Nga Qerim LITA
Të premten e kaluar botuam kërkesën e Gjyqit Kushtetues, drejtuar Qeverisë së RSM-së, në lidhje me disa sqarime plotësuese ndaj Vendimit të kësaj të fundit për themelimin e këshillave drejtuese në komunat shqiptare: Tetovë e Gostivar. Tërë kjo i nevojitej Gjyqit, për arsye se kohë më parë grupi i këshilltarëve të PPD-PDP-së të këtyre dy komunave, kishin deponuar një parashtresë për nismën e procedurës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së atij vendimi.
Për rrjedhojë, Qeveria e RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 22 tetor 1991, pasi e shqyrtoi kërkesën, ndër të tjerave konstatoi se një vendim i tillë “mbështetje në nenin 14-a të Ligjit Kushtetues” për zbatimin e Amendamenteve Kushtetuese të RSM-së, sipas së cilit, në ato komuna ku nuk mund të konstituheshin kuvendet e porsazgjedhura autorizohej Qeveria e Maqedonisë të themeloj këshilla drejtuese, të cilat do të udhëheqin me ato komuna “deri në konstituimin e atyre kuvendeve”. Çuditërisht, një nenin e tillë, erdhi në shprehje vetëm në dy komunat e përmendura shqiptare, ku konstituimi i kuvendeve të tyre nuk vihej në pikëpyetje, për arsye se shumicën e këshilltarëve e përbënin dy partitë politike shqiptare, të cilat njëherë ishin edhe në koalicion para dhe pos-zgjedhor. Ndërkohë, kjo nuk u zbatua në një numër të madh të komunave me shumicë maqedonase, përfshi këtu edhe Qytetin e Shkupit, ku asnjëra parti maqedonase nuk e kishte shumicën e nevojshme për konstituimin e kuvendeve. Nga tërë kjo mund të konstatojmë se, Vendimi i Qeverisë së RSM-së, i sjell më 4 maj 1991, pati për qëllim pamundësimin e udhëheqjes së këtyre dy komunave nga kryetarë shqiptar, e jo siç thuhet në përgjigje “për shkak moskonstituimit të kuvendeve”, sepse kjo pengesë nuk buronte nga pala shqiptare, por nga ajo maqedonase, e cila nuk mund ta paramendonte që në të ardhmen këto dy komuna të udhëhiqen nga shqiptarët. Në vazhdim po e paraqesim mendimin e Qeverisë, të cilin më 28 tetor 1991 përmes sekretarit Nikolla Kërlevsi i dorëzohet Gjyqit Kushtetues.
* * *
“REPUBLIKA E MAQEDONISË QEVERIA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Nr. 23-1959/1
28 tetor 1991
Shkup
GJYQIT KUSHTETUES TË MAQEDONISË
SHKUP
Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur më datë 22 tetor 1991, e shqyrtoi kërkesën e Gjyqit Kushtetues të Maqedonisë Nr. 127/91 nga data 7 shtator 1991 në lidhje me Iniciativën për nismën e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për themelimin e këshillave drejtuese për kryerjen e punëve të kuvendeve të komunave Tetovë e Gostivar dhe pranë së cilës e konstatoi vlerësimin me sa vijon:
Në mesin e ndryshimeve më të rëndësishme në fushën e sistemit politik të cilët i kryen me Amendamentet të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë nga viti 1990, gjithsesi se përfshihen ata të cilat u përkasin strukturës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe kuvendeve të komunave e të bashkësisë së qytetit, si dhe ato të cilat u përkasin pozitës dhe kompetencës së re kushtetuese të përcaktuar të komunës, e cila nga një bashkësi shoqërore-politike kalon në bashkësi vetëqeverisëse të qytetarëve. Zgjidhjet e amendamenteve kushtetuese, me të cilat u tërhoq kuvendi tre-dhomësh, dhe u përcaktua struktura njëdhomëshe të kuvendeve të cilët i përbëjnë përfaqësuesit e qytetarëve të zgjedhur përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta e të fshehta, mbështeten në ndryshimet tjera kushtetuese të cilat u kryen në sistemin politik, me të cilat veç tjerash u ndërpre politika moniste dhe u fut sistemi politik shumëpartiak në të cilin si bartës të pushtetit janë përcaktuar vetëm qytetarët, si dhe në ndryshimet në fushën e përcaktimit shoqëror-ekonomik, me të cilin u ndërpre monopli i pronësisë shoqërore dhe u mundësua pluralizmi i pronësisë së barabartë për të gjitha format e pronësisë.
