Dokumenti prej 11 faqesh, është i ndarë në dy pjesë kryesore. Pjesa e parë në mënyrë kronologjike i përshkruan demonstratat e organizuara në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës, duke filluar nga ato të 11 marsit e deri më 2 prill të vitit 1981. Pjesa e dytë e dokumentit, ndalet në masat represive të ndërmarra më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 në Prishtinë dhe disa qytete tjera të Kosovës, nga ana forcave të sigurimit, përkatësisht të milicisë së KSA të Kosovës si dhe të milicisë federative dhe të gjashtë republikave dhe të KSA të Vojvodinës, të cilat forca u instaluan në Kosovë, pasi Kryesiae RSFJ-së, me propozim të Këshillit Ekzekutiv Federativ, në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 1981 në Beograd, vendosi të shpall gjendje krize në mbarë territorin e Kosovës, ndërsa në terrorin e qytetit të Prishtinës, gjendjen e jashtëzakonshme
Nga Qerim LITA
Në vazhdën e botimeve të dokumenteve jugosllave, përkatësisht sllovene, kushtuar demonstratave studentore të vitit 1981 në Kosovë, në këtë numër të gazetës KOHA – Shkup, po e shpalosim dokumentin që asaj kohe konsiderohej si “Fshehtësi shtetërore” me titull: “Informatë për situatën politike e të sigurisë në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, në lidhje me aksionet armiqësore në Prishtinë dhe në disa komuna tjera dhe për masat e ndërmarra”, të hartuar nga Qeveria, përkatësisht Këshilli Ekzekutiv i RSFJ-së. Informatë në fjalë është përgatitur për deputetët e Kuvendit të RSFJ-së në Beograd, ndërsa me urdhër të kryetarit të Kryesisë së KQ të LKJ-së, Llazar Mojsov, nga një kopje u ishte shpërnda edhe anëtarëve të Kryesisë së KQ LKJ-së. Dokumenti prej 11 faqesh, është i ndarë në dy pjesë kryesore. Pjesa e parë në mënyrë kronologjike i përshkruan demonstratat e organizuara në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës, duke filluar nga ato të 11 marsit e deri më 2 prill të vitit 1981. Pjesa e dytë e dokumentit, ndalet në masat represive të ndërmarra më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 në Prishtinë dhe disa qytete tjera të Kosovës, nga ana forcave të sigurimit, përkatësisht të milicisë së KSA të Kosovës si dhe të milicisë federative dhe të gjashtë republikave dhe të KSA të Vojvodinës, të cilat forca u instaluan në Kosovë, pasi Kryesiae RSFJ-së, me propozim të Këshillit Ekzekutiv Federativ, në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 1981 në Beograd, vendosi të shpall gjendje krize në mbarë territorin e Kosovës, ndërsa në terrorin e qytetit të Prishtinës, gjendjen e jashtëzakonshme. Këto forca, edhe pse në aspektin formalo-juridik, ishin nën mbikëqyrje dhe kompetencë të kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës, Xhavit Nimanit, ato në mbrëmjen midis datës 2 dhe 3 prill, ndërmorën masa represive kundër demonstruesve shqiptarë, me ç’rastë vranë 6 demonstrues dhe plagosën 101 demonstrues tjerë. Dokumenti i cili gjendet në Arkivin e Sllovenisë – Lubjanë, fondi KQ i LK të Sllovenisë (1589), botohet i plotë dhe për herë të parë.
* * *
“KRYESIA E KOMITETIT QENDROR TË LKJ-së
05 Nr. Rezervat 3/29
6 prill 1981, Beograd
FESHETËSI SHTETËRORE – ANËTARËVE TË KRYESISË SË KQ të LKJ-së
Me urdhër të kryetarit të Kryesisë së KQ LKJ-së, po Ua dërgoj Informatën e KEF (Këshillit Ekzekutiv Federativ – Q.L.) për situatën politike e të sigurisë në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, lidhur me aksionet armiqësore në Prishtinë dhe në disa komuna tjera dhe për masat e ndërmarra. Informata është pranuar për deputetët e Kuvendit të RSFJ-së.
