Kultura përfshin fenë, ushqimin, atë çfarë veshim, si e veshim, gjuhën që flasim, martesën, muzikën, atë që ne besojmë se është e drejtë apo e gabuar, si ulemi në tryezë, si i përshëndesim vizitorët, si sillemi me njerëzit e dashur, dhe një milion gjëra të tjera
Nga Stephanie PAPPAS
Me termin kulturë kuptojmë zakonisht tiparet dhe dijet e një grupi të caktuar njerëzish, duke përfshirë gjuhën, fenë, kuzhinën, zakonet shoqërore, muzikën dhe artet. Qendra për Hulumtime të Avancuara mbi Përvetësimin e Gjuhëve, shkon një hap më tej, duke e përkufizuar kulturën si modelet e përbashkëta të sjelljeve dhe bashkëveprimit, si konstrukte njohëse dhe të të kuptuarit, që janë të mësuar nga socializimi. Kësisoj, kultura mund të shihet si rritja e një identiteti grupor, e nxitur nga modele shoqërore unike për grupin. “Kultura përfshin fenë, ushqimin, atë çfarë veshim, si e veshim, gjuhën që flasim, martesën, muzikën, atë që ne besojmë se është e drejtë apo e gabuar, si ulemi në tryezë, si i përshëndesim vizitorët, si sillemi me njerëzit e dashur, dhe një milion gjëra të tjera”, thotë Kristina De Rosi, antropologe në Kolegjin Barnet dhe Sauthgejt në Londër.
Fjala “kulturë” rrjedh nga një term francez, që nga ana e tij buron nga termi latin “colere”, që do të thotë të kujdesesh për tokën, të kultivosh. Termi “kulturë perëndimore” i referohet kulturës së vendeve evropiane, si dhe atyre që janë ndikuar shumë nga emigracioni evropian, si Shtetet e Bashkuara.
Kultura perëndimore i ka rrënjët në periudhën klasike të epokës greko-romake (shek.IV dhe V Para Krishtit) dhe ngritja e Krishterimit në shekullin XIV-të. Elementë të tjerë të kulturës perëndimore përfshijnë grupet etnike dhe gjuhësore latine, kelte, gjermanike dhe helene. Çdo numër ngjarjesh historike, ka ndihmuar në formësimin e kulturës perëndimore gjatë 2500 viteve të fundit. Rënia e Perandorisë Romake, e lidhur shpesh me vitin 476, i hapi rrugën krijimit të një serie shtetesh në Evropë, shpeshherë ndërluftuese midis tyre thotë historiani i Universitetit të Stenfordit, Uollter Shidëll. Vdekja e Zezë (pandemia e murtajës) viteve 1300 e reduktoi me 1/3 popullsinë e Evropës, duke e rindërtuar me shpejtësi shoqërinë evropiane. Historiani i Universitetit Shtetëror të Ohajos, Xhon Bruk, thotë se si pasojë e asaj pandemie, Krishterimi si fe u bë më i fortë në Evropë, duke pasur një fokus më të madhe tek temat apokaliptike. Të mbijetuarit në shtresën e punëtorëve fituan më shumë pushtet, pasi elitat u detyruan t’i paguanin më shumë, për shkak të krahu të punës të reduktuar ndjeshëm. Dhe ndërprerja e rrugëve tregtare midis Lindjes dhe Perëndimit, shkaktoi eksplorime të reja, dhe në fund, inkursionin e evropianëve në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut.
Kultura lindore, i referohet në përgjithësi normave sociale të vendeve në Azinë e Largët Lindore (duke përfshirë Kinën, Japoninë, Vietnamin, Korenë e Veriut dhe atë të Jugut), dhe nën-kontinentin Indian. Ashtu si ajo perëndimore, edhe kultura lindore u ndikua shumë nga feja gjatë zhvillimit të saj të hershëm, por gjithashtu edhe nga kultivimi i orizit.
Në kulturën lindore ka në përgjithësi më pak dallim midis shoqërisë laike dhe filozofisë fetare, sesa në Perëndim. Megjithatë, ajo përfshin një gamë të madhe traditash dhe historish. Për shembull, Budizmi i ka fillesat në Indi, por ai u tejkalua kryesisht nga Hinduizmi pas shekullit XII-të. Kësisoj, Hinduizmi u bë një shtytës kryesor i kulturës në Indi, ndërsa Budizmi vazhdoi të ushtronte ndikim në Kinë dhe Japoni. Idetë kulturore para-ekzistuese në këto zona, ndikuan edhe në besimet fetare Për shembull, budizmi kinez është huazuar nga filozofia e taoizmit, e cila e vë theksin tek dhembshuria dhe përulësia. Ndërveprimet shekullore – paqësore dhe agresive – në këtë rajon, çuan në ndikimin e këtyre kulturave tek njëra-tjetrën. Për shembull Japonia, e kontrolloi ose pushtoi Korenë në njëfarë forme midis viteve 1876-1945. Gjatë kësaj kohe, shumë koreanëve iu bë presion ose u detyruan të hiqnin dorë nga emrat e tyre, për të marrë mbiemra japonezë. Shumë nga kombet spanjisht-folëse, konsiderohen si pjesë e kulturës latine, ndërsa rajoni gjeografik është shumë i madh. Amerika Latine përkufizohet në mënyrë tipike si një territor i madh që shtrihet në pjesë të Amerikës Qendrore, Amerikës së Jugut dhe Meksikës, ku gjuhët mbizotëruese janë spanjishtja ose portugalishtja.
