Çfarë është GRU-ja? Kush rekrutohet si spiun? Pse ekspozohen kaq shpesh?

18

Brenda dhe jashtë vendit, akronimi rus i vitit ka qenë “GRU” — iniciale të dikurshme, për që rëndom përdoren për Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake të vendit. Stafi i agjencisë tani akuzohet për hakerimin e rrjetit kompjuterik të Komitetit Kombëtar Demokrat dhe përpjekjen për të influencuar zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016; hakerimin e agjencive të ndryshme antidoping dhe Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, si edhe orvatjen për të hakeruar Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në Hollandë. Veç këtyre, në atë që ka çuar në një valë të re sanksionesh perëndimore ndaj Rusisë, agjentë të GRU-së akuzohen gjithashtu për helmimin e Sergey Skripal (një ish kolonel i GRU-së që spiunoi për britanikët) në Salisbury të Anglisë. “Alexander Petrov” dhe “Ruslan Boshirov” — dy individët e identifikuar nga policia londineze se erdhën në Salisbury të vrisnin Skripal — janë me sa duket emra të koduar për agjentët e GRU-së Alexander Mishkin dhe Anatoly Chepiga.

Çfarë është GRU-ja? Çfarë nënkupton akronimi?

E varur nga Ministria e Mbrojtjes, GRU-ja është Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Rusisë dhe, në kuptimin teknik, nuk ekziston.

Në vitin 2010, në vijim të reformave të mëdha në ushtri, agjencia e inteligjencës ushtarake e Rusisë u riemërua “Zyra Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes”. Megjithatë, ky ndryshim nuk e ka penguar asnjeri që tí referohet organizatës apo anëtarëve të saj si “GRU”-ja — një akronim që tani përdoret në mënyrë konstante nga gazetarë dhe në dokumenta zyrtare, përfshi aktakuzat nga ana e qeverisë amerikane dhe anonçimeve nga e autoriteteve hollandeze. Disa veteranë të agjencisë u ankuan për reformat, duke thënë, “[Ish Ministri i Mbrojtjes Anatoly] Serdyukov shkurtoi më shumë sesa një germë [nga akronimi i agjencisë]. Brigadat më të mira në Spetsnaz e GRU-së u sakatuan nga gërshëra e reformave”. Në nëntorin e 2010, oficerët e festuan Ditën e Inteligjencës Ushtarake në sallën e koncerteve të Crocus City jashtë Moskës, duke ngritur dolli “në kujtimin e dashur të GRU-së”. Shumë oficerë të GRU-së i humbën vendet e tyre të punës prej reformave dhe disa institute kërkimore që bashkëpunonin me të u mbyllën. Akademia Ushtarake e Ministrisë së Mbrojtjes shkarkoi shumë prej instruktorëve të saj. Si rezultat i shkurtimeve, inteligjenca humane e Rusisë në shtetet e huaja ka pësuar një rënie të madhe. Në vitin 2011, The New York Timesgjeti se staf i GRU-së po punonin tashmë si shoferë kamioni dhe përgatitës mobiliesh.

Cila është diferenca midis GRU-së dhe Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)?

Ajo çka e ndan GRU-në dhe SVR-në duket se është e perceptueshme vetëm për ata brenda këtyre dy agjencive. Në vitin 2006, një Gjeneral Leitnant i SVR-së shpjegoi se SVR-ja mbledh inteligjencë “politike”, ndërsa GRU-ja mbledh inteligjencë “ushtarake”. Struktura dhe aktivitetet e të dyja agjencive klasifikohen si sekrete shtetërore. Dezertori Sergey Tretyakov zbuloi më shumë se kushdo tjetër lidhur me metodat dhe trajnimet e SVR-së në një koleksion intervistash, të botuara në 2009 si një libër me titullin “Comrade J.: The Untold Secrets of Russia’s Master Spy in America After the End of the Cold War”, shkruar nga gazetari Pete Earley. Nip dhe bir oficerësh të KGB-së, Tretyakov e kaloi rininë e tij duke lexuar romanet e Ian Fleming dhe duke ëndërruar të bëhet spiun. Në fillimin e viteve ’80, rekrutuesit e KGB-së e ftuan që të merrte pjesë në një program shkëmbimi studentor në Francë, ku do të mblidhte inteligjencë rreth Presidentit të sapozgjedhur francez François Mitterrand. Pasi u kthye, Tretyakov u dërgua në “Forest School” jo larg nga Medvedkovo në verilindje të Moskës, njëlloj si punonjësit e rinj të inteligjencës. Tretyakov dhe grupi i tij u stërvitën që të punonin me burimet (për shembull, ata mësuan që të mos e diskutonin bashkëpunimin me kontaktet pas jo më pak se 7 takimesh, duke ju dhënë atyre shansin që të mësonin zakonet dhe problemet personale e secilit prej burimeve), të mësonin kamerat portabël, të shpiknin në vend “legjendat” e tyre dhe të vendosnin e të tërhiqnin pajisje përgjuese (zakonisht e praktikonin këtë aftësi të fundit në Gorky Park të Moskës). Rënia e Bashkimit Sovjetik nuk pati asnjë efekt në punën e inteligjencës së Tretkyakov. Shpejt përfundoi në Shtetet e Bashkuara dhe nga mesi i viteve ’90 qe në krye të stacionit të SVR-së aty, duke vepruar me mbulesën e Kombeve të Bashkuara. (Agjentë të tjerë në Shtetet e Bashkuara po paraqiteshin si gazetarë të agjencive të lajmeve TASSdhe Komsomolskaya Pravda).