SHEF I KABINETIT, Sllavko Toshiq
KËSHILLI EKZEKUTIV FEDERATIV
FESHEHTËSI SHTETËRORE
3 prill, viti 1981
INFORMATË për situatën politike e të sigurisë në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, në lidhje me aksionet armiqësore në Prishtinë dhe në disa komuna tjera dhe për masat e ndërmarra.
Në marrëveshje me kryetarin e Kuvendit të RSFJ-së, Këshilli Ekzkutiv Federativ për deputetët ka hartuar një Informatë për ngjarjet në KSA të Kosovës dhe për masat që janë ndërmarrë me qëllim të tejkalimit të situatës së krizës së krijuar.
Kryetari i Këshillit Ekzekutiv Federativ, Dragolub Stavrev, më 3 prill k.v. në mbledhjen e mbyllur të Këshillit Ekzekutiv Federativ të Kuvendit të RSFJ-së për politikë të brendshme, e paraqiti një informatë të zgjeruar për situatën politike e të sigurisë në KSA të Kosovës në lidhje me demonstratat armiqësore në Prishtinë dhe në disa komuna tjera. Në atë mbledhje, përveç anëtarëve të Këshillit, kanë marrë pjesë edhe: kryetarët dhe nënkryetarët e të dy dhomave të Kuvendit të RSFJ-së, delegacioni udhëheqës të këshillave Ekzekutive republikane e krahinore pranë Kuvendit të RSFJ-së dhe disa delegat të Këshillit Federativ dhe të këshillave republikane e krahinore pranë Kuvendit të RSFJ-së.
Duke e pas parasysh vlerësimin politik tash më të publikuar dhe kualifikimin e përfshirë në deklaratën e kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës, Xhavit Nimani, në komunikatat e mbledhjeve të përbashkëta të Kryesisë së KQ LK të Serbisë dhe Kryesisë së RS të Serbisë, Këshillit Ekzekutiv Federativ nga data 2 prill të këtij viti, Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së, për fjalimin e anëtarit të Kryesisë së RSFJ-së, Fadil Hoxhës, para aktivit politik të Prishtinës dhe për komunikatën nga mbledhja e këshillit të përmendur të Kuvendit të RSFJ-së, si dhe Informatën e Kryesisë së KQ LKJ-së për aktivitetet armiqësore në KSA të Kosovës e cila u është dërguar të gjitha organizatave bazë të LK-së, këtu ofrohet vetëm një pasqyrë themelore të ngjarjeve dhe karakteristikave më me rëndësi të situatës mbi bazën e të dhënave dhe njohurive që i posedojmë deri më datë 3 prill k.v. dhe i vë në dukje masat të cilat ende janë duke u marrë.
Gjatë muajit mars (11, 25, 26, 30 dhe 31) dhe prill (1-3) në më shumë vende të KSA të Kosovës (Prishtinë, Prizren, Podujevë, Vushtrri, Viti, Lipjan, Pejë, Gjakovë, Gllogoc, Ferizaj dhe Mitrovicë të Kosovës) erdhi deri te demonstratat armiqësore dhe te çrregullimi me përmasa më të gjëra. Pjesëmarrës në fillim ishin grup studentësh dhe nxënësish të shkollave të mesme, mirëpo gjatë 1 dhe 2 prillit u janë bashkangjitur një numër i punëtorëve dhe qytetarëve. Organizatorët e demonstratave fillimisht u përpoqën t’i fshehin qëllimet e tyre të vërteta, duke i shtruar në plan të parë kërkesat për kushte më të mira të studentëve, standardin studentor etj.
Çrregullimet e para shpërthyen më 11 mars k.v. në Prishtinë. Si shkas është shfrytëzuar shërbimi joefikas në menxën studentore dhe kualiteti i dobët i ushqimit. Përkundër përpjekjeve që përmes veprimit politik të sigurohet vendosja e rendit dhe të shkohet në diskutim konstruktiv për probleme të caktuara, grupi armiqësor i studentëve vazhdoi me provokimin dhe nxitjen e mëtutjeshme të çrregullimit e të demonstratave. U përpoqën, që përmes parullave demagogjike, social-ekonomike dhe me parulla tjera politike me përmbajtje jashtëzakonisht nacionaliste e irredentiste, por edhe përmes mashtrimeve, kërcënimeve dhe kushtëzimeve të drejtpërdrejta të sigurojnë për veta mbështetje sa më të gjërë të masave qytetare. Më vonë, me intervenimin e organeve të sigurimit, grupi i studentëve u shpërnda.
