Për tre muaj, nga Spitali “8 Shtatori” kanë përfunduar me vdekje 80 pacientë me Kovid-19, ndërsa janë shëruar vetëm shtatë të sëmurë që kanë qenë në respiratorë. Për momentin, në këtë spital janë të shtrirë gjithsej 140 pacientë, nga të cilët 12 janë në respiratorë. Për gjithë këto pacientë, në dispozicion janë vetëm 13 anesteziolog, ndërsa dukshëm ka mungesë të personelit mjekësor
Destan JONUZI
Shkup, 4 korrik – Në Spitali e Përgjithshëm të Qytetit të Shkupit “8 Shtatori” janë të hospitalizuar 140 pacientë me Kovid-19, ndërsa 12 prej tyre janë në respiratorë. Edhe pse spitali posedon me 400 shtretër, personeli mjekësor e ka të pamundur të përkujdeset për po aq të sëmurë për shkak të mungesës së resurseve njerëzore. Dhe, ndryshe nga Klinikat tjera ku janë të shtruar pacientë me koronavirus, numri i vdekjeve në “8 Shtatori” është dukshëm më i madh – 80 viktima, madje edhe mosha mesatare e të vdekurve është moshë nga 50 deri në 70 vjeç.
Në këtë spital, që tashmë njihet si “Spitali Kovid-19”, pasi dy muaj pas paraqitjes së pandemisë pranoi pacientë pozitiv, numri i anesteziologëve krahasuar me numrin e respiratorëve është dyfish më i vogël, konkretisht 11 anesteziolog me 22 respiratorë. Këtyre dy ditëve, siç informojnë nga “8 Shtatori”, në ndihmë kanë ardhur edhe dy anesteziologë nga Klinika Universitare “Nëna Terezë”. Edhe pse zyrtarë të shëndetësisë thonë se situata është nën kontroll, duket se sistemi shëndetësor – kryesisht numri i infektologëve dhe anesteziologëve, është i vogël, ashtu sikurse është i vogël edhe numri i infermierëve.
MUNGESË E ANESTEZIOLOGËVE
“I gjithë personeli i Spitalit, afër 1000 të punësuar, është i gatshëm të ballafaqohet me këtë sëmundje. Kemi filluar me një të tretën, ndërsa tani kemi rreth 70 për qind të spitalit në shërbim të kësaj sëmundje. Kur flasim për mjekimin intensiv, për momentin kemi 22 respiratorë, ndërsa 12 pacientë i kemi në to, ndërkaq gjithsej me Kovid-19 kemi të hospitalizuar 140 pacientë. Në spitalin tonë ka gjithsej 50 vende me furnizues oksigjeni, në të cilat mund të vendoset edhe respiratori. Tani për tani, një pjesë e vogël e kapacitetit është përdorur”, thotë për gazetën KOHA, drejtori i Spitalit “8 shtatori”, Hristijan Kostov. Nga fillimi i epidemisë me Kovid-19 në vend, në “8 Shtatori” janë kryer 310 operacione nga gjithsej 1771 në tërë vendin.
Drejtori i Spitalit “8 Shtatori”, Hristijan Kostov, në prononcimin për gazetën “KOHA” thotë se për katër muaj, nga ky spital kanë dal 80 të vdekur nga Kovid-19. “Momentalisht kemi nëntë pacientë në respiratorë dhe tre janë në respirator periodik (aparate që u ndihmojnë në frymëmarrje). Kemi gjithsej 130 pacientë pozitiv me Kovid-19, dhe 10 që kanë dalë negativ ose janë operuar. Gjithsej 140 pacientë me koronavirus janë të shtruar në spitalin tonë. Në spital kemi gjithsej 22 respiratorë, të cilat janë në gjendje solide për t’u përdorur. Në ndërkohë, kemi 11 anesteziolog, por edhe dy na janë dërguar nga Klinika Universitare, gjithsej 13. Këto anesteziolog bëjnë kujdestari në repartin intensiv dhe ato janë përgjegjësit për respiratorët, por megjithatë – ata janë në koordinim të përhershëm me infektologë dhe internist. Për katër muaj, në Spitalin tonë nga Kovid-19 kanë vdekur gjithsej 80 pacientë”, informon Kostov.
TË VDESËSH I VETËM!
Përkeqësimin e sëmundjeve te pacientët e shtrirë më virusin Kovid-19 duket se e shkakton edhe mungesa e vizitave apo bisedat telefonike me familjarët e tyre. Ndikimi psikologjik, sidomos te mosha e mesme dhe mosha e tretë, sipas mjekëve që kujdesen me pacientë të shtrirë në spitale, po bën të veten.