Meqenëse nga njëra anë, kuvendet qenë konstituuar mbi bazën e zgjedhjeve kushtetuese të deriatëhershme ndërsa nga ana tjetër ato zgjidhje me amendamentet kushtetuese pësuan radikalizim të madh me çka krijoi edhe diskonuitet të zgjidhjeve kushtetuese të deriatëhershme në krahasim me të rejat, ishte e patjetërsueshme që me Ligjin Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë të zgjidhet kalimi i punës përkatësisht i funksionimit të kuvendeve në përputhje me zgjidhjet e reja kushtetuese. Kjo nga arsyet se, në shpalljen e Amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ishte e arsyeshme dhe e domosdoshme të mundësohet kuvendet të funksionojnë vetëm si njëdhomëshe edhe atë të përbëra nga përfaqësues vetëm të qytetarëve, e jo edhe si tredhomëshe të përbëra nga delegatë të cilët ishin përfaqësues të njerëzve punëtor, e jo vetëm të qytetarëve.
Për këtë qëllim, ndërsa duke e marr parasysh zgjidhjen e mëparshme kushtetuese sipas së cilës deri në konstituimin e kuvendeve të porsazgjedhura funksionin e kuvendeve e kryejnë kuvendet e mëparshme, që nuk përputheshin me ndryshimet e reja me Amendamentet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në Ligjin Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve u përfshi zgjidhje me të cilën sigurohet kontinuiteti në realizimin e pushtetit. Në këtë mënyrë, me zgjidhjen e nenit 14-a nga Ligji Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë u autorizua Qeveria e Republikës së Maqedonisë, përmes këshillave drejtuese të cilat ajo do t’i themeloj, t’i kryej detyrat e kuvendeve në komunat në të cilat nuk janë konstituar kuvendet e porsazgjedhura deri në konstituimin e tyre në pajtim me zgjidhjet e reja zgjedhore.
Për sa më sipër, autorizimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i përcaktuar në nenin 14-a të Ligjit Kushtetues është në funksion të zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, mirëpo vetëm si zgjidhje e përkohshme, që është edhe funksioni bazë të Ligjit Kushtetues, për arsye se sipas asaj zgjidhje Qeveria është e autorizuar funksionet e kuvendeve t’i kryej vetëm deri në konstituimin e tyre edhe atë në volum më të madh nga ajo që i kanë në pajtim me Ligjin Kushtetues. Nisur nga kjo, buron se me këtë zgjidhje të Ligjit Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, nuk kryhet suspendimi i kuvendeve të komunave, e as që mohohen rezultatet nga zgjedhjet e zbatuara, siç pohohet në iniciativë, por vetëm se sigurohet kalimi nga sistemi i kaluar i rregullimit të marrëdhënieve në të tanishmin, në rast kur kuvendet e porsazgjedhura për arsye më të ndryshme nuk do të konstituohen me kohë.
Duke e pas parasysh se në komunat Gostivar dhe Tetovë, deri në ditën e sjelljes së vendimit të kontestuar nuk qe kryer konstituimi i kuvendeve të porsazgjedhura, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në pajtim me autorizimin nga neni 14-a të Ligjit Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, e mori drejtpërdrejt zbatimin e funksionit përkatësisht punës së kuvendeve të këtyre dy komunave deri në konstituimin e tyre, për të cilin qëllim edhe themeloi këshilla drejtuese.
Marrë parasysh të mësipërmen, Qeveria vlerëson se vendimi i kontestuar, i cili si dispozitë zbatuese për zbatimin e Kushtetutës përkatësisht Amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë e solli Qeveria e Republikës së Maqedonisë, nuk bie ndesh me Ligjin Kushtetues, përkatësisht ajo si dispozitë zbatuese nuk mund të vlerësohet se a është në pajtueshmëri ose jo me Ligjin Kushtetues, për arsye se është sjell në funksion për zbatimin e vetë Kushtetutës përkatësisht Ligjit Kushtetues.
SEKRETARI I QEVERISË, Dr.Nikolla Kërlevski”.