Në New York, agjentë të inteligjencës ruse punonin në ndërtesën e Manhattan ku ndodhet Misioni i Përhershëm i Rusisë në Kombet e bashkuara. Diplomatët e thjeshtë përdornin pesë katet e para, ndërsa punonjësit e inteligjencës dhe kriptografët zinin katet e mësipërm – të ashtuquajturat kate “nëndetëse”. Muret në këtë ndërtesë qenë të mbushur me tuba vibrues që emetonin zhurmë në sfond dhe kishte një mungesë totale telefonash dhe kompjuterësh të lidhur me internetin. Edhe agjentë të SVR-së punonin në konsullatën ruse e ndodhur në Bronx, ku kopjonin dokumentat e shtetasve amerikane që aplikonin për vizë ruse. Më pas agjencia e përdorte këtë informacion kur shpikte identitetet e reja për spiunët e saj në Amerikë, ku supozohej të gjenin punë në organizata të lidhura me qeverinë amerikane. Në çatitë e godinave të Konsullatës dhe Misionit të Përhershëm në Kombet e Bashkuara në Neë York, Rusia instaloi antena speciale të projektuara që të interceptonin thirrjet telefonike anembanë qytetit. Agjentët i quanin këto pajisje “Sinjal Puls”.

Tretyakov thotë se Viktor Zolotov, Gjenerali i Federal Protective Service (FSO), një herë bile e goditi papritmas (si tip shakaje), duke e lënë pandjenja në një kafene të Brighton Beach në vitin 2000, disa lavë përpara vizitës së Vladimir Putinit në Shtetet e Bashkuara. “Qenë të rrezikshëm”, i tha Tretyakov Pete Earley. “Nuk shikoja asnjë diferencë midis njerëzve të Yeltsin dhe këtyre aspak të kultivuarve që qenë miqtë më të ngushtë të Presidentit”. Gjithashtu, i pranishëm në mbledhjen e Brighton Beach ishte Evgeny Murov, që drejtoi FSO-në deri më 2016. (Zolotov është tani Drejtor i Gardës Kombëtare të re të Rusisë). Sipas Tretyakov, Zëvendësdrejtori i atëhershëm i FSO-së, Alexander Lunkin, pretendoi se Murov dhe Zolotov patën diskutuar më parë mënyrat sesi të vrisnin Alexander Volodin, në atë kohë Shef Stafi i Putinit, për shkak se besonin që Presidenti ishte “xheloz” për të. Në vitin 2000, Tretyakov kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara.

Si e zgjedh dhe e stërvit stafin e saj GRU-ja? Çfarë është “Konservatori”?

