Profesioni kolektiv i shqiptarëve për të qenë të pakënaqur në vazhdimësi burimin e ka në shkollat e dembelisë të cilat shartuan me shekuj një mendësi se të tjerët i kanë fajet për punët që ne duhet t’i kryejmë
Nga Emin AZEMI
Gjithë opinioni publik është i fokusuar rreth zhvillimeve që lidhen me aferën e fundit ‘Zhvatja’. Katica Janeva dhe disa të tjerë u bënë personazhet më të përfolur të mediave dhe fitohet përshtypja se posa të zbardhet kjo aferë gajlet tona përfundojnë rrënjësisht. Por, në fakt as afera nuk do të zbardhet deri në fund, e as gajlet tona nuk do të marrin fund. Përkundrazi, gjithë ky fokusim mediatik nxjerr në pah edhe një deformim tonin si shoqëri dhe kjo lidhet me mungesën e kreativitetit për të prodhuar tema e ngjarje të tjera, që mund të jenë më të qenësishme për të ardhmen tonë. Kjo flet, me fjalë të tjera, se aktivizimi i publikut për çështje me interes jetik është ngushtësisht i lidhur me interesimin e mediave, me punën e tyre të përditshme, ndërkohë që pjesa e tjetër e shoqërisë, sidomos ajo që flet shqip, bën gjumë veror për shtatë palë qejfe.
Po shkon vera dhe bashkë me të edhe stina e dasmave, kurse kurbetçarët po i numërojnë ditët e fundit të qëndrimit në vendlindje. Rrjetet sociale gëlojnë me lajme të gëzueshme nga rivierat turistike dhe ky avaz optimist vazhdon të shtrijë krahët e flladit dhe relaksit edhe pas kthimit nga pushimet. Njerëzit janë lodhur aq shumë, sa që mezi po presin të çlodhen në Facebook me foto për të treguar se ‘sa ka lezet kafja në….’, ose ‘u kënaqëm në dasmën e kusheririt të gruas së mixhës së djalit të hallës…’ etj etj. dhe euforia e ditëve që njerëzit mendojnë si ta plakin ditën duke përcjellë mesazhe koti, nuk ka të sosur.
Po vjen shtatori dhe sërish ‘partitë na i kanë fajet për atë e për këtë…’. Të hutuar pas aferës ‘Zhvatja’ të gjithë jemi shndërrua në vesh të madh për të dëgjuar se çka flitet koluareve, dhe pastaj varësisht nga ajo që marrim vesh mund të ndërtojmë si shoqëri (që flet shqip) strategjinë tonë të zhvillimit të mëtejmë.
Askujt nuk iu kujtua të shfrytëzojë prezencën e njerëzve të shquar të diasporës që bashkë me ta të gjenden rrugë e mundësi për t’iu ndihmuar viseve tona të cilat për çdo ditë po zbrazen nga rinia. Askujt nuk i shkon ndërmend të formojë organizata qytetare, me të cilat do t’i bënin trysni më tepër politikës për ide e projekte që ajo nuk po i kryen.
Edhe ky shtator po vjen duke pritur se çfarë haberesh do të na sjellin komesarët e partive politike, ndërkohë që askund në botë të gjitha punët nuk i kryejnë vetëm partitë politike. Këto të fundit mund të kenë rol transmisioni në barten e mesazheve që jep shoqëria dhe në implementimin e projekteve të caktuara me karakter publik, por ato nuk munden të jenë ‘diell për të gjithë’.
Përderisa ne po presim se si do të jetë epilogu i një afere ‘dylberësh’, në anën tjetër, vjeshta përpos reshjeve të shiut, sjell edhe apatinë tonë kolektive dhe gjithë ne jemi viktimë e pritjeve spektakolare se çka do të na sjellin në tryezë partitë politike. Shkrimtarët, gazetarët, mjekët, arkitektët, juristët, ekonomistët, agronomët, vazhdojnë të vegjetojnë në skutat e mosorganizimit të tyre dhe realiteti që na imponohet para hundëve e mendojmë si një projeksion i huaj, që tjetër kush na e servon. Thua se nuk jemi edhe ne përgjegjës për konturat e atij realiteti. Thua se nuk jemi edhe ne fajtor pse e kemi këtë cilësi të presionit publik, i cili, po të mos ishin pak media, as që do të vërehej nga grupet e paorganizuara të esnafëve brenda shoqërisë shqiptare.
Profesioni kolektiv i shqiptarëve për të qenë të pakënaqur në vazhdimësi, burimin e ka në shkollat e dembelisë të cilat shartuan me shekuj një mendësi se të tjerët i kanë fajet për punët që ne duhet t’i kryejmë. (koha.mk)