Chrome në të ardhmen do t’i pengojë sajtet që t’i mbajnë shfrytëzuesit në faqet e tyre

Është e sigurtë se shumë prej jush tashmë keni hasur në situatat ku disa sajte nuk ju lejojnë të ktheheni në faqen e mëparshme pas klikimit të butonit “back”. Në vend të kësaj, këto sajte e përdorin një lloj skripte që e mban përdoruesin “të lidhur” në faqet e këtij sajti, ndërsa mënyra e vetme për t’u larguar nga sajti është të mbyllet browseri.

Përveç se është irrituese për përdoruesin, është gjithashtu një lloj mashtrimi me të cilin do të merret Chrome në të ardhmen. Chrome dhe browserët e bazuar në Chromium (si browseri i ri Microsoft Edge) do të parandalojnë situata të tilla në të ardhmen, duke e prezantuar sistemin e ri i cili është dizajnuar për t’i penguar sajtet që e keqpërdorin funksionalitetin e butonit back, shkruan KOHA DItore.

Ndryshimi do të mundësojë që çdo gjë që shtohet në historikun e kërkimit të përdoruesit, dhe nuk e kërkon lëvizjen e përdoruesit, do të injorohet në të ardhmen.

Ndryshimi tashmë është miratuar për lansim, ndërsa pritet të zbatohet në të ardhmen e afërt në Chrome në platformat e ardhshme, duke përfshirë Windows, Mac, Linux, Chrome OS dhe Android.