Futja si pykë e Mini-Shengenit, që favorizon korridorin 10 dhe penetrimin rus në Adriatik, në planin afatgjatë mund të jetë pasoja më e rrezikshme për një shtrirje të butë, gjoja nën petkun e qarkullimit të lirë, të ndikimeve që janë jashtë kontrollit të BE-së dhe Amerikës.
Nga Emin AZEMI
Personazhi më i përfolur i politikës mbarëkombëtare, këtyre ditëve, rezulton të jetë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Është hera e parë që në Kosovë është arritur një konsensus gati plebishitar rreth figurës së keqe të tij, dhe mbetet të shohim sa kjo do të reflektohet edhe në disponimin e votuesve në Shqipëri. Ende nuk e dimë a do ta penalizojnë votuesit shqiptarë Edi Ramën, për gafat që po bën me Kosovën. Por një është e sigurt – ai i ka ngritur në ajër të gjitha urat e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me elitën politike të Kosovës.
Edhe në të kaluarën, politikanët e Tiranës, kush më shumë e kush më pak, kanë bërë gabime ndaj Kosovës. Por kësaj radhe Edi Rama iu vuri kapak të gjitha idiotizmave edhe të pararendësve të tij, duke u shpërfaqur madje politikani më budalla që ka pasur deri më tani politika shqiptare.
Injorimi që po i bën ai Kosovës, duke e zëvendësuar atë me Serbinë, sigurisht që nuk do të kalojë pa kosto në karrierën e tij politike, sepse edhe në Shqipëri, sipas anketave të fundit, ekziston një masë kritike që kredibilitetin e politikës e mat edhe mbi qëndrimet që kanë politikanët ndaj çështjes së Kosovës.
Ai mund t’i shpallë injorantë kolegët e tij në Prishtinë, mirëpo Edi Rama ka harruar se politikanët e Kosovës karrierën tyre e ndërtuan duke u sprovuar në kohë lufte e paqeje dhe qëndrimi i tyre ndaj Serbisë është parimor, dhe s’ka si të jetë ndryshe. Ramës mund të mos i pëlqejë ky qëndrim, por ai nuk mundet të imponojë inferioritetin e tij si parim.
Mini-Shengeni që po hedh themele pikërisht mbi mospajtimet e brendshme shqiptare, do t’i bëjë të lumtur vetëm ata politikanë në Beograd që e mohojnë masakrën e Reçakut. Serbia me politikën aktuale që ka asnjëherë nuk do ta njoh realitetin e ri në Ballkan, ku Kosova prej 11 vitesh është shtet i pavarur. Elita politike e Prishtinës e refuzoi Mini-Shengenin, kurse Edi Rama duke refuzuar kategorikisht të analizojë shkaqet e këtij refuzimi, në fakt doli të jetë kumbarë i politikave agresive serbe ndaj Kosovës.
Elita politike e Prishtinës, më mirë se Edi Rama, e njohin gjesostrategjinë dhe ata nuk punojnë në rrënimin e projekteve amerikane, siç është, bie, fjala korridori 8, por edhe siguria rajonale dhe kolektive përmes partneritetit me NATO-n. Futja si pykë e Mini-Shengenit, që favorizon korridorin 10 dhe penetrimin rus në Adriatik, në planin afatgjatë mund të jetë pasoja më e rrezikshme për një shtrirje të butë, gjoja nën petkun e qarkullimit të lirë, të ndikimeve që janë jashtë kontrollit të BE-së dhe Amerikës.
Një politikan si Vuçiqi që mohon Reçakun, është një kriminel në tentativë dhe çdo kund në botën e civilizuar të tillët i privojnë nga liria, sepse mund ta përsërisin krimin. Vetëm në Tiranë këtë kriminel në tentativë, Edi Rama e pret si hero të demokracisë ballkanike. I bie që tash e tutje edhe Edi Rama i mohon të gjitha krimet serbe në Kosovë, sepse ai mendon se mospjesëmarrja e politikanëve të Prishtinës në tryezën e tij të Mini – Shengenit, është vetëm çështje politike.
Jo, zoti Rama. Kjo mbi të gjitha është çështje etike, morale dhe nëse doni edhe patriotike. Politikanët e Prishtinës janë takuar me Vuçiqin në metropole të ndryshme të botës, por karakteri i atyre takimeve ka qenë i një natyre tjetër. Kosova përmes përfaqësuesve të saj legjitim, me ndërmjetësim të Brukselit dhe monitorim të Uashingtonit, është munduar të bindë Vuçiqin dhe viqat para tij, se pas intervenimit të NATO-s dhe pas përzënies së cubave dhunues të Millosheviqit, është një fqinjë i ri i Serbisë dhe mbi bazën e këtyre përpjekjeve janë bërë edhe disa marrëveshje, të cilat Beogradi asnjëherë nuk i zbatoi.
A e di Ramua se cilat janë ato marrëveshje dhe a i ka interesuar ndonjë herë se pse ato nuk po zbatohen?
Pse Ramua asnjëherë nuk kërkoi nga pobratimi i tij – Vuçiqi, që marrëveshjet me Prishtinën të zbatohen, Kosova të hiqet nga Kushtetuta e Serbisë dhe tek pastaj të mendohet për ndonjë Mini-Shengen që do t’i bënte të gjithë të lumtur?
Pse ai po do të tregohet më i sjellshëm me serbët, në kohën kur krerët e Beogradit nuk treguan as gatishmërinë minimale që për hir të pobratimit të tyre Ramës të lëshojnë pe një çikë në çështjen e Kosovës?
Çka është ky ahmak që bëhet sikur nuk po e kupton kosovarishten e Ramushit, Hashimit e Albinit dhe shpejton të fabrikojë në fytyrën e tij një një buzëqeshje poltroni para statujës së dalë nga bodrumet politike të Beogradit, siç është ajo e Vuçiqit.
“Ne e kuptojmë pozicionin e Vuçiçit. Ai do ta izolojë Kosovën. Ajo që nuk është e kuptueshme është pozicioni i Edi Ramës. Pse po e bën ai këtë? Dhe pse po e tolerojnë strukturat politike në Shqipëri një gjë të tillë?”, tha Edvard Xhozefi, ish anëtari i Grupit ndërkombëtar të krizës.
Një amerikan me ndikim kur e bën këtë pyetje, atëherë ku duhet ta kërkojmë përgjigjen e këtij problemi të quajtur Edi Rama. Apo kjo përgjigje duhet kërkuar pak më thellë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, e mbushur me plot kompleks inferioriteti ndaj Beogradit si metropol dhe ndaj serbëve si njerëz të patejkalueshëm me aftësi të mbinatyrshme.
Ngutia për të formuar sa më shpejt Mini-Shengenin i ngjan vetëm zorit kur ka njeriu për të shkuar në tualet, sepse mund të bëhet helaq nëse nuk shpejton. Çfarë zori ka Edi Rama që po i ngutet gjithë politikën e tij ta përfundoj në një tualet të madh të historisë?!
Sepse, pas krejt kësaj budallakie që po e bën Rama, atij nuk i ka mbetur gjë tjetër pos edhe të tërheqë njohjen e Republikës së Kosovës. (koha.mk)