Cikalleshi: Situatë e vështirë, na kanë thënë se do bëhet më keq

13

Numrit të madh të të ftuarve në emisionin “FanZone” në Supersport, përcjellë gazeta KOHA, iu bashkua edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare Sokol Cikalleshi, i cili ndodhet i izoluar në Turqi, atje ku edhe vijon karrierën e tij si futbollist.

Sokol paske ndryshuar look?
Është për shkak të karantinës (qesh).

Ka pasur një debat të madh për ndërprerjen e pagave të futbollistëve. Ju në Turqi i keni marrë pagat?
Nuk kemi pasur asnjë komunikim. Në vazhdim besoj që do kemi. Më e rëndësishme është që kjo situatë të kalojë, pasi këtu është shumë serioze. Rrogën e muajit të kaluar nuk e kemi marrë akoma, do flasim më vonë.

Si po e përjeton këtë situatë?
Të gjithë prisnim që situata mos ishte kaq serioze, por është rënduar shumë dhe jemi të gjithë në karantinë. Siç kemi dëgjuar do të shkojë akoma më keq situata nga ky virus. Në kushte shtëpie është e vështirë të mbajmë ritmin që kishim. Objektivi është të humbasim sa më pak të jetë e mundur. Për fat të mirë kam një ballkon dhe e shfrytëzoj për stërvitje.

Sa mendohet të zgjasë izolimi në Turqi?
Deri në 3 maj jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi. Kështu është jeta, çdo gjë do të kalojë. Koronavirusi na ka izoluar. Duhet të jemi më të përgjegjshëm dhe të qëndrojmë në shtëpi, të mos e marrim si të lehtë. Regjimi na ka ndikuar negativisht, ushqimi, oraret. Hobi ngelet gjithmonë stërvitja. Mundohemi të bëjmë diçka me lojtarët e tjerë.

Comments are closed.