Në periudhën nga 11 e deri më 25 mars k.v. nuk pati çrregullime më të mëdha, mirëpo veprimtaria armiqësore është intensifikuar përmes shkrimeve të parullave nacionaliste e irredentiste dhe shpërndarjes së afisheve me përmbajtje armiqësore, zgjerimit të dezinformatave për “vuajtjet” e studentëve etj. Më 25 mars k.v. erdhi deri te nxitja e çrregullimit të rendit nga ana e një grupi më të vogël të nxënësve të shkollave të mesme e të studentëve në Prizren, ndërsa është vërejt edhe dukuria e pamfleteve dhe parullave armiqësore. Falë intervenimit të qytetarëve, aktivistëve dhe organeve të sigurimit, ky grup së shpejti u detyrua të shpërndahet. Gjatë shpërndarjes, individ të caktuar kanë thyer xhamat e dyqaneve e të veturave.
Më 26 mars të k.v. në Prishtinë sërish shpërthyen çrregullime dhe demonstrata të reja. Morën pjesë disa qindra studentë. Sjellja e studentëve ishte agresive, brohoritnin edhe parulla armiqësore dhe mbanin transparente me këto përmbajtje: “Rroftë marksizëm-leninizmi – poshtë revizionizmi”, “Bashkim”, “Trepça punon për të tjerët”, “Rroftë klasa punëtore”, “Kërkojmë kushte më të mira”, “Duam Republikë”, “Rroftë Shqipëria Etnike”, “Rroftë populli shqiptar vëlla”, “Jemi shqiptarë, e jo jugosllav”, “Kosova është e jona”, “Kosova e shqiptarëve”, “Bashkimi i viseve shqiptare”, “Të dënuarit politik të kthehen në Kosovë”, “I kërkojmë shokët e burgosur”, “Sot me këngë – nesër do rezistojmë me pushkë” etj. Numër më i madh i studentëve u përpoq të depërtoj kah qendra e qytetit, me qëllim të pamundësoj manifestimin me rastin e pritjes së stafetës së rinisë, mirëpo qe penguar. Grupi nuk pranoi të tërhiqet, e as që pranoi të bisedoj në Universitet. Përkundrazi, u vërsul me gurë dhe me mjete tjera kundër organeve të sigurimit, duke u përpjek ta thyej bllokadën. Një student shtyu me armë zjarri dhe me atë rast u plagos rëndë një pjesëtar i organeve të sigurimit.
Në mbledhjen e Komitetit të MPP dhe VMP-së (mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore -Q.L.) së Krahinës dhe qytetit të Prishtinës është vlerësuar se janë shterur të gjitha mundësitë për qetësimin e situatës, prandaj është vendos që ky grup i demonstruesve armiqësor të shpërndahet përmes zbatimit të masave të detyrueshme nga organet e Punëve të Brendshme. Policisë iu mundësua të intervenoj edhe me mjete kimike (gaz lotsjellës), që edhe u zbatua. Në kuadër të aksionit të përgjithshëm organet e sigurimit arrestuan numër më të madh të pjesëmarrësve, kanë kryer identifikimin e tyre, ndërsa në paraburgim i kanë mbajtur më ekstremët. Çrregullimeve të reja (në Obiliq, Vushtrri, Podujevë) nga 3o dhe 31 marsi 1981 u parapriu shkrimi i parullave armiqësore në territorin e Prishtinës.
Në territorin e Preshevës, në mbrëmjen midis 31 marsit dhe 1 prillit 1981, janë gjetur afishe me përmbajtje nacionaliste e irredentiste, të orientuar kundër integritetit të RSFJ-së, të cilat në realitet paraqesin shpallje dhe programin për aksionin e mëtutjeshëm armiqësor kundërrevolucionar. Më 1 prill k.v. në Prishtinë erdhi deri te demonstratat më të zgjeruara. Morën pjesë disa mira studentë, nxënës të shkollave të mesme, rini dhe fëmijë, të cilëve iu bashkangjit edhe një pjesë e punëtorëve.