Oficerët e GRU-së stërviten në Akademinë Ushtarake e Ministrisë së Mbrojtjes, në 50 Narodnoe Opolchenie Street të Moskës – jo larg nga zona ku do të gjeni selinë qendrore të GRU-së dhe institutet kërkimore të lidhura me inteligjencën ushtarake të Rusisë. Akademia njihet më mirë me emrin “Konservatori”. Edhe agjentët e inteligjencës ushtarake, përfshi specialistët e kibernosigurisë, stërviten gjithashti në Cherepovets Higher Military School of Radio Electronics. Një tjetër vend stërvitor për agjentët e GRU-së ndodhet në Alexander Mozhaysky Military Space Academy, ku Alexey Morenets (agjenti i GRU-së i akuzuar kohët e fundit se kishte hakerime në Hollandë) ishte student. Zakonisht instruktorët e Akademisë i zgjedhin studentët e tyre të rinj nëpërmjet dërgimit të rekrutuesve nëpër njësitë ushtarake anembanë vendit, ku rishikojnë kurrikulumet e oficerëve të rinj. Ata i intervistojnë rekrutët potencialë në shtëpitë e tyre dhe më pas i ftojnë kandidatët më premtues në Moskë për t’i testuar. Vlerësimet në Moskë zgjasin një javë, duke filluar herët në mëngjes dhe duke zgjatur deri vonë në mbrëmje. Kandidatët kryejnë qindra provime ku testojnë njohjen e tyre për gjuhët e huaja, aftësitë e tyre të vëmendjes, kujtesës, mprehtësisë mendore, “imunitetit ndaj zhurmës” dhe “staminës së informacionit”. Një provim mund t’u kërkojë që të përsërisin një shprehje në një gjuhë të panjohur, ndërsa një tjetër mund t’u tregojë atyre dhjetëra fytyra njerëzore dhe kandidatët duhet të thonë emrin e secilit. Gjithashtu, ka intervista me një komision, që mund t’i pyesë kandidatët rreth pijeve të tyre alkoolike të preferuara, arësyet se pse duan t’i bashkohen inteligjencës ushtarake të Rusisë dhe deri edhe për qasjen e tyre ndaj femrave. Trajnimi zgjat 3 vjet. Viti i parë vendos theks të veçantë ndaj gjuhëve të huaja, aparaturave speciale, fushave të studimit, kriptimit, dekriptimit dhe zbulimit të fshehtë. Bile ka edhe klasa për mënyrën sesi të shpikin “legjendën” e tyre dhe si t’i shpëtojnë survejimit. Çdo studenti i caktohet një sektor i Moskës, ku ai supozohet të gjejë rrugë për takime potenciale me agjentë të tjerë, të përcaktojë pikat për pajisjet përgjuese dhe të zbulojë ndonjë person që po e ndjek (zakonisht, oficerët e FSB-së luajnë rolin e kundërzbulimit). Një prej detyrave më të rëndësishme në Konservator është penetrimi i impianteve të sigurisë së lartë: për shembull, spiuni i ardhshëm duhet ta sigurojë hyrjen ligjërisht, duke u miqësuar me dikë që nga ana e tij i siguron atij një leje hyrëse.

Cilat janë zonat e ekspertizës e agjentëve të GRU-së?

Akademia Ushtarake e Ministrisë së Mbrojtjes ka 3 departamente.

Departamenti i patë stërvit agjentë që operojnë nën mbrojtje diplomatike (ato quhen gjithashtu “suit jackets”). Kur dalin në terren, këta oficerë fillojnë si këshilltarë, sekretarë ambasadorësh dhe përfaqësues kompanishë ruse në vende të tjera. Ata janë përgjegjës për komunikimet me agjentët e fshehtë dhe përpjekjet rekrutuese në vendet ku ndodhen. Një “suit jacket” i tillë qe Viktor Ilyushin, i cili u përzu nga Franca më 2014. Duke punuar zyrtarisht si Zëvendësatashe i Forcës Ajrore në ambasadën e Rusisë në Francë, agjenti i GRU-së Ilyushin u përpoq të siguronte “informacion sensitiv” nga njëri prej anëtarëve të stafit të Presidentit François Hollande.

Departamenti i dytë i Konservatorit stërvit atashetë ushtarakë (përfaqësues të forcave të armatosura të Rusisë që shërbejnë në misione diplomatike). Eduard Shishmakov, për të cilin zyrtarë malazezë thonë se u orvat të organizojë një grusht shteti në 2016, ka studiuar në këtë departament. Më 2014, ai punonte si atashe ushtarak në Poloni dhe më pas u përzu.

Ndërkohë, departamenti i tretë përgatit oficerë që do të drejtojnë operacione speciale jashtë vendit.

