Ata që nuk e njohin historinë, janë të destinuar ta përsërisin atë; ndonjëherë edhe me rezultate vërtetë tragjike. Nisur nga kjo, Chelsea ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për tifozët e saj, me qëllim që të fshijë një herë e mirë nga shkallët e “Stamford Bridge” racizmin. Siç raportohet nga “The Sun”, klubi i Abramoviç i ka vendosur tifozët e tij përpara dy zgjedhjeve: ose nuk do të shkelin në stadium ose të marrin pjesë në aktivitete alternative dhe mes propozimeve që jepen nga pronari i Chelseas është edhe një vizitë në kampin e përqendrimit në Auschwitz.
Një zgjedhje e bujshme ajo e Abramovich, i cili është hebre dhe natyrisht e ka edhe më shumë merak çështjen e racizmit brenda mureve të shtëpisë së Chelsea-t. Kryetari i Chelseas, Bruce Buck është shprehur se largimi i tifozëve nga stadiumi, nuk mjafton për të ndryshuar sjellje. “Largimi i tyre nuk mjafton. Nuk ndihmon që ato të ndryshojnë sjellje, por kjo politikë i ndihmon që të kuptojnë çfarë kanë bërë dhe si mund ta përmirësojnë. Ne mund t’i kishim larguar ato për tre vjet, por tani mund t’u themi atyre “e keni gabim dhe ka dy mundësi: të mos vini më në “Stamford Bridge” ose të kuptoni gabimin”.
Një vendim që synon t’u japë fund episodeve të racizmit që herë pas here përfshijnë tifozët e Chelsea; si në rastin e ndeshjes kundër Tottenhamit, ekip i Londrës i cili ka një numër të madh tifozësh hebre. Mbështetësit e “Bluve” kënduan himne raciste në makinat e metrosë. Diçka që nuk do të duhet të ndodhë më. “Në momentin që janë qindra njerëz duke kënduar është e vështirë që të veprohet, por mund të bëjmë një gjë të tillë në mënyrë individuale dhe një udhëtim në Auschwitz do të ndihmonte shumë tifozë që të përmirësonin sjelljen e tyre në këtë drejtim”, tha Buck.