Demonstruesit filluan të kryenin presion ndaj pjesëtarëve të milicisë dhe u gjuanin me gurë. Bënë përpjekje të kryenin sulme te Këshilli Ekzekutiv dhe iu afruan hyrjes së ndërtesës, mirëpo organet e sigurimit arritën t’i ndalojnë. Situatë e ngjashme ishte edhe para Komitetit Krahinor të LK-së. Gjatë kohës së demonstratave janë brohoritë parullat tash më të theksuara, me atë që me këtë rast u dëgjua edhe parulla “rroftë Adem Demaçi” (irredentisti i njohur i cili tash gjendet në vuajtjen e dënimit), ndërsa para Komitetit Krahinor në mur kanë shkruar “rroftë Adem Demaçi”, “Duam Republikë”, “Kosova Republikë”, “Të lirohen shokët”. Atëherë u dëgjuan edhe parulla të cilat ofendonin personalitetin e shokut Tito. Demonstruesit kanë thyer vitrinat e dyqaneve, kioskat etj., si dhe xhamat e autobusëve e të automobilave tjerë. Në këto konflikte të organeve të sigurimit dhe demonstruesëve janë lënduar rreth 20 persona, prej të cilëve dy rëndë, por nuk janë në rrezik jete. Janë lënduar edhe 10 demonstrues.
Përkundër masave politike e të tjera që u ndërmorën në orët e hershme të 2 prillit k.v. në Prishtinë kanë vazhduar çrregullimet. Krahas brohoritjes së parullave me përmbajtje nacionaliste e irredentiste, grupet e demonstruesve në pjesë të ndryshme të qytetit demoluan dhe dogjën disa objekte (makinerinë nëpër objektet ekonomike, objektin e stacionit hekurudhor, trenin, automobila, shtëpi, vitrina etj.). Në pjesë të ndryshme të qytetit u dëgjuan edhe të shtyra me armë zjarri. U bë përpjekje që demonstruesve në Prishtinë t’u bashkangjiten edhe disa persona nga vendbanimet përreth.
Ishte mase e dukshme se elementet armiqësore patën për qëllim marrjen e ndonjë objekti më vital shoqëror në Prishtinë e në vende tjera. Në Prishtinë, në numër më të madh e patën rrethuar Kuvendin e KSA të Kosovës, i bllokuan disa dalje të qytetit dhe për një kohë të caktuar edhe radio-stacionin dhe u përpoqën të cenojnë edhe objekte tjera me rëndësi. Megjithëse në orët e para ditës të datës 3 prill k.v. mbretëronte qetësi relative në mbarë territorin e KSA të Kosovës, nga të dhënat që i posedojmë, më vonë, gjatë ditës qenë regjistruar çrregullime të karakterit të njëjtë të nxitura nga veprimtaritë armiqësore në disa qytete (Mitrovicë të Kosovës, Vushtrri, Ferizaj), si dhe përpjekje për demonstrata nga grup nxënësish në Pejë, Gjakovë, Viti etj.
Me rastin e aksionit kundërrrevolucionar të armikut në Kosovë, emigracioni armiqësor me prejardhje shqiptare organizoi demonstrata në Nju Jork, ndërsa janë paralajmëruar edhe të tjera. Në ato qarqe të emigracionit zgjerohen zëra të ndryshëm rreth ngjarjeve në KSA të Kosovës, si dhe për masat e ndihmës dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të emigracionit në aksionet armiqësore në vend. Marrë në përgjithësi, situata në Prishtinë ka shkuar në drejtim të eskalimit të situatës së krizës në mbarë territorin e KSA të Kosovës, me përpjekjet e njëkohësishme të elementit armiqësor që situata të zgjerohet në sa më shumë struktura shoqërore, për të përfituar sa më shumë përkrahës nga radhët e klasës punëtore e të qytetarëve, kundër sistemit shoqëror-politik të vendit, vëllazërim bashkimit të kombeve e kombësive jugosllave dhe integritetit të RSFJ-së. Në periudhën e më vonshme, në disa vende të caktuara armiku arriti deri diku të përfitoj pjesëmarrjen e një numri të caktuar të punëtorëve të mashtruar e të qytetarëve tjerë të kombësisë shqiptare, duke e keqpërdor edhe pjesëmarrjen e fëmijëve në disa aksione të tyre.
