Boksieri britanik Dereck Chisora është çmendur sot gjatë konferencës “live” për shtyp që ai dhe rivali i tij, britaniku tjetër Dillian Whyte, po zhvillonin sot pasdite ne Manchester, pak ditë para duelit që mes tyre (më 10 dhjetor në Manchester Arena). Gjatë debatit, në një moment, Chisora është ngritur në këmbë dhe ka marrë në krahë tavolinën, të cilën ia ka hedhur rivalit Whyte dhe stafit të tij, duke bërë që të nisë një sherr masiv. U desh ndërhyrja e forcave të sigurisë që të mos shpërthente një duel i parakohshëm, ndërkohë që gjithçka u zhvillua në prani të mediave. Dy boksierët po debatonin ashpër mes tyre gjatë kohës që ndodhi incidenti në konferencën e shtypit. “Ne të dy e dimë se çfarë do të ndodhte nëse na lini vetëm në një dhomë të mbyllur. Ai ka patur gjithnjë frikë nga grushtet e mia”, tha Whyte, deklaratë që solli irritimin e Chisora. Edhe stafi i Whyte reagoi, duke gjuajtur me një shishe rivalin, por më pas forcat e sigurisë ndërhynë për të ndalur një katrahurë, me Chisora që nuk ndalej nga nervozizmi. Një sherr që garanton një përballje të fortë ditën e shtunë mes dy boksierëve britanikë, teksa duelohet për titullin kampion të peshave të rënda të Britanisë së Madhe.