Vakëfi ka qenë pasuri e institucioneve fetare myslimane që përfshinte toka, shtëpi, dyqane, të holla etj., e krijuar në Shqipëri që nga shek.XV e më vonë nga dhurimet e sulltanit dhe të besimtarëve të tjerë, sipas rregullave të caktuara të vakufimit. Çdo mysliman kishte të drejtë të kthente në vakëf çdo lloj prone private, duke caktuar si do të përdoreshin të ardhurat e saj. Kusht themelor ishte që një pjesë e këtyre të ardhurave të shkonte në dobi të një institucioni fetar, një pjesë tjetër mund të shkonte për ndërtime publike, rrugë, çezma, ndërtesa. Vakëfi ishte i paprekshëm nga shteti. Pjesën më të madhe të të ardhurave vakuflënësi shpesh e destinonte për vete e për trashëgimtarët e tij brez pas brezi. I tillë qe vakëfi i madh me shumë fshatra në krahinën e Korçës, që e la feudali i madh Iljaz Bej Mirahori në fund të shek.XV.