Humbja 1-0 ndaj Leicester dje në Premier League konfirmoi edhe një herë shterpësinë në sulm të Chelsea-t, që edhe pse ka dy lojtarë si Alvaro Morata e Olivier Giroud, vazhdon të mos shënojnë. Në fakt, spanjolli dhe francezi thuajse nuk luajnë fare, pasi trajneri Maurizio Sarri aktivizon si sulmues fantazistin belg Eden Hazard.
Sipas të përditshmes britanike “Daily Express”, trajneri italian po mendon të sjellë në skuadër një sulmues “race”, duke piketuar pikërisht njeriun që e ndëshkoi 24 orë më parë, Jamie Vardy si të përshtatshëm. Gjithsesi, ëndrra e Sarri është sulmuesi polak i Bayern Mynih, Robert Lewandowski, për të cilin Chelsea është gati të ofrojë deri në 100 milionë sterlina, para që do nxirreshin pjesërisht nga shitja e Moratas dhe ndonjë lojtari tjetër.
Sarri kërkon me çdo kusht një sulmues tjetër në merkaton e janarit dhe Vardy e Lewandowsky janë dy opsione që trajneri italian i “bluve” të Londrës i pëlqen shumë, pasi janë golashënues të lindur. Duket se bie kandidatura e argjentinasit Gonzalo Higuain, që me shumë gjasa do të qëndrojë në Milano deri në fund të sezonit, ndërsa Chelsea kërkon një zgjidhje imediate të problemeve që ka.