Çfarë po ndodh me shqiptarët?! Rritet konsumi i duhanit

Sasia e duhanit që Shqipëria prodhon dhe tregton në tregun e brendshëm është rritur në muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, vetëm për 5 muajt e parë të këtij viti sasia e duhanit e hedhur në treg për konsum rezulton të jetë 60 ton më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Por e ndarë në cigare dhe duhan shifrat rezultojnë të jenë, për vitin 2017, 1110 ton  cigare, dhe duhan 33 ton, ndërsa për të njëjtën periudhë të  2016 rezulton të jenë konsumuar 1 058 ton cigare dhe 24 ton duhan, raporton “Scan”. Megjithëse është rritur konsumi, nuk ka një analizë apo një përcaktim të saktë se sa është sasia e importuar dhe sa është prodhim vendas. Por edhe pse Shqipëria  konsiderohet një vend me potencial të lartë të prodhimit të këtij produkti, tregu vijon të dominohet bindshëm nga importuesit. Megjithatë vitet e fundit në vendin tonë po vihet re një tendencë për “rigjallërimin” e prodhimit vendas dhe konsumit të duhanit të hapur siç njihet në gjuhën e përditshme. Por informaliteti i lartë që dominon sektorin bujqësisë, nuk lë jashtë edhe duhanin. Kështu nuk ka një statistike të saktë se sa është prodhimi vendas, dhe debate të shumta ka për importin, pasi kontrabanda e cigareve “ka lulëzuar” për shumë kohë, pasi importi mbulon pjesën më të madhe të konsumit vendas.