Këto forca kundërrevolucionare në mënyrë të hapur kanë ftuar për përmbysjen e unitetit shtetëror dhe të integritetit territorial dhe për rrënimin e rregullimit shoqëror të RSFJ-së. Në përputhje me qëllimet e tilla kundërrevolucionare, në mënyrë direkte është ofenduar kujtesa e shokut Tito, personazhi dhe vepra e tij, përkatësisht tërë ajo që është arritur në ndërtimin socialistë nën udhëheqjen e Lidhjes komuniste në krye me shokun Tito. Zhvillimi i situatave të krizave na bënë me dije për një organizim perfekt e të paramenduar të veprimtarisë armiqësore. Paralelisht me presionin psikologjik-propagandistik, elementet armiqësore kanë ndërmarrë edhe sulme të hapura armiqësore ndaj organeve të pushtetit, organeve të Lidhjes komuniste, pasurisë shoqërore, madje edhe ndaj forcave të armatosura të RSFJ-së, përfshi edhe disa njësi të APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë- Q.L.).
- Duke u nisur nga vlerësimi i këtyre ngjarjeve, për shkak mbrojtjes së rregullit shoqëror të paraparë me Kushtetutën e RSFJ-së, mbi bazën e konkluzioneve dhe qëndrimeve të Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së nga 1 prilli k.v., Këshilli Ekzekutiv Federativ më 1 dhe 2 prill k.v. mbajti mbledhje të jashtëzakonshme në të cilat, duke e vlerësuar situatën, vendosi që, në përputhje me përgjegjësitë dhe autorizimet e veta kushtetuese, e sheh si të domosdoshme që Kryesisë së RSFJ-së t’i propozoj ndërmarrjen e masave përkatëse të gatishmërisë në përputhje me planet e mbrojtjes.
Në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së, të mbajtur më 2 prill k.v., është shqyrtuar situata dhe është sjell Vendimi për shpalljen e situatës së krizës në territorin e KSA të Kosovës dhe zbatimin e planeve për tejkalimin e situatës së krizës. Në mbledhjen e njëjtë, janë shqyrtuar dhe janë miratuar propozimet e Këshillit Ekzekutiv Federativ. Kryesia e RSFJ-së, në mbështetje të nenit 313 dhe 316 të Kushtetutës së RSFJ-së, nenit 111 të Ligjit për Mbrojtjen Popullore dhe nenit 23 të Rregullores së vet, solli Vendim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës dhe Vendimin për vendosjen e masave të gatishmërisë. Mbi bazën e kësaj, Këshilli Ekzekutiv Federativ ndërmori masa nga kompetencat e veta të cilat i zbatojnë organet kompetente të administratës federative. Në suazat e masave të ndërmarra, me kërkesë të udhëheqjes krahinore, organeve të punëve të brendshme të KSA të Kosovës u janë dërguar përforcime nga efektivi i federatës dhe nga të gjitha republikat socialiste dhe KSA të Vojvodinës, të cilët veprojnë me urdhër të kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës (Xhavit Nimani-Q.L.). Forcat e angazhuara detyrat e veta për përmbysjen e aktiviteteve armiqësore i kryejnë me vendosmëri, përgjegjësi dhe disiplinë.
