Cilësia

Brrylagjinjtë gjithmonë paaftësinë e tyre do ta shumëzojnë me lojalitet zvarranikësh kundrejt liderit, kurse këtij të fundit i mbetet të shqyrtojë se kush rrotullohet më tepër rreth tij: zvarranikët këpucëlëpirës, apo petritët sypatrembur që rrezikun e nuhasin nga lart

Nga Emin AZEMI

Cilësia e përfaqësimit institucional përcakton edhe cilësinë e ajrit.
Cilësia e përfaqësimit institucional përcakton dhe cilësinë në arsim dhe në shëndetësi.
Cilësia e përfaqësimit institucional përcakton edhe cilësinë në zhvillimin ekonomik dhe social.
Cilësia e përfaqësimit institucional përcakton edhe cilësinë e prurjeve të reja të resurseve që jodomosdoshmërisht duhet të jenë anëtar partie.
Tani ka ardhur koha të flasim për cilësi. Mjaft u morëm me sasi.
Tani ka ardhur koha të flasim për cilësinë e profesorëve nëpër universitete. Për cilësinë e mjekëve nëpër spitale, për cilësinë e gjykatësve në gjyqe, për cilësinë e gazetarëve në media.
Mirëpo si arrihet cilësia në shoqërinë tonë dhe kush është garantues i cilësisë?
Nëse partitë politike vazhdojnë të jenë në pafundësi matës të cilësisë dhe nëse në këto matje nuk përfshihen edhe njerëz nga shoqëria e gjerë, atëherë në vend se të flasim për cilësi, flasim për meritokraci partiake. Sepse nëpër parti politike ka plot njerëz që janë meritor për ardhjen në pushtet të partisë së tyre. Dhe normalisht që ata meritojnë të shpërblehen. Por, debati këtu fillon të bëhet më i vështirë, sepse meritorët sot i ke gjithkund, prej shoferit e deri te ministri. Problemi nuk qëndron pse dikush punësohet si shofer për meritat e treguara gjatë proceseve zgjedhore, por kryet bëhet bisht në momentin kur lobi i shoferëve në një parti vendos se cilët intelektualë duhet të angazhohen në detyra e funksione të caktuara.
Pra, cilësia e shumëdëshiruar dhe shumëproklamuar, ngadalë ia zë vendin brrylosjes dhe për pasojë na bie që jashtë partive politike të shohim shumë vajza e djem të talentuar, të cilët ose janë pa punë,   pasi e kanë kryer universitetin me notë mesatare 9.8, sepse nuk e kanë të afërm asnjë njeri të fuqishëm partiak,  ose bëhen gati të shkojnë në ndonjë McDonald’s në Gjermani të punojnë për 1300 euro në muaj.
Cilësia nuk arrihet pa reforma brendapartiake.
Cilësia nuk arrihet pa e definuar qartë rolin e një aktivisti partiak dhe një kuadri shkencor e profesional.
Cilësia nuk arrihet pa avancimin shoqëror të gruas shqiptare, e cila vazhdon të margjinalizohet si në shërbimin diplomatik, si  në poste dhe organet drejtuese të institucioneve.
Le të na rrojë cilësia që buron nga objektivat e sinqerta të atyre që projektojnë politika kadrovike.
Le të varroset njëherë e përgjithmonë brrylosja e atyre që frikën nga konkurrenca e prezantojnë (kamuflojnë) te lideri si papërshtatshmëri e filanit se ‘valla nuk është me neve’. Brrylagjinjtë gjithmonë paaftësinë e tyre do ta shumëzojnë me lojalitete zvarranikësh kundrejt liderit, kurse këtij të fundit i mbetet të shqyrtojë se kush rrotullohet më tepër rreth tij: zvarranikët këpucëlëpirës, apo petritët sypatrembur që rrezikun e nuhasin nga lart. (koha.mk)