Athinë, 4 qershor – Aspekti kishtar i problemit midis Maqedonisë dhe Greqisë ishte një ndër temat për të cilat biseduan kryeministri grek dhe Patriarku Ekumenik në takimin e tyre 80-minutësh në pallatin kryeministror, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Aleksis Cipras i përshëndeti angazhimet e Patriarkut Ekumenik për tejkalimin e problemit, ndërsa Ekumeniku tha se janë duke punuar në bashkimin mbarëortodoks dhe bashkëpunim.
“Dëshiroj t’i përshëndes tentimet tuaja për zgjidhjen pozitive të aspektit kishtar të dallimeve që i kemi me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Besoj se po e shihni edhe ne po tentojmë t’i zgjidhim dallimet të cilat ekzistojnë për shumë vite dhe pengojnë që dy vende fqinje të kenë bashkëpunim normal dhe rrjedhë të përbashkët. Besoj se mundësia për zgjidhje do të mund të krijojë mjedis të stabilitetit dhe zhvillimit në Ballkan, diçka që na duhet, por edhe bashkëpunim, bashkëpunim të mirë midis dy popujve fqinj të cilët në shumicë kanë konfesion ortodoks edhe ky është element kryesor të cilin nuk duhet ta anashkalojmë”, tha Cipras në fillim të takimit me Patriarkun Ekumenik dhe iu falënderua dhe i përshëndeti nismat e Patrikanës.
“Lidhur me kishën në Shkup, çështjen që e përmendët, është në kuadër të obligimeve kanonike të Patrikanës Ekumenike të tentojë t’i mënjanojë përçarjet ku ekzistojnë dhe të punojë në bashkimin mbarëortodoks dhe bashkëpunim siç kemi bërë gjithë këto vite”, tha Bartolomej.