Sjellja jashtëzakonisht agresive të grupeve armiqësore e të individëve, sulmet e tyre të hapura ndaj organeve të sigurimit nxitën konflikte të shumta. Gjatë asaj organet e sigurimit, në përputhje me udhëzimet e dhëna, në asnjë rast nuk kanë përdor armë zjarri, madje as edhe në situatë kur elementet armiqësore nuk kursenin të përdorin armë të ftohta e të zjarrit. Në rrethana të tilla nuk pati mundësi të shmangen rastet e lëndimeve fizike të numrit të caktuar të personave nga të dy anët. Sipas të dhënave që i disponojmë të cilat nuk janë përfundimtare, nga ana e demonstruesve ka 6 të vdekur dhe 101 të plagosur, prej të cilëve 6 në gjendje të rëndë, ndërsa nga ana e organeve të sigurimit janë lënduar 6 persona, ndërsa tre janë plagosur rëndë me armë zjarri dhe gjenden në rrezik jete. Të gjitha rastet e regjistruara deri më tash të personave të plagosur e të lënduar janë si pasoj e veprimtarisë së paramenduar të elementeve armiqësore, të cilët janë përpjekur që përmes derdhjes së gjakut të ndikojnë në eskalimin e mëtutjeshëm të situatës së krizës. Mirëpo, të ballafaquar me jehonën e veprimtarisë së organizuar armiqësore e cila në disa momente dhe në disa vende arriti të përfshij një numër të punëtorëve e të qytetarëve, ishte e domosdoshme të ndërmerren edhe masa tjera të cilat do të mundnin të përforcojnë pozitën masteriale e politike edhe me angazhimin e të gjitha forcave të parapara për programin dhe politikën e Lidhjes komuniste dhe vetëqeverisjeve socialiste.
Ndodhitë e fundit në Prishtinë dhe në disa qytete tjera në KSA të Kosovës, nuk janë shprehje reale e disponimit të klasës punëtore e të qytetarëve në Kosovë, të cilët në shumicën dërmuese ashpër i dënojnë ato ngjarje duke i kuptuar prapavijat e tyre armiqësore me të cilat interesat dhe përcaktimet e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët. Duke u nisur nga ato vlerësime, të gjitha organet kompetente të Krahinës, Republikës Socialiste të Serbisë e të Federatës, në suazat e përgjegjësive dhe autorizimeve të tyre të përcaktuara me kushtetutë e me ligje, kanë ndërmarrë masa përkatëse për frenimin e aksioneve armiqësore dhe ngushtimin maksimal të hapësirës së tyre të veprimit. Në atë kuptim janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e objekteve me rëndësi vitale për funksionimin e jetës ekonomike, shoqërore e politike dhe të mbrojtjes së vendit.
Tërë ajo ka për qëllim të frikësoj, deinkurajoj dhe pamundësoj veprimin e mëtutjeshëm armiqësor, të pamundësoj zhvillimin dhe intensifikimin e mëtutjeshëm të aksioneve armiqësore kundërrevolucionare dhe në atë mënyrë të pamundësohen qëllimet e armikut të jashtëm e të brendshëm që të arrij të gjakderdhjen masive, si dhe të krijohen të gjitha kushtet për eliminimin e e situatës së krizës së krijuar në territorin e KSA të Kosovës. Të gjitha përfaqësitë tona diplomatike-konsullore janë njoftuar urgjentisht për esencën e ngjarjeve dhe për karakterin e tyre, si dhe për masat të cilat janë ndërmarrë.
Nisur nga ajo se pas ngjarjeve në territorin e KSA të Kosovës qëndron aksioni armiqësor kundërrevolucionar mirë i organizuar që është rrjedhojë e mprehjes së armikut të jashtëm e të brendshëm, mund të priten edhe përpjekje tjera të aksioneve armiqësore gjatë ditëve në vijim, veçmas duke e pas parasysh mundësinë se si shkas për aksione armiqësore në linjën e qëllimeve të proklamuara të forcave armiqësore kundërrevolucionare shfrytëzohen shënimi i datave e simboleve të caktuara. Për këtë arsye, duhet vazhduar në mënyrë energjike me realizimin e masave të organeve kompetente të KSA të Kosovës, RS të Serbisë dhe të Federatës deri sa situata këtë e kërkon, njëkohësisht me përforcimin e vigjilencës dhe marrjes së masave të mëtutjeshme në sistemin e mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore. Këshilli Ekzekutiv Federativ, në përputhje me përgjegjësitë dhe autorizimet e veta kushtetuese e ligjore, sipas nevojës do të propozoj dhe do të ndërmerr edhe masa tjera të domosdoshme dhe për ato do ta njoftoj rregullisht Kuvendin e RSFJ-së”. (koha.mk)