Sulmuesi meksikan Javier Hernandez, i njohur me nofkën “Chicharito”, ishte i emocionuar pasi vendosi t’i japë fund “ëndrrës evropiane” me transferimin nga klubi i La Ligës Sevilla në atë të MLS (Major League Soccer, niveli i parë i futbollit në SHBA) LA Galaxy, këtë muaj.
Sulmuesi e kishte kaluar dekadën e fundit duke luajtur në Evropë, pas transferimit në Manchester United nga klubi meksikan Chivas në vitin 2010 e pastaj kishte vazhduar duke luajtur për Real Madridin, Bayer Leverkusenin, Ëest Hamin dhe Sevillan, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
31-vjeçari shpërtheu në lot gjatë një bisede me babain e tij, përderisa po e pranonte realitetin se karriera e tij si futbollist në nivelin më të lartë në Evropë tashmë ka marrë fund përgjithmonë.
“Desha të flas me ty sepse ajo gjëja po kompletohet tani. Është pothuajse e sigurt se do të shkoj në LA Galaxy”, i kishte thënë Chicharito babait të tij në një bisedë telefonike, që u publikua nga partnerja e tij.
“Është në rregull, gjithçka është mirë. Është thjesht që…. epo, ky është fillimi i pensionimit tim, më kupton? Ne po i themi mirupafshim një karrierë për të cilën kemi bërë shumë. E di që edhe ju ndiheni në të njëjtën mënyrë dhe ne duhet të përqendrohemi te aspekti pozitiv dhe kjo sfidë do të jetë e mrekullueshme. Por, na pëlqeftë apo jo, jemi duke u pensionuar nga ëndrra evropiane, që është në rregull, por vetëm desha të të telefonoj”, shtoi më tej ai.
“Është e vështirë, por jam i lumtur. E dua këtë. Është pjesë e largimit nga një jetë dhe kërkimi i jetës të cilën e dua. Ka edhe gjëra të tjera të cilat jam i gatshëm t’i dorëzojë vetëm për të garuar. Por, ishin dhjetë vjet dhe kjo po më bën nostalgjik dhe të qaj. Nuk është se s’mund ta bëj, por është e vështirë t’i them mirupafshim kësaj eksperience të bukur dhe kësaj pjese time që s’do të jetë më aty. Por, e kam edhe një ëndërr tjetër. Është e ndryshme, natyrisht, por nuk është e lehtë. Por, ne do të jemi më afër dhe do të ju shoh juve shumë më shpesh”, deklaroi Chcharito.
Sulmuesi i kishte bërë vetëm 15 paraqitje në Sevilla që kur u transferua në West Ham nga shtatori i kaluar dhe ai e kërkoi transferimin në MLS në mënyrë që të ketë më shumë minuta lojë.