Në fillim termi “Amerika Latine” u përdor nga gjeografët francezë, për të bërë dallimin midis gjuhëve anglo-sanksone dhe atyre romane (me bazë latine). Kulturat latine janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, dhe shumë prej tyre përziejnë traditat indigjene me gjuhën spanjolle, dhe katolicizmin e sjellë nga kolonizatorët spanjollë dhe ata portugezë.
Shumë prej këtyre kulturave u ndikuan gjithashtu nga kulturat afrikane, për shkak të afrikanëve të skllavëruar, që u sollën në Amerikë duke filluar nga vitet 1600. Këto ndikime janë veçanërisht të forta në Brazil dhe në vendet e ishujve Karaibe. Kultura latine vazhdon të zhvillohet dhe të përhapet. Një shembull është Día de los Muertos, ose Dita e të Vdekurve, një festë kushtuar kujtimit të të vdekurve që kremtohet më 1 dhe 2 nëntor. Dita e të Vdekurve, daton që para kohës kur Kristofor Kolombi zbarkoi në Amerikën e Veriut. Por data aktuale u vendos nga kolonizatorët spanjollë, të cilët e shkrinë atë me Ditën e të Gjithë Shenjtorëve Katolike. Ndërkaq termi “kulturë e Lindjes së Mesme”, përfshin një larmi të madhe praktikash kulturore, besimesh fetare dhe zakonesh të përditshme. Rajoni është vendlindja e Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit, dhe është shtëpia e dhjetëra gjuhëve, nga arabishtja në hebraisht, turqisht në pashtun. Ndërsa në Lindjen e Mesme ka një diversitet të madh fetar, feja mbizotëruese sipas shifrave është Islami.
Ai ka luajtur një rol të madh në zhvillimin kulturor të rajonit. Islami i ka fillesat në atë që sot është Arabia Saudite në fillim të shekullit VII. Por zgjerimi i madh i tij nisi pas vdekjes së themeluesit të fesë, Muhamedit, në vitin 632.
Disa pasues besonin se udhëheqësi i ardhshëm, duhet të ishte një nga miqtë dhe të besuarit e Muhamedit. Të tjerë besonin se lidershipi, duhet të kalonte përmes linjës së gjakut të Muhamedit. Kjo çoi në një përçarje midis myslimanëve shiitë, ata që besonin në rëndësinë e linjës së gjakut, dhe myslimanëve sunitë, që besonin se lidershipi nuk duhet të kalonte përmes familjes. Sot, rreth 85 për qind e myslimanëve në botë janë sunitë. Ritualet dhe traditat e tyre ndryshojnë disi, dhe ndarjet midis dy grupeve nxisin shpesh konflikte. Kultura e Lindjes së Mesme, është e ndikuar jo pak edhe nga Perandoria Osmane, e cila sundoi në rajon midis shekujve XIV-XX. Afrika ka historinë më të gjatë të vendbanimeve njerëzore. Në fakt njeriu modern e ka origjinën nga atje, prej nga ku filloi të migrojnë në zona të tjera të botës rreth 60.000 vjet më parë. Por disa studiues besojnë se migrimi i parë mund të ketë ndodhur shumë më herët, 120.000 vjet më parë. Ata mbërrijnë në këto përfundime duke studiuar gjenomet njerëzore nga kultura të ndryshme,për të gjurmuar ADN- në e tyre tek paraardhësit e përbashkët. Një nga tiparet kryesore të kulturës afrikane, është numri i madh i grupeve etnike në të 54 vendet e këtij kontinentit.
Për shembull vetëm Nigeria ka më shumë se 300 fise. Afrika e ka importuar dhe eksportuar ndër shekuj kulturën e saj. Portet tregtare të Afrikës Lindore, përbënin një nyje lidhëse thelbësore midis Lindjes dhe Perëndimit që në shekullin VII. Afrika Veriperëndimore ka lidhje të forta me Lindjen e Mesme, ndërsa ajo Sub-Sahariane kakarakteristika historike, fizike dhe sociale të ndryshme. Pavarësisht se si duket një kulturë, një gjë është e sigurt:kulturat ndryshojnë, ndaj është e vështirë përcaktimi i tyre sipas një mënyre të vetme.
(Marrë me shkurtime nga “Livescience”)