Laura PAPRANIKU
Shkup, 7 dhjetor – Bashkimi gjashtë vite më parë i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Agjencisë për Evoluimin e Institucioneve të Arsimi të lartë, në një institucion të vetëm, nuk solli asnjë përmirësim sa i takon cilësisë, shkruan gazeta KOHA. Këtë mendim, përveç ministres Renata Deskovkës, e cila ka paralajmëruar ndarje tw Këshillit të Akreditimit dhe Evoluimit, në institucione të veçanta e mbështesin edhe njohësit e arsimit të lartë. Por, ata nënvizojnë se shumë më tepër se sa forma e organizmit të institucioneve, primare është pavarësia e mekanizmave që duhet të garantojë cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë. Prof.dr. Tahir Zajazi, thotë se nuk është me rëndësi se si quhet institucioni apo nëse mekanizmat përkatës instalohen në një, dy apo te institucione.
“E rëndësishme është që politika të qëndrojë jashtë sistemit të arsimit të lartë. Të mundësohet frymëmarrja e lirë e institucioneve qofshin ato universitete, këshille dhe të ngjashme. Cilido qoftë emërtimi i institucioneve që duhet të sigurojnë dhe kontrollojnë cilësinë, të ndara apo të bashkuara qofshin ato, duhet të kujdesen që të mos bien pre e politikës”, pohon për KOHA, Tahiri. Sepse, aty ku interesat ditore, pra të klasës politike, vihen mbi interesat e shkencës, mbi misionin dhe vizionin e universiteteve nuk mund të ketë përparim, shprehet ai. Prandaj sipas tij, pak rëndësi ka nëse mekanizmat e sigurimit dhe kontrollit të cilësisë do ti kemi në një institucion, sikurse është momentalisht apo do të ndahen në dy institucione të veçanta. Varianti i fundit, pra ky i ndarjes së KAE-së, veçmas për të siguruar cilësinë dhe veçmas për ta kontrolluar atë, në dukje le përshtypjen e një rregullimi më korrekt sa u takon mekanizmave kompetent për cilësinë e arsimit të lartë, plotëson më tej Zajazi. Nuk është gabim edhe nëse Maqedoni i kthehet formës së më hershme, pra kur për këtë qëllim ekzistonin Këshilli i Akreditimit nga njëra anë dhe Agjencia e Evoluimit nga ana tjetër. “Kështu edhe mund të jenë më rezistente karshi ndikimeve politike, ose kjo e fundit do ta ketë më të vështirë të diktojë interesat e veta te dy institucione. Por, forma jo çdo herë garanton suksesin. E rëndësishme është përmbajtja”, nënvizon Tahiri. Përvoja e deritanishme, sipas tij ka treguar se për interesa të veta politika gjen sa herë mënyrën për ti nënshtruar të gjitha institucionet për të cilat ka nevojë. Pak rëndësi ka se sa është numri i tyre. Dallimi qëndron në përpjekjet, nëse duhet të jenë të njëfishta, dyfishta apo shumëfishta, shpjegon ai. Bota është e ndarë ne modelet dhe format me të cilat rregullohen mekanizmat për sigurimin e cilësisë dhe kontrollit të saj. Ka shumë shtete me sistem funksional të arsimit të lartë ku ata mekanizma veprojnë në një institucion të vetëm, ashtu siç ka shumë shtete të tjera ku për to janë kompetente dy institucione, Këshilli i Akreditimit në njërën ame dhe Agjencia e Evoluimit në anën tjetër. Pra problemi me mungesës e cilësisë në arsimin e lartë nuk qëndron te forma por te përmbajtja. Sa më të afta të fuqishme në aspektin e ngritjes profesionale të jenë institucione aq më e vogla janë gjasat e politeizmit, nënshtrimit dhe degradimit. Shtatë vite më parë, për shkak të keqpërdorimit të fondeve për implementimin e rrjeteve të mbështetura nga Komisioni Evropian, ishte sjellë vendim që Maqedonia të hiqet nga lista e shteteve kandidate për sigurimin e projekteve të KE-së. Për të mbyllur skandalin e Këshillit të atëhershëm të Evoluimit, u soll vendim që ky institucion të bashkohet me Këshillin për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë. Por pavarësisht këtij hapi rregullativ, institucionet e arsimit të lartë nuk shënuan ndonjë rritje në cilësinë e studimeve dhe diplomave që ofrojnë. Kthimi në formën e para 2011-ës, nuk është garant për ndryshim thelbësor sa i përket sigurimit të cilësisë. (koha.mk)