Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje jashtëzakonisht interesante në muajin mars. ‘Dardanët’ fillimisht do të ndeshen me Danimarkën me 21 mars (miqësore), kurse më pas me 25 mars do të fillojnë ciklin e kualifikimit për kampionatin evropian në ndeshjen ndaj Bullgarisë – përcjell GazetaBlic, transmeton gazeta Koha. Megjithatë, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka pranuar disa lajme aspak të mira para këtyre dy ballafaqimeve.
Raportohet që Valon Berisha, për shkak të një lëndimi, nuk do të grumbullohet me Përfaqësuesen e Kosovës – pavarësisht se Berisha ishte ftuar nga Challandes për ndeshjet e muajit mars. Thuhet që stafi i Lazios, ka insistuar që Berisha të qëndrojë në Romë, në mënyrë që të rikuperohet sa më shpejtë nga lëndimi. Ndërsa, mesfushori i Kosovës, Hekuran Kryeziu ka pësuar një lëndim në ndeshjen e fundjavës në kampionatin zviceran dhe është në dyshim për të luajtur në këtë sfida.