Dezertorë të GRU-së dhe uebsajte të kushtuara forcave të armatosura ruse e përshkruajnë strukturën e Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake si më poshtë:

Dega e 1-rë: grumbullim inteligjence në Europë
Dega e 2-të: Shtetet e Bashkuara
Dega e 3-të: Azi
Dega e 4-ët: Lindje e Mesme dhe Afrikë
Dega e 5-të: rikonjicion strategjik
Dega e 6-të: survejim komunikimesh
Dega e 7-të: shërbim analize informacioni
Dega e 8-të: subversion
Dega 12B: luftë informacioni
Cilat janë detyrat e agjentëve të GRU-së?

Uebsajti për Zyrën Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes ruse thotë hapur se oficerët e saj furnizojnë lidershipin e vendit me informacionin e nënkuptuar të krijojë kushte “që çojnë në realizimin e suksesshëm të politikës shtetërore ruse në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare”, ndërsa kontribuojnë gjithashtu në zhvillimin e shtetit. Kjo gjuhë është marrë drejtpërsëdrejti na ligji federal i Rusisë lidhur me grumbullimin e inteligjencës. Sipas këtij ligji, agjencitë ruse të inteligjencës mund të punojë konfidencialisht me informatorët tyre dhe të marrin masa për ta “maskuar personelin e tyre”. Agjencive u lejohet që të përdorin metoda të hapura dhe të mbuluara, por jo në raport me qytetarët rusë, jo në territor rus dhe jo në rastë kur dëmtohen njerëz. Alexander Shlyakhturov, që ka drejtuar GRU-në në fundvitet 2000, tha në 2011 se puna e agjencisë është “që të zbulojë dhe analizojë kërcënimet ndaj interesave kombëtare dhe sigurisë ushtarake të Rusisë”. Valentin Korabelnikov, paraardhësi i tij, tha në 2003 se GRU-ja mbledh gjithashtu inteligjencë rreth kërkimeve të kryera nga shtete të huaja. GRU-ja e bën shumicën e grumbullimit të inteligjencës nëpërmjet “ilegalësh” (agjentë shumë të fshehtë), që jetojnë në shtete huaja me emra falsë. Veç kësaj, identitete të veçanta mund të krijohen për agjentë që shkojnë jashtë vendit për të realizuar misione speciale. Nganjëherë, misionet e agjentëve të tillë mund ta zgjasin me dkada. Një veteran i GRU-së kujtonte sesi shokut të tij të akademisë ju krijua një “legjendë” dhe u dërgua të jetojë në një vend arab për 24 vitet e ardhshme. Ai bleu një kioskë në treg dhe hapi një biznes këpucarie, ku takohej me agjentët. Shpesh kishte raportime dhe informata në takat e këpucëve të sjella tek ai. “Im atë vdiq pa e ditur ndonjëherë se unë shërbeja në inteligjencën ushtarake, megjithëse isha bërë tashmë gjeneral kohën kur ai ndërroi jetë”, thotë Sergey Lebedev, një prej eksponentëve të lartë të GRU-së, në 2005. “Ishte shumë krenar pse isha diplomat. I thoshte kujtdo se djali i tij punonte në Ministrinë e Jashtme”.

Çfarë janë “institutet kërkimore”? Si janë të lidhur ato me inteligjencën ushtarake ruse?

Duket se ka dhjetëra institute kërkimore të lidhura me GR-në. Njohim për të sigurtë disa prej tyre:

