Anëtarët e Bashkësisë së Çiklistëve pranë Universitetit İnönü nga Malatya e Turqisë kanë nisur nga kryeqyteti i Maqedonisë, Shkup, turneun në shtetet e Ballkanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Çiklistët e ri, të cilët do të vizitojnë gjashtë shtete të Ballkanit me qëllim që të njihen me objektet e periudhës osmane në trojet e Ballkanit dhe për t’i vizituar fshatrat turke, filluan me pjesën e parë të turneut të tyre. Uğur Özdemir, kryetari i Bashkësisë së Çiklistëve pranë Universitetit İnönü, në një prononcim për AA tha se organizojnë turne të shumta brenda Turqisë dhe se për herë të parë janë duke organizuar një turne në kuptimin ndërkombëtar. Duke theksuar se qëllimi i turneve që i organizojnë është të ngasin biçikletë dhe ta përhapin kulturën e çiklizmit, Özdemir tha se “Një tjetër qëllim i turneut që kemi paraparë për Ballkan është t’i shëtisim trojet e Ballkanit dhe t’i shohim monumentet historike të ngelura nga periudha osmane. Për këtë, stacioni ynë i parë është Shkupi”.
Özdemir u shpreh se në kuadër të turneut kanë vizituar edhe Ambasadën e Turqisë në Shkup, duke shtuar se janë pritur mirë nga ambasada. Ai po ashtu theksoi se përdoruesit e automjeteve në Shkup i kanë respektuar në masë të madhe dhe u kanë dhënë përparësi kalimi në çdo rast. “Pasi të dalim prej këtu, stacioni ynë do të jetë Gostivari dhe Ohri dhe në këtë mënyrë do ta përmbyllim pjesën e turneut tonë në Maqedoni”, shtoi ai.
Ndërkohë, Yusuf Güngör, njëri nga anëtarët themelues të bashkësisë, tregoi se prej tri vitesh shëtisin rajonet e Turqisë dhe se këtë vit kishin planifikuar të organizojnë turne në Ballkan. Güngör tha se kishte dëshiruar shumë të marrë pjesë në një aktivitet të këtillë ndërkombëtar, pasi që, siç tha ai, gjendet në vitin e fundit të studimeve. “Aktualisht jemi në fillim, megjithatë, është kënaqësi të ngasësh biçikletën në këto troje”, tha ai. Ndryshe, turneu në fjalë ka filluar me ceremoni zyrtare në Universitetin İnönü. Pjesëmarrësit fillimisht kanë udhëtuar me autobusë nga Malatya për në Stamboll, për të vazhduar më tej rrugën me aeroplan drejt Shkupit, nga ku edhe filluan turneun. Çiklistët në fjalë pas Maqedonisë do të vizitojnë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, ndërsa synojnë që turneun e Ballkanit ta përmbyllin brenda 30 ditëve duke përshkuar distancë prej 1.184 kilometrash.