Lindja e politikës mund të shkojë që në vitin 1949 dhe në fundin e luftës civile kineze. Atëkohë nacionalistët e mundur, të njohur gjithashtu si Kuomintang, u tërhoqën në Tajvan dhe e bënë vendin seli të qeverisë së tyre, ndërsa komunistët fitimtarë filluan të sundonin kontinentin si Republika Popullore e Kinës. Të dyja palët thanë se përfaqësonin të gjithë Kinën. E që nga ajo kohë, Partia Komuniste në pushtet e Kinës ka kërcënuar të përdorë forcën nëse Tajvani ndonjëherë shpall zyrtarisht pavarësinë
Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan këtë javë rriti tensionet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Pas zhvillimeve të fundit, duke përfshirë shfaqjen e forcës së Pekinit, është një histori e gjatë ndryshimi marrëdhëniesh dhe konflikti.
POR ÇFARË ËSHTË POLITIKA “NJË KINË”?
Politika “Një Kinë” e Shteteve të Bashkuara nuk është e njëjtë me parimin “Një Kinë” të Pekinit. Pekini thotë se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës dhe se Republika Popullore e Kinës është qeveria e vetme legjitime. Politika e Shteteve të Bashkuara për një Kinë e pranon parimin e Pekinit për “një Kinë”, por nuk pajtohet plotësisht me të. Zyrtarisht, Shtetet e Bashkuara nuk mbajnë qëndrim për statusin e Tajvanit.
SI LINDI KJO POLITIKË?
Lindja e politikës mund të shkojë që në vitin 1949 dhe në fundin e luftës civile kineze. Atëkohë nacionalistët e mundur, të njohur gjithashtu si Kuomintang, u tërhoqën në Tajvan dhe e bënë vendin seli të qeverisë së tyre, ndërsa komunistët fitimtarë filluan të sundonin kontinentin si Republika Popullore e Kinës. Të dyja palët thanë se përfaqësonin të gjithë Kinën. E që nga ajo kohë, Partia Komuniste në pushtet e Kinës ka kërcënuar të përdorë forcën nëse Tajvani ndonjëherë shpall zyrtarisht pavarësinë, megjithatë vitet e fundit ka ndjekur një rrugë më të butë diplomatike me ishullin Fillimisht, shumë qeveri, përfshirë ShBA-në, e njohën Tajvanin pas largimit nga Kina komuniste. Por pasi Kina dhe Shtetet e Bashkuara panë një nevojë të ndërsjellë për të zhvilluar marrëdhëniet, nga vitet 1970 erërat diplomatike u zhvendosën, me ShBA-në dhe vendet e tjera që ndërprenë lidhjet me Taipein në favor të Pekinit. Megjithatë, shumë prej tyre vazhdojnë të mbajnë ende marrëdhënie joformale me Tajvanin përmes zyrave tregtare ose instituteve kulturore, ndërsa ShBA-ja mbetet aleati më i rëndësishëm i sigurisë së Tajvanit.
CILAT JANË GJASHTË GARANCITË E SHTETEVE TË BASHKUARA PËR TAJVANIN?
Teksa marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit u përmirësuan, Tajvani ka qenë në ankth për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1982, Presidenti Ronald Reagan udhëzoi zyrtarët amerikanë që të qetësonin Tajvanin duke bërë gjashtë premtime. Formulimi i saktë i gjashtë garancive ka ndryshuar me kalimin e viteve, por ato në thelb deklarojnë se:
– Shtetet e Bashkuara nuk do të caktojnë një datë për përfundimin e shitjeve të armëve në Tajvan;
– nuk do të ndërmjetësojë marrëdhëniet ndërmjet ngushticave;
– nuk do të bëjë asnjë përpjekje për t’i bërë presion Tajvanit për të hyrë në negociata me Kinën;
– nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj sovranitetit të Tajvanit;
– nuk do të bëjë asnjë ndryshim në Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin;
– nuk do të konsultohet me Kinën për shitjen e armëve nga SHBA në Tajvan.
Në vitin 2016, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i SHBA miratuan rezoluta që përmbanin zotimet.
(The Washington Post)