Një stuhi rëre ka përfshirë zona të tëra në Kinën veriore, duke ulur ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe shikueshmërinë. Zyrtarët kanë dhënë alarmin duke u kërkuar fëmijëve dhe pleqve të qëndrojnë në shtëpi. Kjo stuhi pranverore në Kinë ka zënë vend pasi erëra të fuqishme kanë transportuar sasi të madhe rëre dhe pluhuri nga Shkretëtira Gobi për në zonat e populluara të vendit. Gazeta zyrtare kineze “People’s Daily” tha se stuhia do të jetë më e fortë në kufi me Mongolinë, por edhe Pekini e qendra të tjera të mbi-populluara deri në veri-lindje të vendit do të preken nga stuhia për të paktën 24 orë. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që përqendrimi i grimcave të njohura si PM 2.5 në ajër duhet të jetë vetëm 10 microgramë, ndërkohë në Kinë ndotja ka arritur nivelet alarmante të 630 mikcrogramëve. Kjo stuhi tregon edhe një herë tjetër për problemet e mëdha ambientaliste me të cilët përballet Kina, duke iu shtuar ajrit të ndotur gjatë të gjithë vitit në qytete.