Athinë, 17 qershor – Sot këtu në Prespë fillojmë të shkruajmë një këngë të re të lumtur, tha kryeministri grek në fjalimin gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Aleksis Cipras zbuloi se është adhurues i muzikës ballkanike, posaçërisht të muzikës bleh, por edhe të melodive të lumtura nga rajoni dhe tha se “erdhi koha që sërish të këndojmë këngë të lumtura në Ballkan, e sot bëhet hapi i parë i guximshëm në këtë drejtim”.
“Një këngë të tillë të re fillojmë të shkruajmë këtu në Prespë. Qëllimi ynë është që kjo këngë e gëzimit të këndohet shumë shekuj dhe nga shumë gjenerata të ardhshme, në gjuhën tonë dhe në gjuhën e juaj, në vendin tonë dhe në vendin e juaj, nga populli ynë dhe nga populli i juaj. Këngë e cila do ta festojë paqen”. tha kryeministri grek.
Takimin në Prespë e karakterizoi si takim me historinë për shkak të rëndësisë historike të rajonit.
“Sot gjendemi këtu duke e shikuar në sy historinë e popujve tanë, gjendemi këtu që të dy të kryejmë detyrën tonë patriotike”, tha kryeministri grek.
Duke folur për marrëveshjen, Cipras tha se është patriotike dhe u bëri thirrje qytetarëve të të dy vendeve ta pranojnë pa paragjykime.
“Me mund arritëm deri te marrëveshja e pranueshme për të dy palët, e cila tërësisht i respekton parimet themelore dhe vlerat e dy palëve, marrëveshje e cila sot na lejon t’u drejtohemi qytetarëve të të dy vendeve, t’i shikojmë në sy dhe t’u bëjmë thirrje ta lexojnë dhe përkrahin pa paragjykime. Nëse shpirti i çdo popullit është historia e tij, atëherë në marrëveshjen tonë janë pasqyruar shpirtrat e dy popujve” theksoi kryeministri grek.
Cipras e përmendi edhe takimin e parë me Zaevin para gjashtë muajve në Davos, ku ishte shumë ftohtë, si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë 25 viteve të kaluara.
Kryeministri grek iu falënderua të pranishmive, por edhe ndërmjetësuesit dhe përmendi se Methju Nimic sot e ka ditëlindjen, duke shtuar se nuk ka mundur të zgjedhet ditë më të mirë për nënshkrim të marrëveshjes se sot.