Instituti Kërkimor Qendror i 46-të i Ministrisë së Mbrojtjes (Njësia Ushtarake 54726)është një qendër për informacion dhe inteligjencë ushtarake rreth potencialeve ushtarake të shteteve të huaja. Ndodhet në 86 Khoroshevskoye Highëay dhe më parë ishte në varësi të GRU-së. Vendasit e quajnë ndërtesën “Pentagon”, jo për shkak të formës së saj, por prej sekretit që e rrethon atë. Stafi në këtë institut karakterizohet si “njerëzit më të informuar në GRU” dhe menaxhimi i tij është pjesë e Këshillit të Sigurisë të Rusisë. Ndërtesa afër këtij instituti kërkimor mirëpret një kompani të vogël të quajtur Steadyhost, që ka në pronësi IP adresën e StopGeorgia.ru— një uebsajt ku hakerët rusë ndanin idetë se cilat uebsajte gjeorgjiane të shënjestronin gjatë luftës së 2008 në Oshecinë e Jugut, si edhe hyperlinks për softuerin e nevojshëm që të kryenin këto kibernosulme.
Qendra për Studimet Speciale e Ministrisë së Mbrojtjesndodhet në Moskë në Svoboda Street. E krijuar në 2014, qendra reklamonte vende të lira pune në uebsajte punësimi që synonin kryesisht të diplomuarit nga shkolla inxhinierike. Më shumë se çdo gjë tjetër, instituti kërkonte staf që mund të shfrytëzonte dhe gjente pika të dobta në rrjetet kompjuterike. Të punësuarve të rinj u jepet security clearancekonfidenciale (që kërkon nga stafi të njoftojë paraprakisht kurdo që udhëton jashtë vendit) dhe një rrogë mujore fillestare prej 120000 rublash (1835 dollarë). Qendra për Studimet Speciale punësoi Evgeny Serebryakov, që u përzu nga Hollanda në prillin e 2018 pse u përpoq të infiltronte rrjetin kompjuterik e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).
Njësia Ushtarake 26165 — “Kazermat Khamovnichesky”— ndodhet në 20 Komsomolsky Prospect. Kjo njësi është ndoshta rezervuari më i madh i hakerëve të talentuar të forcave të armatosura të Rusisë. Këtu do të gjeni Institutin Kërkimor Qendror të 85-të të GRU-së, ku kriptografë krijojnë algoritmat dekriptuese. Mjaft hakerë të dyshuar për kibernosulme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Europës me sa duket kanë punuar në Njësinë 26165. Kur Wikileaksbotoi emailat e vjedhura të Emmanuel Macron më 7 maj 2017 (një ditë përpara zgjedhjeve presidenciale franceze), dedektivët internetorë vërejtën thuajse menjëherë se dikush i quajtur Georgy Petrovich Roshka modifikoi 9 emaila të botuara. Roshka rezultoi të ishte një i punësuar në disa institute kërkimore të inteligjencës ushtarake ruse. Në një listë pjesëmarrësish për një konferencë ku përmendej si folës, Roshka identifikohej si specialist në Institutin Qendror Kërkimor e 85-të të GRU-së, i ndodhur në 20 Komsomolsky Prospect. Qe nga kjo godinë që Alexey Morenets, i dyshuari për sulm ndaj OPCW-së, mori taksinë për aeroport, përpara se t’i hipte avionit drejt Hollandës. Sipas inteligjencës amerikane, kjo qe gjithashtu një bazë operacionale për 10 hakerë dhe oficerë të GRU-së që infiltruan rrjetin kompjuterik e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC).
Njësia Ushtarake 74455 ndodhet në 22 Kirov Street. Zyrtarisht, kjo është adresa e qendrës së biznesit “Novator”, por hyrja e ndërtesës ka një shenjë që tregon se në ndodhet gjithashtu “Center for Daily Operations Management” (që sipas përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, siç quajnë ata institutet kërkimore e krijuara “për koordinimin operacional e agjencive ushtarake”). Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se kjo ndërtesë është vendi i punës i disa prej hakerëve të GRU-së që u futën në serverat e DNC-së më 2016.
Instituti Kërkimor Qëndror i 18-të punon specifikisht me komunikimet elektronike. Asgjë nuk dihet publikisht rreth këtoj organizmi, por përdoruesit e internetit që “ndjekin” çështjen në forume nganjëherë bëjnë shaka se ekziston një UFO, e rënë në vitin 1959, që fshihet në një kat të nëndheshëm të 22 Kirov Street, që gjithashtu supozohet se është e lidhur me “Metro-2” të Moskës (një sistem sekret metroje).
“Sovinformsputnik”është një degë e operacioneve të inteligjencës hapësinore të GRU-së. Në vitin 2000 thuhet se qe e para që fotografoi “Area 51” në Shtetet e Bashkuara.
Kush është përgjegjës për GRU-në?

