Nga Qerim LITA
Pas reagimeve të shoqërisë civili shqiptare në Shkup si dhe të grupit parlamentar të PPD-PDP-së, lidhur me diskriminimin e skajshëm të shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe, Qeveria e Maqedonisë, me 17 tetor 1991, solli një konkluzion, i cili siç do të shihet më poshtë, shumë u përngjante konkluzioneve të mirënjohura të organeve të dikurshme të KQ të PKM-së dhe të Ministrisë së Arsimit të RS të Maqedonisë që udhëhiqej nga albanofobi i njohur, Savo Klimovski, përmes së cilave gjatë viteve tetëdhjeta, siç dihet u mbyllën thuajse të gjitha paralelet me mësim në gjuhën shqipe e në vend të tyre u hapën të ashtuquajtura “paralele të përziera” ku mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Kjo qartazi shihet në pjesën ku thuhet se “atje ku nuk ekziston kuadër mësimor për ligjërim në gjuhën shqipe, mësimi të zhvillohet me kuadrin ekzistues në gjuhën maqedonase”.
Përveç kësaj, Qeveria, konstatonte se puna e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe të cilat asaj kohe ishin hapur me vetëiniciativë të disa profesorëve dhe prindërve shqiptar “nuk është në pajtueshmëri me sistemin arsimor dhe të rregullave ligjore në republikë, për çka është e nevojshme, të pamundësohet urgjentisht puna e tyre”. Për realizimin e këtij konkluzioni, Qeveria e Maqedonisë formoi një grup pune prej tre anëtarëve, në të cilin nuk qe përfshi asnjë shqiptar. Ky grup i cili udhëhiqej nga antishqiptari i përbetuar, Bllazhe Ristovski, më 29 tetor 1991, Ministrisë së Arsimit i dorëzoi Projektin për formimin e paraleleve shqipe në shkollat e mesme në atë republikë. I njëjti parashihte hapjen e 7 paraleleve edhe atë dy në Shkup dhe nga një paralele në qytetet e Kumanovës, Kërçovës, Gostivarit e Strugës, me gjithsej 245 nxënës. Ashtu siç theksohej në konkluzionin e Qeverisë, Grupi i punës, për këto paralele kishte paraparë gjithsej 16 profesorë, edhe atë nga tre për qytetet Shkup, Kumanovë, Kërçovë e Strugë dhe katër për Gostivar, ndërsa ndalonte rreptësishtë punësime të reja të kuadrit shqiptar. Në vazhdim po e shpalosim në tërësi Konkluzionin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe “Projektin për formimin e paraleleve të mesme me mësim në gjuhën shqipe”. Dokumentet gjenden në Arkivin e Maqedonisë, fondi 159, të cilat botohen për herë të parë.
* * *
Dok. 1.
“KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, SHKUP
Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur më 17 tetor 1991, e shqyrtoi situatën aktuale në arsimin e mesëm, kërkesën e Grupit parlamentar të PPD-PDP-së për situatën dhe problemet në arsimin e mesëm në gjuhën shqipe dhe letrën e Shoqatës së arsimtarëve të gjuhës e letërsisë shqipe të qytetit të Shkupit në lidhje me hapjen e serishme të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe dhe regjistrimin e nxënësve shqiptarë në shkollat e mesme në Shkup dhe në lidhje me këtë në pajtim me dispozitat kushtetuese e ligjore ekzistuese, ndërsa duke e pas parasysh proceset demokratike dhe situatën e krijuar në marrëdhëniet ndërnacionale në Republikë vlerësoi se në shkollat e mesme në ato qytete ku ekzistojnë mundësi kadrovike e hapësinore, pa emërtime të reja, duhet të bëhen përpjekje për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Atje ku nuk ekziston kuadër arsimor për ligjërim në gjuhën shqipe, mësimi të zhvillohet me kuadrin ekzistues në gjuhën maqedonase. Për realizimin, Qeveria ka formuar Grup punues i përbërë nga nënkryetari i qeverisë akad. Dr. Bllazhe Ristovski, anëtari i qeverisë dhe ministri i Shkencës akad. Dr. Gjorgji Efremov dhe Nase Toshevski, nënsekretar i Ministrisë për Arsim dhe Kulturë Fizike. Në lidhje me dukurinë e hapjes së paraleleve të “egra” në shkollat e mesme, të cilat punojnë me plan-programet mësimore dhe me kuadër arsimor jashtë Republikës, qeveria konsideron se puna e tyre nuk është në pajtueshmëri me sistemin arsimor dhe të rregullave ligjore në republikë, për çka është e nevojshme, të pamundësohet urgjentisht puna e tyre.
Kryetari i Qeverisë
Dr. Nikolla Klusev”
Dok. 2
“MINISTRIT TË ARSIMIT DHE KULTURËS FIZIKE, SHKUP
Në përputhje e Konkluzionin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë nga mbledhja e dyzet e dytë, të mbajtur më 17 tetor 1991 sipas së cilit u themelua grup pune i përbërë nga nënkryetari e qeverisë akademik Dr. Bllazhe Ristovski, anëtari i Qeverisë dhe ministër për Shkencë akademik Gjorgji Efremov dhe Nase Toshevski, nënsekretar në Ministrinë për Arsim dhe Kulturë Fizike, e shqyrtoi mundësinë për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në suazat e mundësive materiale, hapësinore e kadrovike ekzistuese pa emërtime të reja të kuadrit arsimor dhe i dorëzon këtë:
PROPOZIM për formimin e 7 paraleleve për nxënësit e kombësisë shqiptare në vitin shkollor 1991/92:
KOMUNA E KUMANOVËS 1 paralele me nxënës dhe profesorë ekzistues të kombësisë shqiptare;
KOMUNA E KËRÇOVËS 1 paralele me 35 nxënës dhe 3 profesorë ekzistues të kombësisë shqiptare;
KOMUNA E GOSTIVARIT 1 paralel me 35 nxënës dhe 4 profesorë ekzistues të kombësisë shqiptare;
KOMUNA E STRUGËS 1 paralele me 35 nxënës dhe 3 profesorë ekzistues të kombësisë shqiptare; si dhe
QYTETI I SHKUPIT me 2 paralele, 70 nxënës dhe 3 profesorë ekzistues të kombësisë shqiptare.
Paralelet në qendrat shkollore të radhitura të formohen në kuadër të nxënësve shqiptarë të cilët kanë dorëzuar dokumentacion të plotë. Në qendrat shkollore ekzistuese, nëse ekziston kuadër përkatës nga kombësia shqiptare, mësimi të zhvillohet në gjuhën mësimore shqipe. Atje ku nuk ekziston kuadër arsimor për mësim në gjuhën shqipe, mësimi të zhvillohet me kuadrin ekzistues në gjuhën maqedonase. Të mos kryhen punësime të reja.
Ministri i Arsimit dhe Kulturës Fizike është i obliguar ta realizoj Propozimin e grupit punues me dhënie të vendimeve për secilën shkollë Organizimi i paraleleve të jetë në qendrat shkollore ekzistuese.
GRUPI PUNUES
- Akademik Dr. Bllazhe Ristovski, nënkryetar i Qeverisë
- Akademik Dr. Georgi Efremov, anëtar i Qeverisë dhe Ministër i Shkencës
- Nase Toshevski, nënsekretar në Ministrinë për Arsim dhe Kulturë Fizike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.