Nga viti i ardhshëm do të duhet të fillojë edhe aplikimi i ndryshimeve që janë caktuar edhe tek mallrat e akcizës, ndërsa janë paralajmëruar edhe ndryshime të reja ligjore që do të përfshijnë edhe domenin e punës së bankave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 dhjetor – Për shkak të ndryshimeve që janë miratuar që në vitin 2018 në Ligjin për kontributet e detyrueshme të sigurimeve sociale, nga viti i ardhshëm serish do të rritet shkalla për sigurim të detyrueshëm pensional dhe invalidor. Ky ndryshim, me siguri, sërish do të bije në barrë të qytetarëve, gjegjësisht të gjithë të punësuarve. Nga viti i ardhshëm do të duhet të fillojë edhe aplikimi i ndryshimeve që janë caktuar edhe tek mallrat e akcizës, ndërsa janë paralajmëruar edhe ndryshime të reja ligjore që do të përfshijnë edhe domenin e punës së bankave, shkruan gazeta KOHA.
Me ndryshimet në Ligjin për kontributet, rritet shkalla për sigurim të detyrueshëm pensional dhe invalidor, e cila këtë vit ishte 18.4 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë 18.5 për qind. Ndërsa, shkalla për sigurim të detyrueshëm shëndetësor këtë vit është 7.4 për qind, e vitin ardhshëm do të paguhet nga 7.5 për qind. Para se të ndodhin ndryshimet të cilat i miratoi Qeveria, shkalla për sigurim të detyrueshëm pensional dhe invalidor ishte 18 për qind, ndërsa kontributi për sigurim të detyrueshëm shëndetësor ishte 7.3 për qind. Në shpjegimin e ndryshimeve të ligjit është theksuar se të njëjtat janë sjellë në mënyrë që të sigurohen të hyra më stablie për Fondin për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë dhe Fondin për sigurim shëndetësor të Maqedonisë. Këto reforma duhet t’i stabilizojnë fondet në afat të gjatë, por i bën punëtorët më të shtrenjtë dhe rritë shpenzimet për punëdhënësit. Për shkak të asaj, disa prej punëdhënësve kanë vendosur që kontributet e reja më të larta tua heqin punëtorëve nga neto-pagesa e tyre, ndërsa se si do të llogariten pikët prej vitit të ardhshëm, mbetet të shihet.
Me fillimin e vitit 2020, duhet të fillojë edhe zbatimi i Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për akcizat. Ashtu që poseduesit e licencave për akcizë, poseduesit e lejeve për shfrytëzim të autorizuar të akcizave dhe tregtarët e regjistruar me vajra minerale që përmbajnë substanca shënuese, obligohen që licencat e akcizave, lejet për shfrytëzim të autorizuar të akcizave dhe regjistrimet e tregtarëve me vajra minerale që përmbajnë substanca shënuese të harmonizojnë dispozitat e këtij ligji dhe të parashtrojnë kërkesë për riregjistrim deri më 1 janar të vitit 2020.
“Paguesit e akcizave që deri në ditën e fillimit të zbatimit të këtij ligji kanë parashtruar kërkesë për planifikim dhe marrje të markave të akcizave në pajtim me ligjin për akciza, markat e akcizave mund t’i marrin më së voni deri më 31 mars 2020. Gjatë riregjistrimit të paguesve të akcizave, harmonizimi i pajisjeve matëse ekzistuese tek poseduesit e licencave të akcizave, do të bëhet në afat prej një viti duke llogaritur nga 1 janari i vitit 2020”, theksojnë autoritetet. Po ashtu, theksohet se operatorët ekonomik që në objektet me shumicë ose me pakicë deri më 31 dhjetor të vitit 2019 kanë rezervë të sasisë së pa shitur të vajit për mbushje të cigareve elektronike në pajtime regjistrimin e realizuar mund të jenë në qarkullim të lirë të pa shënuar me marka të akcizave deri më 31 mars të vitit 2020.
