Agjencia qendrore amerikane e zbulimit (CIA) mendon se urdhrin për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi në Stamboll e ka dhënë trashëgimtari saudit i fronit, princi Mohamed bin Salman.
Siç pohon “Uashington Post”, duke iu referuar burimeve anonime, CIA deri tek një konkludim i tillë ka ardhur në bazë të njohurive nga shumë burime të shërbimeve të zbulimit, duke i përfshirë bisedat telefonike të vëllait të trashëgimtarit të fronit, princi Halid bin Salman dhe të ambasadorit saudit në SHBA me Kashogin, për të cilët dëshmuan njerëz të afërt të familjes mbretërore.
Sipas këtyre dëshmive, princi Halid i ka thënë Kashogit se duhet të shkojë në Konsullatën e përgjithshme saudite në Stamboll, ku është vrarë, me qëllim që t’i marrë dokumentet e nevojshme për kurorëzimin e tij, duke i garantuar se është i sigurt.
Në reagimin e pohimeve të tilla, Ambasada saudite në Uashington kumtoi se ambasadori dhe Kashogi asnjëherë nuk kanë biseduar për shkuarjen e tij në Turqi, duke theksuar se njohuritë e CIA-s janë gënjeshtra.
“Edhe më tej dëgjojmë teori të ndryshme pa bazë për spekulime të tilla”, deklaroi zëdhënësja e Ambasadës saudite në SHBA:
Megjithatë, sipas “Uashington Post”, CIA është e sigurt se njohuritë e saja janë të sakta, duke theksuar se bëhet fjalë për “dëshmi më konkrete deri më tani”, të cilat e lidhin princin Mohamed bin Salman me vrasjen e Kashogit.
Kashogi ishte gazetar i “Uashington Post”, i njohur për tekstet e tija kritike ndaj familjes mbretërore saudite. Ai u vra muajin e kaluar kur shkoi në Konsullatën arabe në Stamboll, me qëllim të sigurojë dokumente të nevojshme për kurorëzimin e tij me një shtetase turke.