Xherdan Shaqiri e ka shikuar sërish Liverpoolin e tij nga stoli, që mori pikët e plota në udhëtim te Southamptoni, duke triumfuar 3-1. Gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht për Xherdan Shaqirin. Nëse në fund të vitit të kaluar ishte një lojtar kyç në skuadrën e Jurgen Klopp, gjithçka është ndryshe në vitin 2019. Ai është paraqitur vetëm në 6 takime në vitin 2019, që të gjitha nga stoli, ndërsa në sfidën kundër Southamptonit, s’kishte minuta sërish për shqiptarin. Kjo ishte ndeshja e gjashtë me radhë që Klopp e lë Shaqirin në stol dhe pavarësisht fitores së rëndësishme që Liverpooli mori, fansat nuk kënaqen me kaq, ata duan shpjegime se çfarë po ndodh me 27-vjeçarin.
“Lutuni për Shaqirin”, “Pse madje as nuk e përdor Kloppi Shaqirin?”, “Çfarë ka ndodhur mes Shaqirit dhe Kloppit?”, “Klopp duhet të tregojë çfarë po ndodh…!”, ishin disa nga postimet e shumta të fansave në “twitter”. Shaqiri numëron 6 gola dhe 3 asiste në 26 paraqitje, që të gjitha në pjesën e parë të sezonit.