Agronomët thonë se shpesh domatet e sotme këputen kur janë jeshile dhe janë modifikuar për t’i rezistuar transportit disa ditor madje edhe për një muaj të tërë. Industria është e interesuar të prodhojë domate jetëgjata dhe rendimente të mëdha që sjellin fitime të mëdha dhe jo te shija e saj
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 qershor – Domatet që në vitet e fundit i blejmë në treg kanë humbur shijen e dikurshme. Apo me fjalë të tjera sikur shija e domates së sotshme ka humbur, jo vetëm shijen por edhe aromën e mëparshme. Të gjithë i mbajmë mend domatet nga kopshti që nuk i konsumonin gjatë tërë vitit por vetëm në sezonë kur edhe ishin më të shijshme, shkruan gazeta KOHA. Sipas prodhuesit të domateve Risto Vellkov nga Strumica, “domatet e drunjta”, kanë përjashtuar në treg me të madhe domatet vendore si rrjedhojë e ambientit të ndryshuar ekonomik , për shkak se farat e reja të domateve japin rendimente që kanë afat më të gjatë të ruajtjes si dhe janë më të lehta për transport.
“Edhe tek farat e reja ka domate që janë të shijshme si për shembull ato të llojit bele. Njëherazi farat e dikurshme si ballka apo të domatës autoktone ‘jabuçar’, më pak i hasim në treg për shkak se ato kanë një afat më të shkurtër të konsumimit dhe nuk mund të transportohen. Nga ana tjetër të ashtuquajturat domatet e ‘drunjta’, i kërkojnë tregjet në rajon dhe në botë, dhe janë më të kërkuara duke eliminuar ngadalë nga tregu varietetet e dikurshme të domateve”, thekson Vellkov.
Agronomët nga ana tjetër, thonë se shpesh domatet e sotme këputen kur janë jeshile dhe janë modifikuar për t’i rezistuar transportit disa ditor madje edhe për një muaj të tërë. Industria është e interesuar të prodhojë domate jetëgjata dhe rendimente të mëdha që sjellin fitime të mëdha dhe jo te shija e saj.
“Hibridet e sotshme japin rendimente shumë të mëdha, andaj nëse ndonjë fermer do të dëshironte të kultivonte llojet e vjetra dhe të kishte fitim, do të duhej ti shesë ato me një çmim tre herë më të lartë, që në fund të fundit nuk është në interes as të blerësve dhe as të prodhuesve”, thonë ekspertët e agronomisë. Bile shtojnë ata domatet moderne shpesh grumbullohen përderisa nuk janë pjekur deri në fund, apo tani mund të qëndrojnë në magazina apo në pikat shitëse në treg edhe nga disa ditë, ndërsa disa lloje edhe nga disa javë. Megjithatë ekspertët e agronomisë vlerësojnë se për një frutë të shijshëm të perimeve, kryesorja është që bimët të ushqehen dhe vaditen si duhet.
Shpesh shija jo e pranueshme sipas një pjesë të madhe të konsumatorëve paraqitet edhe tek llojet e tjera të perimeve si bizelet apo bishtajat ku sortat e reja të tyre mundësojnë grumbullimin më të lehtë me anë të makinerive. Kjo udhëzon se në fund të fundit, çdo gjë është e orientuar ndaj ekonomisë së tregut. Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se domatet një nga perimet më të rëndësishme në nivel global. Në vitin 2014, në botë janë prodhuar 170 milionë domate, ndërsa prodhuesit më të mëdhenj botëror janë Kina, India, Shba-të dhe Turqia. Këto katër shtete së bashku prodhojnë afër 60 për qind të totalit të prodhimtarisë botërore të domateve.
Në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018 janë prodhuar 161,621 mijë tonë domate, që parqet një zvogëlim në raport me 173 434 mijë tonë domate të prodhuara në vitin 2015. Në vitet e kaluara fermerët janë ankuar për çmimet e ulëta grumbulluese të domateve si dhe për mos respektimin e marrëveshjeve shitblerëse nga ana e një pjese të tregtarëve. Andaj Ministria e Bujqësisë në vitin 2018 intervenoi me 4 denarë shtesë të subvencioneve për një kilogram të dorëzuar në kapacitetet prodhuese që së bashku me subvencionet prej 3 denarë paraqiste një mbështetje prej 7 denarë për fermerët. Agronomët vite me radhë theksojnë se nëse dëshirojmë të kemi bujqësi bashkëkohore, konkurruese me shtetet e tjera dhe të orientuar ndaj eksportit për shkak se Maqedonia e Veriut si treg është tejet i vogël, nevojitet që bujqit të organizojnë punën e tyre në kooperativa, me qëllim që të arrihet një drejtpeshim më i madh midis prodhimit dhe investimit. (koha.mk)