Profesoresha universitare Jasna Baçovska, theksoi se problemi i lajmeve të rreme dhe propagandës është një problem i madh global në politikën ndërkombëtare dhe jo vetëm te ne
Zenel MIFTARI
Shkup, 13 shkurt – “Zgjedhje të lira – kundrejt propagandës së zezë” ishte temë debati e OJQ “Civil”, që u organizua sot në Shkup. Në këtë debat morën pjesë zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska, koordinatori nacional për komunikime strategjike në Qeverinë e RMV-së, Marjan Zabrçanec dhe profesoresha universitare, Jasna Baçovska. “Me të drejtë tema e luftërave hibride po bëhet veçanërisht e rëndësishme në periudhën parazgjedhore, sepse atëherë rritet edhe potenciali për rrezik. Sulmet hibride nuk janë asgjë e re në vendet demokratike dhe të zhvilluara të botës. Por për të luftuar këtë fenomen nevojitet një strategji më e gjerë shtetërore në të cilën do të përfshiheshin të gjithë aktorët së bashku për ta luftuar këtë fenomen”, tha zv.ministrja e Brendshme Slavjanka Petrovska.
Koordinatori Nacional për komunikime strategjike në Qeveri, Marjan Zabrçanec, në këtë panel u fokusua në strategjinë kombëtare të komunikimeve, në luftën kundër përhapjes së dezinformatave. Ai tha se Qeveria është e gatshme të merret me këto fenomene negative me të cilat po përballemi. Përhapja e shpejt e dezinformatave, është një ndër shembujt kryesor se sa janë të rrezikshme këto fenomene për demokracinë. Sipas tij ata të cilët i prodhojnë këto lajme, punojnë në nxitjen e emocioneve që çojnë në urrejtje, frikë dhe dhunë.
Profesoresha universitare Jasna Baçovska, theksoi se problemi i lajmeve të rreme dhe propagandës është një problem i madh global në politikën ndërkombëtare dhe jo vetëm te ne.
“Sipas vlerave europiane shteti nuk duhet të ndërhyj në rregullimin e mediave, por duhet që t’i lejojë dhe mundësojë vetë-rregullimin e tyre. Në anën tjetër gazetaria në këtë periudhë të globalizmit është një profesion dhe treg i hapur, kushdo mund të hapë një portal dhe shteti nuk mund të bëjë asgjë. Por fatkeqësisht në vendin tonë, asnjëra qeveri nuk e ka treguar vullnetin politik të saj për të forcuar shërbimin e mediave dhe për këtë arsyeje ne nuk kemi edhe media cilësore”, tha Baçovska. (koha.mk)