Një ngjarje e çuditshme raportohet nga Spanja sa i përket ish-çiklistit të njohur spanjoll Huanmi Merkado. Ai rezulton të jetë tashmë një nga të hetuarit e policisë spanjolle për përfshirjen në një bandë kriminale, pasi është kthyer në një hajdut ordiner.
Në hetimin e një bande e cila kishte kryer 16 vjedhje në Granada, ka dalë në skenë emri i Merkado, i cili ishte bashkëpunëtor i tre të arrestuarve për këto ngjarje. Lajmi ka bërë bujë pasi Merkado është një emër shumë i njohur në Spanjë, pasi ka fituar dy etapa në Turin e Francës gjatë karrierës së tij e një tjetër në Vuelta të Spanjës, ku u rendit i 8 në klasifikimin e përgjithshëm të vitit 2001.
Mes dhjetorit dhe shkurtit, grupi kriminal në të cilin ai bënte pjesë, kishte kryer një seri vjedhjesh në biznese të ndryshme duke siguruar rreth 120 mijë euro prej tyre. Pamjet filmike të siguruara kanë treguar identitetin e tre prej hajdutëve të bandës si dhe hetimin e Merkado, që aludohet se ka qenë i përfshirë direkt në këto ngjarje.