Mbrojtësi i Chelsea-t Andreas Christensen ka firmosur një kontratë të re katër vite e gjysmë me klubin. Lojtari i përfaqësueses daneze është kthyer në një nga pikat kyçe në prapavijën e Bluve këtë sezon pasi kaloi dy sezone i huazuar te Borussia Monchengladbach. 21-vjeçari nënshkroi për Chelsea-n në moshën 16-vjeçare nga Brondby dhe ka zënë vendin e David Luiz në dy muajt e fundit.
Chelsea gjithashtu kërkon të blindojë Eden Hazard dhe Thibaut Courtois por në fillim ka arritur marrëveshjen me Christensen deri në 2022.
“Është një ndjesi e mirë të nënshkruaj një kontratë të re dhe jam i lumtur që do të vazhdoj të luaj te Chelsea në të ardhmen. Kam luajtur shumë ndeshje, po e shijoj këtë moment dhe çdo gjë po shkon mirë”, deklaroi Christensen.
Christensen do të zbresë në fushë që ditën e mërkurë ndaj Arsenal në gjysmëfinalen e Carabao Cup.