Peizazhi i bukur i vendbanimeve shqiptare, tradita e veshjes dhe jetës, stilet e ndërtimit, gdhendja e drurit, kuzhina etj., mund të jenë pikat kryesore referuese nga duhet të lëvizë vëmendja e një turisti të huaj kur vjen në Maqedoninë e Veriut. Bashkë me kureshtjen për të eksploruar pika ekzotike, vjen edhe potenca financiare, andaj ata që kanë ngurruar deri më tani të nxjerrin në pah vlerat kulturore e estetike të viseve dhe traditës shqiptare, është koha ta bëjnë tani
Nga Emin AZEMI
Këtyre ditëve janë shpeshtuar vizitat e turistëve të huaj dhe shumica prej tyre preferojnë të vizitojnë Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Përshtypjet e tyre që zakonisht i memorizojnë përmes kamerave dhe fotoaparateve, ruajnë me vite motive të një pjese të Europës që gjatë gjithë kohës ka qenë në kufijtë e kapërcimit të civilizimeve.
Nëse të rastis të kalosh pranë grupeve të turistëve të huaj, të bie në sy një dukuri e pazakontë. Të bie të dëgjosh ciceronët vendorë teksa e flasin me vështirësi ndonjë gjuhë të huaj, por që dinë saktësisht të adresojnë porosi që i konvenon vetëm një komunitetit. Ndërkohë, turistët krejt sy e veshë, ‘informohen’ se prej ku fillon pjesa myslimane e Shkupit dhe ku shtrihen themelet ‘antike’ të Maqedonisë. Një kalldrëm që është ndërruar jo më herët se dhjetë vite, ciceronët ua ‘shesin’ turistëve si artefakt i moçëm ‘që nga kohët e mbretërve maqedonas’.
Informimi i njëanshëm krijon prej vizitorëve të huaj transmetues të prishur të imazheve sllave në mbamendjen e tyre.
Sikundër dihet, lidhjet tona me botën shprehin kulturën dhe vokacionin shpirtëror e material të njerëzve dhe ideve që ata bartin. Shpesh na ka rënë të shohim kartolina me pamje nga Maqedonia nëpër vende të ndryshme të botes. Vizitorë të shumtë gjatë qëndrimit këtu, kanë marrë me vete impresione në formë të eksponateve, zbukurimeve, skicave, kartolinave etj.
Ajo që bie në sy tek i shikon të gjitha këto imazhe, është dominimi ekstrem i kulturës kishtare ortodokse dhe i traditës sllave. Dominojnë ikonat, kishat, manastiret, kryqet dhe të gjitha shenjat urbane e estetike të traditës sllave-bizantine. Mund ta imagjinoni se çfarë informimi të njëanshëm për Maqedoninë marrin të gjithë ata që i posedojnë këto materiale propagandistike. Kryqëzimi i një e më shumë kulturave në Maqedoni ishte proces i natyrshëm i ngjizjes së qytetërimeve të lashta në këto hapësira. Asnjë kulturë nuk ka mundur e vetme të zhvillohet, prandaj na duket paksa absurde ky dominim i peizazheve sakrale bizantine në udhërrëfyesin turistik për Maqedoninë dhe për rrjedhojë mungesa e ciceronëve që do ta prezantonin koloritin kulturor autokton me ngjyra realiste, ka bërë që kjo pjesë e Europës Juglindore zë paraqitet në botë si një kartolinë e grisur, së cilës i mungojnë shumë pjesë.
Ku janë piktorët, skulptorët, fotografët, arkivistët, grafistët shqiptarë dhe sa ata kanë mbështetje institucionale që të prezantohet jashtë veçantësia e kulturës shqiptare, me të gjitha specifikat e saja?
Peizazhi i bukur i vendbanimeve shqiptare, tradita e veshjes dhe jetës, stilet e ndërtimit, gdhendja e drurit, kuzhina etj., mund të jenë pikat kryesore referuese nga duhet të lëvizë vëmendja e një turisti të huaj kur vjen në Maqedoninë e Veriut. Bashkë me kureshtjen për të eksploruar pika ekzotike, vjen edhe potenca financiare, andaj ata që kanë ngurruar deri më tani të nxjerrin në pah vlerat kulturore e estetike të viseve dhe traditës shqiptare, është koha ta bëjnë tani. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zhvillohet turizmi kulturor,e me këtë revitalizimi i fshatrave tona mund të bëhet pjesë e projekteve të mëdha investuese edhe të njerëzve tanë në diasporë. Në të kundërtën ka rrezik që turistët e huaj të bien në kurthin e manipulimit propagandistik që përhapin ciceronët nëpër kalldrëmet e Shkupit, që i bënë ata të njohin vetëm gjysmën e arealit etnokulturor në këto vise. Paradoksalisht ky është edhe një kthim prapa më shumë se një shekull, atëherë kur udhëtarët e huaj në udhëpërshkrimet e tyre ishin shumë më besnik në paraqitjen e traditave dhe kulturave të popujve të Ballkanit.
Çka duhet bërë sot që realiteti për neve dhe rreth nesh të përhapet nga vet ne? (koha.mk)