Çfarë ka në thellësitë e mëdha të Tokës?

56

Sizmologët interpretojnë të dhëna nga tërmetet, dhe madje simulojnë aktivitetin sizmik me shpërthime të ndryshme. Puna e tyre ka treguar se brendësia e Tokës ka shtresa të ndryshme. Në disa prej tyre valët sizmike kalojnë më lehtë se në gjithë të tjerat

Kufiri i fundit nuk është hapësira: Është vetë Toka. Ne kemi dërguar njerëz në Hënë, robotë në Mars dhe sondën hapësinore “New Horizons” 5.3 miliardë km nga Toka për të shkrepur foto nga Plutoni, ndërsa vetëm 6400 km nën këmbët tona, nxehtësia dhe presioni i padepërtueshëm e bëjnë qendrën e Tokës të paarritshme nga njeriu. Por shkencëtarët kanë qenë në gjendje të zbulojnë se çfarë ka brenda Tokës, përfshirë kristalet e gjelbra të ullirit dhe një det prej hekuri të shkrirë. Ata e kanë bërë këtë duke studiuar meteoritët, shpërthimet vullkanike dhe valët sizmike që shkaktojnë tërmetet.

“Ne shkojmë dhe eksplorojmë planetë të tjerë. Por në shumë mënyra, hyrja në brendësi të Tokës për të kuptuar se çfarë ka aty është teknologjikisht më e vështirë sesa të shkosh në hapësirë”-thotë Vedran Lekiç, sizmolog në Universitetin e Merilend. Toka ka 4 shtresa kryesore koren, mantelin, bërthamën e jashtme dhe atë të brendshme, së bashku me zonat e tranzitit midis këtyre shtresave. Bota që ne njohim shtrihet në pllakat tektonike që përbëjnë koren e Tokës, e cila ndryshon në trashësi nga 4.8 mbi 64 km. Nën kore qëndron manteli, shtresa shkëmbore që përbën 84 për qind të vëllimit të Tokës. Shkëmbinjtë në mantelin e sipërm janë të nxehtë e të bardhë. Por nëse mund të ftohen në temperaturën e dhomës, ata do të jenë ngjyrë jeshile si ulliri falë mineralit olivinë.

Nën mantelin shkëmbor, ekziston një bërthamë e jashtme prej hekuri të lëngshëm dhe pak nikel, që rrethon një bërthamë të brendshme prej hekuri të fortë,dhe që përbën rreth 70 për qind të madhësisë së Hënës. Qendra e Tokës është po aq e nxehtë sa sipërfaqja e Diellit, rreth 5420 gradë Celsius, me një presion të tillë që i bën forcat shtypëse në fundin e oqeanit të duken si një lojë fëmijësh. Por ne nuk kemi qenë në asnjë nga këto vende brenda Tokës. Nuk i kemi parë ato, dhe as kemi dërguar kamera apo sonda për të sjellë shembuj të hekurit të ndezur si prush qymyri. Atëherë, si mund t`a dimë se çfarë ka atje? Kur pllakat tektonike që përbëjnë koren e Tokës lëvizin drejt njëra-tjetrës, ato nganjëherë përplasen dhe thyhen. Kjo thyerje, së bashku me valët e energjisë që krijohen quhet tërmet. Valët sizmike të lëshuara, që janë valët zanore shumë të ulëta,që mund të dëgjohen nga veshi i njeriut, udhëtojnë shumë larg burimit të thyerjes, dhe mund t’u tregojnë shkencëtarëve kur dhe ku ka ndodhur një tërmet.

Zbulimi i valëve sizmike nuk është i ri. Shkencëtari kinez Zhang Heng ndërtoi një sizmometër të hershëm gati 2.000 vjet më parë. Por në vitin 1889, një studiues gjerman afër Berlinit zbuloi një tërmet. Por kishte një problem:Atë ditë nuk kishte asnjë tërmet aty afër. Rezultoi se kishte qenë një tërmet në Japoni, dhe valët e tij sizmike arritën në Gjermani pas më shumë se 1 orë pasi ai ndodhi. Ai moment shënoi një pikë thelbësore në sizmologjinë moderne. Lekiç e krahason sizmologjinë me mënyrën se si ne përdorim rrezet X për të parë brenda trupit të njeriut. “Ne nuk mund të dërgojmë rrezet X nëpër brendësinë e Tokës, pasi ato nuk do ta mbërrinin dot deri në fund. Në vend të tyre, ne përdorim valët sizmike”- thekson Lekiç. Tërmetet dërgojnë dridhje në të gjithë planetin tonë, dhe ato udhëtojnë nëpër botë në mënyra të ndryshme. Sizmometrat që i regjistrojnë këto dridhje, mund të na japin një lloj panorame të asaj që është poshtë nesh. Lekiç thekson:”Ne mund të përdorim modelimin kompjuterik, për të provuar të hartojmë imazhe të asaj që gjendet brenda Tokës, dhe ato na tregojnë në thelb se sa shpejt udhëtojnë valët sizmike nëpër pjesë të ndryshme të Tokës”.

Sizmologët interpretojnë të dhëna nga tërmetet, dhe madje simulojnë aktivitetin sizmik me shpërthime të ndryshme. Puna e tyre ka treguar se brendësia e Tokës ka shtresa të ndryshme. Në disa prej tyre valët sizmike kalojnë më lehtë se në gjithë të tjerat. Ndërkohë Endrju Kampbell, fizikan i mineraleve në Universitetin e Çikagos, thotë se ka kufizime kimike astronomike dhe kozmike,në përpjekjen për të kuptuar se cilat janë blloqet e mundshme ndërtuese të planetit tonë. Në thelb, shpërndarja e elementeve në Tokë duhet të përputhet përafërsisht me elementët e pranishëm tek meteoritët dhe Dielli. Kjo pasi reaksionet kimike brenda yjeve, prodhojnë elementet që përbëjnë planetët si Toka. “Unë them se bërthama e Tokës është prej hekuri në formë të ngurtë, dhe jo nga ndonjë element tjetër i rëndë”, thotë Kampell. Dhe sizmologjia na tregon në fakt se Toka ka një bërthamë të fortë dhe të dendur. Megjithëse shkencëtarët nuk kanë zbuluar një mënyrë për të udhëtuar në qendër të Tokës, bashkëpunimi midis këtyre disiplinave të ndryshme është thelbësor për të kuptuar se çfarë qëndron poshtë këmbëve tona.