Shkup, 31 tetor – Të martën është Dita botërore e kursimit. Jo secili është në gjendje të kursejë para. Kjo nuk ka të bëjë me mungesën e dëshirës, por me të ardhurat e ulëta. Përqindja e buxheteve familjare me një të ardhur neto mujore nën mesataren apo 22.912 denarë nuk është në gjendje askush të kursejë për pleqërinë, sepse në fund të muajit – u mungojnë paratë, shkruan gazeta KOHA. “Mbasi sot është Dita e Kursimit, ku ngritja e vetëdijes për vlefshmërinë e vlerave financiare është e rëndësishme për planifikimin jetësor, personalisht unë nuk kam një kulturë të kursimit sidomos tek të ardhurat e mija, sepse absolutisht këtë e shoh si një mangësi, sepse kursimi stimulon organizimin, planifikimin dhe disiplinën jetësore, ku falë kursimeve – realizon një të ardhme më të sigurt, aq më shumë ku ne jemi pjesë e një shoqërie me të ardhura të pakta dhe ku shtresa e mesme është e vdekur. Tashmë kemi dy trajektore – shumë te pasur dhe shumë të varfër, ndërsa uroj që kjo ditë të jetë më e aplikueshme si ndërgjegje”, tha Ariton Rama, politikolog i diplomuar. “Kursejmë sipas mundësive, por në këto kushte ekonomike, kursimi është thuajse i pamundur. Me pagat tona mundohemi sadopak të kursejmë diçka për të ardhmen”, tha për KOHA Albana Mustafa Asani, profesoreshë në shkollën e mesme të muzikës në Shkup. “Me një rrogë që është më pak se mesatarja – diku 21 mijë denarë dhe me katër anëtarë në familje, është shumë rëndë të arrish fundin e muajit e jo më të kursesh”, thotë një arsimtar tjetër. “Unë personalisht kam shprehi kursimi, ndoshta nuk janë shumë, por arrij gjatë muajit të kursej diku rreth 2 mijë denarë që për mua – si studente mendoj se është e mjaftueshme”, tha Egzona Ajdari. “Kam shprehi të kursimit, sidomos kohën e fundit monedhat metalike i fus në shishe të plastikës, sepse standardi nuk na lejon më shumë’, tha Meral S. studente. “Është e vështirë të kursehet kur për çdo plan për të ardhmen futesh në kredi, si për të paguar për veturë apo për të siguruar kulm mbi kokë. E kam me rëndësi t’ia dalë muajit në fund mos të futem më shumë në borxhe, për të kursyer e kemi harruar atë ndjenjë”, tha Muhamet D. Kushtet dhe standardi i Maqedonisë dhe në përgjithësi i rajonit nuk janë në anën tonë, thonë për gazetën KOHA ekonomistët. Jeton Shaqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin Ndërkombëtarë të Strugës thotë se qytetarët nga të hyrat e pakta, e kanë të pamundur të mendojnë për kursim. “Aktualisht kushtet nuk janë në favor të vetëdijesimit të qytetarëve për kursim. Niveli i të hyrave mujore nuk lejon as kushte normale për arsye se të hyrat janë të pakta dhe nuk arrijnë të mbulojnë harxhimet e jo më shumë të lejohet kursimi”, tha Shaqiri. Besarta Xhoni, magjistre e financave dhe kontabilitetit, mes tjerash thotë se Ballkani në përgjithësi përballet me probleme të tilla, pasi i varfëri gjithmonë paguan më shtrenjtë.
“Kursimi është tema më e ndjeshme e secilit qytetarë. Teorikisht, të ardhurat minus konsumi nxjerrin kursimin. Por jeta reale flet ndryshe. Praktika e thotë që 1+1 nuk bëjnë dy. Mos llogaritja e shpenzimeve variabile e sjellin njeriun në gjendje që të mos dijë të kursej, konkretisht të menaxhojë me mjetet e veta financiare. Vetëdija njerëzore është shumë e ulët në këtë aspekt në vendin tonë. Ballkani në përgjithësi përballet me probleme të tilla, pasi i varfëri gjithmonë paguan më shtrenjtë. Afatizimi i mjeteve nëpër institucione financiare detyrimisht të obligon të kursesh, por fatkeqësisht – për shkak të kredibilitetit të ulët nëpër institucione financiare, kjo gjë në vendin tonë nuk praktikohet!”, tha Xhoni. Ndryshe, ditë më parë, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për vitin 2016 treguan se në Maqedoni, 21.8 për qind apo 450.000 qytetarë janë të varfër. Nga numri i përgjithshëm i të varfërve, 9 për qind janë të punësuar, ndërsa 7.1 për qind janë pensionistë. Në vitin 2016, shkalla e varfërisë tek burrat ka qenë 22.2 për qind, ndërsa tek gratë 21.5 për qind. Bazë e llogarive të varfërisë janë të ardhurat, ndërsa pragu i varfërisë është definuar në 60 për qind nga të ardhurat ekuilavente mediale. Dita botërore e kursimit, e cila festohet si kujtim i Kongresit të parë ndërkombëtar të kursimoreve të mbajtur në këtë ditë në vitin 1924 në Milano. Pjesëmarrësit në Kongres janë dakorduar se kursimi është shumë i nevojshëm për zhvillimin e njerëzimit, si dhe për ringjalljen e luftës kundër shfrenimit. Ky vendim është miratuar nga ana e 350 delegatëve nga 27 vende, të cilët paraqisnin rreth njëqind milionë kursimorë. (koha.mk)