Në “8 Shtatori”, ashtu sikurse në Klinikën infektive, nuk ka gjasa që pacienti të mbajë me vete telefona apo edhe t’i lejohet vizitë nga familjarët. Ndryshe nga Klinikat e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët u lejojnë familjarëve të pacientëve, kuptohet të mbrojtur me veshje mbrojtëse sikurse mjekët, të shohin të shtrirët në spitale. Drejtori i “8 Shtatorit” e pranon se deri tani, familjarët shumë rrallë kanë marrë informacione për gjendjen shëndetësore të pacientëve. Nga sot, ai siguron se kjo situatë do të ndryshojë dhe se tashmë – nga ora 14:00 deri në ora 16:00, personeli mjekësor do t’i lajmërojë familjarët për t’u dhënë informacione konkrete për pacientët. Megjithëse thotë se vizitat nuk do të lejohen.
“Vërtetë gjendja ka qenë alarmante. Të punësuarit në spital nuk kanë mundur të arrijnë që të gjithëve t’u përgjigjen, por tani spitali do të informojë për çdo ditë vet familjarët e pacientëve. E kemi ndryshuar mënyrën e informimit të familjarëve për pacientët e shtrirë në spitalin tonë. Gjatë ditës, ne u paraqitemi atyre, nga ora 14 deri në ora 16 dhe i informojmë për gjendjen e pacientëve”, informon Kostov, ndërsa apeloi që pacientët të vijnë në Spital më herët në kontroll, e jo kur t’u përkeqësohet gjendja, ndërsa shton se qytetarët nuk duhet të kurohen në shtëpi për dy javë dhe më pas – kur t’u përkeqësohet gjendja, të vijnë në spital. “Deri më tani shtatë pacientë i kemi shëruar me respiratorë. Ky virus është i tmerrshëm. Të punësuarit tonë janë të lodhur shumë, katër muaj i rrotullojmë në orare të ndryshme. Tani kemi edhe përforcim edhe nga 30 infermiere nga spitalet tjera”, thotë Kostov.
Ndryshe, nga 26 shkurti kur u regjistrua rasti i parë me Kovid19 në Maqedoni e deri më 31 maj, ishin regjistruar gjithsej 2.315 raste, ndërkohë që vetëm në muajin qershor – janë regjistruar 4063 raste, që paraqet një rritje prej 62 për qind. Numri më i lartë brenda 24 orëve i të infektuarve është regjistruar më 13 qershor, kur kishte shkuar numri në 196 të infektuar. Nën 100 raste të reja ka pasur më 6 dhe 22 qershor, ndërsa probabiliteti i të infektuarve në raport me numrin e testeve ka lëvizur mes 12 dhe 23 për qind. Shqetësuese është edhe rritja e numrit të të vdekurve nga Kovid-19, sidomos gjatë muajit qershor. 166 viktima u raportuan vetëm në 30 ditë të pandemisë, duke e çuar numrin e të vdekurve në 306.
Për dallim nga muaji qershor, në mars, prill dhe maj ishin regjistruar 140 të vdekur si pasojë e Kovid-19. Gjatë muajit qershor – vatra të reja u regjistruan në Shkup, Kumanovë dhe në rajonin e Likovës, Tetovë, Shtip dhe Ohër. Për momentin, Qyteti i Shkupit ka më së shumti raste aktive, ndërsa në Kumanovë ditë më parë janë regjistruar mbi 90 të shëruar. Edhe në Shtip raportohet për numër të madh të shëruar, ndërsa në Tetovë – autoritetet kanë alarmuar për disa vatra të reja. Numri më i lartë i të shëruarve nga personat e infektuar gjatë qershorit u regjistruar më 1 korrik, respektivisht 123 të shëruar.
NË KLINIKËN INFEKTIVE VETËM DY PACIENTË NË RESPIRATORË
Aktualisht, në Klinikën Infektive në “Nëna Terezë” janë të shtrirë gjithsej 89 pacientë me Kovid-19, ndërkohë që vetëm dy janë në respiratorë dhe 53 të tjerë në ndihmë oksigjeni. Nga fillimi i pandemisë, në këtë Klinikë kanë ndërruar jetë 98 pacientë, që në dukje është numër më i madh se “8 Shtatori”, Spital ky që pas dy muajve pas paraqitjes së virusit, filloi të pranojë pacientë me Kovid-19. (koha.mk)