José Luis Chilavert, ish-portieri legjendë e Paraguajit, analizoi për “MARCA” duelin mes kombëtares së tij dhe Argjentinës, në “Copa América”.
A e shihni Paraguajin larg kësaj Argjentine?
Jo, aspak. Argjentina do të jetë nervoze dhe Paraguaji, pas barazimit kundër Katarit, mund ta presë kundërshtarin e të kundërsulmojë. Argjentinasit do të detyrohen të sulmojnë dhe kombëtarja ime, me kalimin e minutave mund të përfitojë nga nervozizmi i kundërshtarit.
Cili është favoriti juaj për ta fituar “Copa America”?
Unë shpresoj se Paraguaji do të fitojë… Sinqerisht, me sa duket deri më tani, mendoj se asnjë kombëtare nuk ka treguar një lojë bindëse të mjaftueshme për t’u imponuar ndaj të tjerëve dhe konsideruar favorite.
Cili portier e ka tërhequr vëmendjen tuaj?
Tani për tani, asnjë. Portierët që fitonin ndeshjet, të llojit Iker Casillas, kanë mbaruar. Unë nuk mendoj se ka ndonjë përjashtim në këtë kompeticion, të atyre që mund të jenë numri një në botë.
Në nivelin politik, çfarë ju thotë “Copa America”?
Rënia e Michel Platini konfirmon se futbolli botëror është i kalbur, përfshirë edhe Infantino, i cili ishte asistent i tij. Në këtë grup mëkatarësh të futbollit përfshij edhe presidentin e “Conmebol”, Alejandro Domínguez. Shpresojmë se rasti “Platini” do të ndihmojë për të pastruar gjithçka të keqe në futboll, të tjerë drejtues të korruptuar do të bien. Unë mendoj se po përballemi me një sistem të mbyllur, në të cilin disa përfitojnë. Futbolli duhet të jetë i hapur dhe i pastër.