do t’i kërkojë parlamentit të caktojë një seancë dëgjimore për marrëveshjen e arritur.