Pashallëqet shqiptare ishin formacione shtetërore autonome në kuadrin e Perandorisë Osmane, të krijuara nga bashkimi i disa sanxhakëve. Më të rëndësishmit ishin pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve, në të cilin u përfshinë disa sanxhakë të Shqipërisë Veriore, Qendrore e Lindore dhe pashallëku i Janinës nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, ku u përfshinë sanxhakë të Shqipërisë së Jugut. Popullsia e tyre përbëhej nga shumica shqiptare, ndërsa në krahinat periferike kishte edhe pakica joshqiptare. Përpjekjet autonomiste të pashallëqeve shqiptare nuk u përkrahën dhe u luftuan nga fuqitë e mëdha të kohës.