Çfarë ka më shumë Strumica se Tetova?

102

Me program të plotë, të detajuar dhe të pasur me aktivitete aplikoi Komuna e Tetovës, të cilës nga ana e Ministrisë së Kulturës – as nuk iu parashtruan arsyet e refuzimit. Por sipas asaj që deklarohet nga MK lidhur me fituesin e sivjetshëm – Komuna e Strumicës ka aplikuar me shumën më të lartë të vetëfinancimit, duke reduktuar barrën financiare të Ministrisë për të mbështetur financiarisht këtë manifestim vjetor  

Evis HALILI

Shkup, 12 maj – Manifestimi “Qyteti i kulturës” nuk do të realizohet as këtë vit në një komunë shqiptare. Në garë për manifestimin vjetor që mbështet nga Ministria e Kulturës dhe ka si qëllim demetropolizimin e kulturës, merrnin pjesë gjithsej pesë komuna – Tetova, Dibra, Kavadari, Velesi dhe Strumica, ndërsa tek kjo e fundit kaloi për këtë vit stafeta “Qytet i kulturës”. Me program të plotë, të detajuar dhe të pasur me aktivitete – aplikoi Komuna e Tetovës, së cilës nga ana e Ministrisë së Kulturës as nuk iu parashtruan arsyet e refuzimit. Nga Ministria e Kulturës bëjnë me dije se të gjithë aplikantët janë prezantuar me programe të kompletuara, por Strumica dallonte për nivelin më të lartë të vetëfinancimit, shkruan gazeta KOHA.

“Si një segment i veçantë i rëndësishëm në zgjedhjen e komunës së Strumicës si organizatore, u theksua fakti se nga shuma e paraparë e buxhetit total për realizimin e programit në vlerë prej 15 milion e 150 mijë denarë, nga MK u kërkuan vetëm 2 milion e 970 denarë, që paraqet 19.6 % të buxhetit të përgjithshëm të parashikuar. Me këtë, nga Komuna e Strumicës do të jenë të mbuluara mjetet e tjera financiare në vlerë prej 80.4 %,e cila në krahasim me fletëparaqitjet tjera të arritura, Komuna e Strumicës do të marrë pjesë me përqindje më të madhe të mjeteve të vetë financimit për realizim të programit”, deklarojnë nga Ministria e Kulturës.

Ministrja Irena Stefoska gjatë shpalljes së fituesit theksoi se për të qenë bartës i manifestimit “Qyteti i Kulturës”, është me të vërtetë një privilegj i madh por edhe një përgjegjësi e madhe. Të gjitha fletëparaqitjet e dorëzuara kanë treguar një dedikim serioz në përpunimin e programeve, por edhe përgjegjësi dhe vlerësime reale në kërkesat e tyre për financim të projekteve, ka deklaruar ministrja. Komuna e Tetovës, por edhe komuna të tjera si Dibra, Gostivari, Struga, apo Kërçova për vite me radhë kanë aplikuar shumë rrallë, ose aspak në konkursin që shpall çdo vit se kush do të jetë qyteti i kulturës. Titull ky, që edhe pse nuk ofron ndonjë përkrahje të madhe financiare, gjithsesi krijon lehtësira në zhvillimin e aktiviteteve për vetë komunat që vazhdimisht ankohen për buxhetin e vogël për projektet e kulturës. Mungesa e interesimit për pjesën shqiptare është përligjur me refuzimet e paarsyetuara nga Ministria e Kulturës.

“Kjo është hera e dytë apo e tretë që konkurrojmë, madje të inkurajuar se do të fitojmë këtë vit, por nga mediat mësuam se nuk jemi ne fituesit. Ministria e Kulturës nuk ka dhënë arsyetimin, gjithsesi manifestimet që ne organizojmë gjatë vitit do të zhvillohen edhe këtë vit”, thotë Ardi Ismaili nga Komuna e Tetovës.                                                                                                                                                                      Ndërsa Kërçova e cila vitin e kaluar u shpall fituese por nuk arriti ta realizonte ëpr shkak të situatës së krijuar nga pandemia, këtë vit nuk konkurroi. “Meqenëse vitin e kaluar nuk u zhvilluan aktivitetet fillimisht na u tha nga MK se “Qyteti i kulturës” do të ishim këtë vit. Nuk konkurruam dhe kështu mbetëm jashtë gare”, thotë Emin Nasufi nga komuna e Kërçovës. “Qytet i kulturës” synon të sigurojë kushtet për një zhvillim të barabartë kulturor, akses dhe shfrytëzim masiv të vlerave kulturore për të gjithë qytetarët, por edhe për të nxitur jetën kulturore në nivel lokal. Po ashtu ka si qëllim demetropolizimin e kulturës dhe zhvillimin e jetës kulturore në periferi, në qyteza dhe komuna ku manifestimet kulturore janë më të rralla. Disa qytete e kanë mbajtur këtë titull për dy apo tre herë me radhë, ndërsa konkurrimi është kthyer në traditë për disa qytete të tjera si Radovishi, Manastiri, Prilepi, Kumanova, Shtipi, Velesi, Kavadari, Gjevgjelia, Koçani, Kriva Pallanka, apo Krusheva e Dojrani. (koha.mk)