Nuk e dimë nëse edhe Qeveria e ardhshme do të paralajmërojë veting njëlloj si kjo e tanishmja, por edhe po të paralajmërojë, vështirë se do të realizohet ai
Nga Zekirija Haxhiu
Kaluan muaj dhe vite që kur është paralajmëruar vetingu në policinë e vendit, por deri tani as edhe një hap konkret. Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, disa herë përmes deklaratave për media ka paralajmëruar se “së shpejti” fillon vetingu në MPB, por meqenëse fjala “së shpejti” nuk ka një afat kohor të caktuar, si duket ky veting do të ngelet vetëm si një paralajmërim. Kësaj do i gëzoheshin vetëm ata që nuk kanë mundur të jenë të qetë kur kanë dëgjuar fjalën veting, apo kur kanë dëgjuar se do iu kontrollohet e gjithë pasuria se nga ku e ka burimin. Duke pasur parasysh se së shpejti (në janar) formohet Qeveria teknike, dhe në prill janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kjo do të thotë se edhe kësaj radhe policët e korruptuar kanë shpëtuar. Nuk e dimë nëse edhe Qeveria e ardhshme do të paralajmërojë veting njëlloj si kjo e tanishmja, por edhe po të paralajmërojë, vështirë se do të realizohet ai veting. Arsyeja për mos realizimin e vetingut nuk është se shteti nuk ka kapacitete. Kjo do të bëheshte madje edhe me ndihmë të organizatave ndërkombëtare. Por ka edhe shumë arsye tjera pse vetingu “nuk guxon” të realizohet. A mendoni se policët janë të kënaqur me kushtet e tyre të punës dhe do të bënin gjithçka për të qëndruar? A mendoni se pjesëtarët e MPB-së nuk do të donin të ndiqnin rrugën e shokëve të tyre që ikën vendeve të Evropës? Para pak ditësh nga një mik në Njësinë për krim të organizuar dëgjova se 3000 pjesëtarë të policisë dëshirojnë të braktisin MPB-në.
Shumica e pjesëtarëve të policisë janë të zhytur në kredi. Ata në vend se të frikësohen nga vetingu, përkundrazi do i gëzohen si një arsye për të braktisur punën. Si duket shteti ka gabuar adresën e vetingut. Për veting më tepër nevojë ka gjyqësi se sa në polici. Cili polic keni dëgjuar se ka përtuar pasuri të mëdha si vetura luksoze, pallate, toka e patundshmëri të ndryshme? Këto mund t’i gjeni vetëm tek gjykatësit por jo dhe te policët. Shembullin më të mirë e kemi tek ish kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski. Ai në deklarimin e tij të pasurisë kishte shkruar se posedon katër banesa në Shkup, katër vetura luksoze ( Mercedes Benz, Leksus IS, Toyota Celika dhe Crysler Crossre) si dhe hapësira afariste, tokë bujqësore, aksione, devidente, orë luksoze, kredi në banka etj. Pse paratë e gjërat me vlerë shkojnë pikërisht tek gjykatësit? Po ata janë “përcaktues” të fatit tonë nëse do të përfundojmë tek “vendi i burrave” apo do të vazhdojmë të jetojmë në liri.
Epo kur vjen puna tek “vendi i burrave”, pak persona do të kishin shfaqur burrërinë e tyre, shumica do të ofronin rryshfet për t’i shpëtuar dënimit. Dhe kështu, këto gjykatës më pas bëhen me shtëpi dhe vetura luksoze. Çfarë na duhet vetingu në polici pa një veting në gjyqësi? Vetingu është proces që shërben për kontrollim dhe përjashtim të zyrtarëve të korruptuar gjyqësor dhe publik. Vetingut duhet t’i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Të gjithë prokurorët përfshirë dhe kryeprokurorin shtetëror. I gjithë inspektorati shtetëror. Të gjithë këshilltarët ligjor, ndihmësit ligjor, ish gjyqtarët, ish prokurorët, ish këshilltarët ligjor. Çfarë duhet kontrolluar? Vlerësimi dhe burimi i pasurisë, kontrollimi i gurës, vlerësimi i aftësive profesionale, mënyra e punësimit si dhe vendim marrjet e lëndëve që kanë udhëhequr.
Çdo kush prej gjyqtarëve dhe prokurorëve që do i shmangeshin vetdeklarimit dhe kontrollit, duhet të përjashtohet automatikisht nga funksioni. Edhe pse një veting i tillë do të zgjaste me vite, gjithsesi ia vlen së paku të fillohet dhe të ketë rezultate konkrete. Veting të tillë para 4 viteve filloi edhe në Shqipërinë fqinje por edhe atje nuk pati rezultate të kënaqshme. Në Maqedoninë e Veriut, një veting në gjyqësi besoj se do e kishin përkrahur edhe BE-ja edhe SHBA-të. Një veting i tillë do na bënte mirë edhe në rrugën euroatlantike. Vetingu i gjyqësorit është një hap thelbësor në këtë drejtim. Kështu gjyqësori do të pastroheshte nga korrupsioni, njëherë e përgjithmonë. Së pari, populli i Maqedonisë së Veriut meriton vlerësim të veçantë. Duhet të “paguhen” të gjitha ato vuajtje sidomos nga shqiptarët. Padrejtësi po na bëhet nga të gjitha anët e vendit. Parullat “pa drejtësi nuk ka qetësi” duhet të merren parasysh dhe të ndërmerren hapa konkrete. Qytetarët duhet të vlerësohen për interesin e tyre të vazhdueshëm gjatë gjithë procesit