Njohësit e çështjeve arsimore në vend, thonë se nëse partitë politike realizojnë të paktën gjysmën e asaj që është në programet e tyre, ne nuk duhet të shqetësohemi për të ardhmërinë e fëmijëve tanë
Zenel MIFTARI
Shkup, 11 korrik – Ndikimi që ka bërë virusi korona me ndërprerjen e procesit klasik arsimor dhe mbajtja e tij nga distanca, sipas eksperteve do të ndikoj që të bjerë cilësia e arsimit në vendin tonë. Unioni i nxënëseve të shkollave të mesme, ka përgatitur një memorandum me pesë kërkesa ndaj partive politike. Nga ky Union kërkojnë që të përmirësohen kushtet higjienike në shkolla, profesionalizimi i kuadrit shkollor, përpilimi i programit të veçantë për mësim online, reduktimi i punës administrative për stafin shkollor dhe korrigjimi i teksteve shkollore. Nga atje thonë se përmes këtij memorandumi kanë për qëllim që të ngritin cilësinë në arsim dhe të përmirësojnë kushtet për një proces edukativo-arsimor me më fleksibilitet.
Leutrim Bilalli, nënkryetar i UNSHM-së, ka thënë se nga partitë politike kërkojnë zotim për të sjellë ndryshimet e duhura në fushën e arsimit, i cili është një nga sektorët më të rëndësishëm të shoqërisë sonë. “I kemi ftuar të gjitha partitë politike të cilët garojnë në këto zgjedhje dhe mosardhja e as gjysmë të partive politike më të mëdha në vend për nënshkrimin e këtij memorandumi tregon faktin se sa ata janë të interesuar dhe të angazhuar për një arsim më cilësor në vendin tonë”, deklaroi Bilalli. Në nënshkrimin e këtij memorandumi mori pjesë edhe ambasador i BE-së, Samuel Zhbogar, i cili tha që shpreson që edhe përfaqësuesit e partive politike do të mund të bashkëngjiten në këtë iniciativë më vonë dhe se të gjitha këto parti arsimin do ta vendosin në nivel të lartë gjatë programit qeverisjes së tyre.
Edhe në platformën zgjedhore të partive politike është përfshi problematika e menaxhimit të arsimit. Sipas BDI-së, prioritet është rritja e rrogës minimale për mësimdhënësit dhe kjo parti ka premtuar se do ta rrisin deri në 600 euro dhe është zotuar që ta bëjë lëndë të obligueshme gjuhën shqipe që nga klasa e pestë dhe shkollë të mesme për çdo komunë. Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët i ka kushtuar vëmendje digjitalizimit të arsimit duke u zotuar se do të krijojnë platformë shtetërore për mësim digjital në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Gjithashtu, në platformën e tyre ASH-ja ka përfshirë që do të formoj “letërnjoftim”, për të gjithë institucionet arsimore në 100 ditët e para të qeverisjes si dhe do të hap shkollë të mesme për shkenca teknologjike dhe digjitalizim në Shkup, Tetovë dhe Manastir.
Nga koalicioni “Mundemi”, kanë premtuar se do të rinovojnë të gjithë konviktet studentore. Gjithashtu për ata do të jetë e rëndësishme organizimi i një platforme me ekspert të huaj për reforma të menjëhershme në arsim si dhe do të ndajnë 1.5% nga PBV për shkencë deri në vitin 2024. (koha.mk)