Vitin e kaluar për herë të parë korsi për biçikleta janë ndërtuar në pjesën e Komunës së Çairit, Butelit, Gazi Babës e Gjorçe Petrovit. Aktivitet e këtilla, siç raportojnë nga Qyteti i Shkupi, pritet të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti, me çka është planifikuar rikonstruimi dhe ndërtimi i 19 kilometrave koriste të reja për biçikleta
Omer XHAFERI
Shkup, 9 shkurt – Në Maqedoni, çdo ditë e tepër biçikletat po shfrytëzohet si mjet alternativ i transportit. Trafiku i ngarkuar dhe kolonat e gjatë të automjeteve paraqesin arsyet kryesore se pse shumë qytetarë vendosin ti përdorin biçikletat. Gazetari Bekim Laçi, edhe pse nuk e mohon faktin se në shoqërinë tonë është shtuar numri i qytetarëve që i përdorin biçikletat si mjet transporti, ai shton se për dallim nga shumë shtete evropiane, te ne fatkeqësisht – biçikleta akoma nuk llogaritet një mjet transporti. Duke e argumentuar këtë fakt, Laçi i cili së bashku me një grup shokësh mundohen të rrisin vetëdijen e opinionit për dobitë që i sjell çiklizmi, thotë se sikur biçikleta të njihej si mjet transporti, atëherë do të ishte ndërtuar infrastruktura e përshtatshme.
“Pra, problemi i parë, i cili më vonë gjeneron probleme tjera, është mungesa e korsive, për çka çiklistët detyrohen të ngasin në rrugë bashkë me automjetet duke vënë në rrezik jetën e tyre, sepse jemi dëshmitarë të aksidenteve në të cilat kanë pësuar çiklistët, prandaj kërkojmë korsi sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish”, thotë Laçi, për gazetën KOHA.
Raportet e ndryshme e të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacion, thonë se kultura në komunikacionin rrugor në vendin tonë nuk është aq e avancuar, me çka shpesh herë apelojnë që qytetarët, vozitësit dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion ti respektojnë shenja e komunikacionit. Gjatë rrëfimit të përvojës së tij, nëpër rrugët e Shkupit, Bekim Laçi, thotë se çiklistët nuk respektohen fare. “Kam përshtypjen se shoferët e automjeteve, çiklistët i perceptojnë si diçka e tepërt në trafik. Vetëm çiklisti në veturë e respekton çiklistin në biçikletë”, thekson ai.
Në mesin e krimeve të vogla që shënohen në kryeqytet, fatkeqësisht një përqindje zë edhe vjedhja e biçikletave. Njëri prej këtyre viktimave është edhe vetë Bekim Laçi, i cili shprehet se policia rrallë herë arrin të zbuloj vjedhësit e vërtet dhe për këtë arsye ai kujdeset se ku e parkon biçikletën e tij. Pasioni për çiklizmin i cili është vazhdimisht në rritje, ka nxitur që shumë qytetar të blejnë biçikleta të shtrenjta, çmimi i të cilëve në disa raste e kalon shumë e mbi 1 mijë eurove. Sektori civil, i cili merret me këtë problematikë në njërën prej anketave të saj, tha se
39 për qind nga të anketuarit janë deklaruar se u është vjedhur biçikleta, gjegjësisht 71 për qind e të anketuarve e kanë denoncuar vjedhjen në polici. Si rezultat i këtyre ankesave policia deri më tani ka arritur të zbuloj vetëm 2 për qind të rasteve.
Autoritet e Qytetit të Shkupit, kur flasin për çështjen e biçikletave si mjet alternativ i transportit, thonë se vazhdimisht punojnë në promovimin e tij, duke theksuar se shfrytëzimi i biçikletave nuk e ndotë ajrin, gjegjësisht kontribuon pozitivisht në shëndetin e njerëzve. Duke i komentuar reagimet dhe vërejtët e qytetarëve, ata shtojnë se vitin e kaluar në Shkup janë ndërtuar mbi 14 kilometra korsi për biçikleta dhe këmbësor. Sipas tyre, vitin e kaluar për herë të parë korsi për biçikleta janë ndërtuar në pjesën e Komunës së Çairit, Butelit, Gazi Babës e Gjorçe Petrovit. Aktivitet e këtilla, siç raportojnë nga Qyteti i Shkupi, pritet të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti, me çka është planifikuar rikonstruimi dhe ndërtimi i 19 kilometrave koriste të reja për biçikleta. Mes tjerash nga atje shtojnë se viti ne kaluar janë ndarë mbi 3 mijë subvencione për biçikleta dhe 109 subvencione për blerjen e trotineteve elektronik.
Ndryshe, të premten në Shkup u shënua Dita Botërore e vozitjes së biçikletës deri në punë. Iniciativës qytetarë “NaToçak” iu bashkangjiten shumë restorante dhe kafene, të cilët myshterive që vinin me biçikleta deri te lokal e tyre ju jepnin lirime të ndryshme. (koha.mk)