“Putin hajdut!” Një thirrje lufte në mes të Shën Peterburgut gjatë një proteste në një mbrëmje tetori më 2017. Metropoli më verior si epiqendër e protestës. Ashtu si edhe përpara njëqind vjetësh, kur Vladimir Lenin me bashkëluftëtarët e tij shpalli Revolucionin e Tetorit duke ndryshuar gjithë botën.
Po sot? Luftë apo romantikë? Sa revolucion kanë sot rusët në shpirt? Ky shpirt ekziston tek të rinjtë kritikë si Dmitrij Mjakshin, 18 vjeҁ, përkrahës i politikanit të opozitës Aleksey Navalny. Ai thotë se “ndihem si një revolucionar. Qëllimi im është ndryshimi i pushtetit”.
Ky ndryshim pushteti vjeshtën e vitit 1917 e ktheu Rusinë në një shtet socialist të punëtorëve dhe bujqve, që ekzistoi mbi 70 vjet, por që në fund megjithatë dështoi. Sidoqoftë gjurmët kanë mbetur. Shumë vende në Shën Peterburg sot të kujtojnë ngjarjet e atëhershme. Si në rrugën me emrin Sovjetskaja. Ose në Marsovo Pole, në memorialin për viktimat e revolucionit. Dmitrij Mjakshin e konsideron veten si viktimë të arbitraritetit të shtetit në Rusi. Ai u arrestua gjatë një proteste. Për këtë Dmitrijn tani e kërcënojnë deri në dhjetë vjet burg. Procesi kundër tij vazhdon. Akuza është: sulm ndaj përfaqësuesve të shtetit. “Unë nuk dua dhunë dhe as viktima si në sheshin Mejdan në Ukrainë. Unë shpresoj, që ne mund ta ndryshojmë sistemin tonë me mjete demokratike. Por nëse pushteti i shtetit nuk na dëgjon ne, në Rusi mund të ndodhin edhe protesta radikale”.
BASHKIMI SOVJETIK ËSHTË NJË KAPITULL I MBYLLUR
Jubileu i revolucionit në Rusi nuk po kremtohet me bujë. Kjo edhe që ngjarjet e 100 vjetëve më parë të mos i frymëzojnë sot kritikët e sistemit për një përmbysje të re. Kryqëzori historik Aurora, prej nga u dha sinjali legjendar i fillimit të kryengritjes, është sot një muze jo fort i frekuentuar.
Për Dmitrij Mjakshin Bashkimi Sovjetik është një kapitull i mbyllur. Bashkë me heronjtë e tij. “Unë nuk e vlerësoj revolucionin komunist. E vetmja paralele, që mund të bësh sot, është mendimi i kryengritjes popullore. Natyrisht unë kam pak frikë për këtë. Por unë përpiqem të mos e mendoj këtë. Vetëm kështu ne mund t’i arrijmë qëllimet tona”. Si Dmitrij mendon gati gjysma e të rinjve rusë, sipas sondazheve. Ato nuk e konsiderojnë si të keqe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
GLORIFIKIMI I KOHËS SOVJETIKE
Ndryshe nga ata, mendojnë komunistët e rinj, që marrin shkas nga jubileu i revolucionit për një festë në Shën Peterburg. Edhe ata mblidhen në një mbrëmje të ftohtë tetori me kërkesa politike. Edhe ata duan një shtet tjetër. Me simbolikë sovjetike ata glorifikojnë kohët, që personalisht nuk i kanë përjetuar ndonjëherë. “Nga rrëfimet e gjyshes e gjyshit unë e di që e kaluara jonë sovjetike ka qenë më mirë. Njerëzit ishin më të dashur me njeri-tjetrin. Jeta ishte në të gjitha fushat më e mirë se sot”.
Dmitrij Mjakshin mendon ndryshe: “Ndonëse vendi ynë po përjeton një hap gjigant prapa, unë nuk jam i sigurt, që fitorja e socializmit është e mundur dhe se kjo mund të jetë e vetmja e ardhme për vendin tonë”. Por komunistët e rinj, sikurse thotë njëri prej tyre, kanë besim, se “flamuri tringjyrësh rus nuk do të rezistojë gjatë. Flamujt tanë të kuq komunistë do të valëviten sërish”.
Dmitrij Mjakshin dhe miqtë e tij nuk duan t’ia dinë për flamujt e kuq të komunistëve të rinj. Shtetin e para njëqind vjetëve të punëtorëve dhe fermerëve ata e lidhin me shtypjen e qytetarëve. Pikërisht këtë që ato duan ta luftojnë në Rusinë e sotme. Ata e shohin qytetin e tyre Shën Petersburgun si burim frymëzimi për idetë dhe ëndrrat e tyre. Ëndrra për një Rusi demokratike. Dmitrij Mjakshin i lidhur ngushtë me qytetin e tij vlerëson njerëzit dhe arritjet në Shën Peterburg. “Këtu jetojnë njerëz të aftë, që mund të ndërtojnë qytete kaq të bukura, njerëz, që mund ta bëjnë më të mirë jetën e tyre”.
Një shpresë si përpara njëqind vjetësh. Për ata më aktuale, se kurrë më parë. (DW)