Ky ligj tash më ka patur dy shtyrje, kështu që të drejtuarit konsiderojnë se nuk do të përjetojë shtyrje tjetër, posaçërisht nëse kihet parasysh se është publikuar shpallje për “Përpilimin e një fisibiliti studimi për vendosje të partneritetit publiko-privat për sistem elektronik për përcjellje të të akcizave”. “Sistemi kompjuterik për përcjellje dhe kontrollim të lëvizjes së akcizave është një risi e rëndësishme, e cila parasheh përcjellje dhe kontroll të akcizave me sistem kompjuterik, ndërsa paraqet edhe një vegël për harmonizim me sistemin e Bashkimit Evropian”, thuhet në sqarim. Vitin e ardhshëm duhet të sillet një rregullore e re në sferën e shërbimeve pagesore dhe sistemeve pagesore, në përpunimin e së cilës Banka Popullore dhe Ministria e Financave kanë punuar gjatë dy viteve të kaluara. Rregullorja e re do të jetë e harmonizuar me legjislaturën e BE-së dhe me standardet dhe rregullat për pagesë në vendet evropiane.
“Ligji për shërbime të pagesave dhe sisteme të pagesave dhe aktet e caktuara nënligjore, presim në plan afatmesëm, të kontribuojë në përforcimin e konkurrencës në sigurimin e shërbimeve të pagesave. Njëkohësisht do të jetë në funksion të përforcimit të mekanizmit të tregut, do të kontribuojë për ofertë më të madhe dhe konkurruese të shërbimeve gjatë periudhës së ardhshme. Kjo është e fokusuar në nxitjen e konkurrencës sa më të madhe, për shërbime më të mira dhe më të qasshme me çmime më konkurruese për qytetarët dhe kompanitë, si shfrytëzues të shërbimeve të pagesave. Presim që të mundësohen edhe mekanizma për mbrojtje institucionale të konsumatorëve”, shpjegojnë nga Banka popullore. Autoritet tregojnë se mundësitë që i ofrojnë teknologjitë financiare mund të kontribuojnë në uljen e shpenzimeve për shfrytëzuesit e shërbimeve financiare dhe në rritjen e efikasitetit dhe konkurrencës në mesin e ofruesve të këtyre shërbimeve. Sipas tyre, do të mundësohet spektër më i madh i shërbimeve financiare dhe qasje më e lehtë e qytetarëve dhe sektorin korportativ deri te shërbimet.
PARA TË REJA PREJ 10 DHE 500 DENARË
Vitin e ardhshëm do të lëshohen në qarkullim bankënotat e reja në vlerë apoene prej 10 dhe 500 denarë. Këto bankënota të reja do të përmbajnë emrin e ri të institucionit dhe të shtetit, por nga Banka popullore theksojnë se futja në qarkullim të bankënotave është për shkak të nevojës së plotësimit të rregullt të rezervave nga këto apoena. “Shtypja dhe lëshimi në qarkullim të tyre gjatë kësaj periudhe është paraparë që para vitit 2019, në pajtim me vlerësimet e analizave për nevojën e sasive të reja të bankënotave në qarkullim sipas apoenave të caktuara, që Banka popullore i realizon në bazë të rregullt. Pas lëshimit në qarkullim të bankënotave të reja me vlerë apoene prej 10 dhe 500 denarë, në qarkullim mbeten edhe bankënotat e më hershme të këtyre poenëve, që janë mjet ligjor për pagesë në vendin tonë”, shpjegojnë nga Banka botërore.
LIGJET E SHTYRA
Vitin e ardhshëm u desh të zbatohen disa prej ndryshimeve të bëra me tatimin progresiv, por me vendim të Qeverisë i njëjti është vënë në pushim 36 muaj. Tani serish të ardhurat nga puna, të ardhurat nga veprimtaritë familjare, të ardhurat nga të drejtat autoriale dhe të përafërta si dhe të ardhurat nga shitja e prodhimeve personale bujqësore tatimoren në shkallë prej 10 për qind. E njëjta shkallë është edhe për të ardhurat e të drejtave të pronësisë industriale, qirasë dhe nënqirasë, kapitalit, fitimeve kapitale, nga sigurimet dhe të hyrat tjera. Para pak kohësh Ligji për tregti në tregjet e gjelbra, i cili gjithashtu duhej të zbatohej vitin e ardhshëm, është shfuqizuar plotësisht, me paralajmërimin e ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi se periudhës në vijim do të përpilohet ligj tërësisht i ri. (koha.mk)