Drejtori i inteligjencës ushtarake të Rusisë emërohet nga Presidenti, që kontrollon dhe koordinon aktivitetet e të gjithë komunitetit të inteligjencës. Veç kësaj, Drejtori i GRU-së i raporton Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. (Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm është Gjenerali Valery Gerasimov — i njëjti oficer “doktrina” e supozuar e të cilit sugjeron përdorimin e kibernoforcave gjatë luftës hibride). Në vitin 2016, Putini emëroi Igor Korobov për të shërbyer si Drejtor i Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake. Një oficer karriere që filloi punë në vitet ‘80, Korobov u diplomua nga “Konservatori” dhe vazhdoi të mbikëqyrë grumbullimin e inteligjencës strategjike të Rusisë, përfshi menaxhimin e të gjitha stacioneve të jashtme. Emërimi i tij nuk qe aspak surprizë: qysh nga vitet ’90, Presidenti ua ka besuar tradicionalisht postin oficerëve që kanë mbikëqyrur stacionet e jashtme të Rusisë. Zyrtarët amerikanë ja shtuan Korobov listës së tyre të sanksioneve në dhjetorin e 2016 prej “përpjekjeve të tij për të minuar demokracinë” nëpërmjet organizimit të sulmeve me haker. Sidoqoftë, Korobov dhe drejtorët e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme (SVR) të Rusisë bënë një udhëtim të paprecedent në Uashington shkurtin e 2018 për t’u takuar me anëtarë të komunitetit të inteligjencës amerikane dhe diskutuar luftën kundër terrorizmit. Korobov ka ndërruar jetë më 21 nëntor të 2018. Njeriu i kredituar me krijimin e “perandorisë GRU” është Pyotr Ivashutin, që drejtoi inteligjencën ushtarake të Bashkimit Sovjetik nga fillimivitet ’60 deri në fundvitet ‘80. Ivashutin qe njëri prej tyre që konceptuan dhe nisën të ndërtojnë një sistem grumbullimi informacioni të pandërprerë, duke paralajmëruar lidershipin e vendit rreth kërcënimeve të sigurisë kombëtare në kohë reale. Dita e tij e punës do të niste në orën 7 e 5 minuta të mëngjesit: një makinë do ta çonte në Gogolevsky Boulevard të Moskës, ku ndodhej GRU-ja në fillimet e viteve ‘60. Ai zgjidhte problemet me dezertorët, udhëtonte në Novocherkassk për të administruar një shtypje të përgjakshme ndaj demonstruesve në qershorin e 1962, mbikëqyrte grumbullimin e inteligjencës në territore armiqësore, mbikëqyrte kapjen e aeroportit të Pragës më 1968 dhe menaxhonte operacionet speciale në Afganistan. Në intervistën e vetme të dhënë ndonjëherë, Ivashutin thotë se si Drejtor i GRU-së “mbështeste lëvizjet revolucionare, duke ju transferuar shuma të mëdha parashë”. Ndërroi jetë në vitin 2002.

Ku ndodhet selia qendrore e GRU-së? Çfarë është “Akuariumi”?

Qysh nga fundi i viteve ’60, GRU-ja ndodhet në një kompleks të madh në Khoroshevskoye Highway të Moskës. Kompleksi e mori nofkën “Akuarium” nga një libër i dezertorit Vladimir Rezun (që shkruante nën pseudonimin Viktor Suvorov). Ai thotë se fjala i erdhi për shkak të fasadës së xhamtë të ndërtesës dhe sepse komuniteti i inteligjencës është një “akuarium i mbyllur ku çdo njeri e njeh njëri tjetrin”. Kompleksi i GRU-së përbëhet nga ndërtesa parafabrikat 9 katëshe të rrethuar nga një gardh i lartë hekuri. Afër zyrës kryesore të sigurisë, në një oborr plot me pemë, ndodhet një monument për oficerët e inteligjencës ushtarake të rënë në detyrë. Në hollin hyrës të ndërtesës kryesore ka një memorial kushtuar heronjve të inteligjencës ruse dhe sovjetike. Emrat e listuar aty janë emrat realeë të tyre. Sipas librit të Viktor Suvorov (që shumë thonë se është më shumë vepër letrare sesa e dokumentuar), ekziston një krematorium brenda kompleksit të GRU-së që përdorej për të djegur tradhtarët. Pyotr Ivashutin konfirmoi dikur se kompleksi kishte furrë, por tha se përdorej për djegien e dokumentave. Njerëz që kanë qenë brenda selisë qendrore të GRU-së në fundvitet ’90 thonë se ishte në “gjendje të mjerë”: linoleumi ishte i grisur, mobiljet si të çjerra dhe muret e rrjepura. Megjithatë, i gjithë vendi i rimodelua në 2002, pas vizitës së Vladimir Putinit. Kur mbaroi puna, emri i agjencisë u shfaq në hyrjen e ndërtesës, me germa të arta. (Emblema u hoq një ditë më pas). Kur ndërtesa e re e inteligjencës ushtarake u pa në vitin 2006 në të njëjtin kompleks, Vladimir Putini ndodhej në drejtimin e ceremonisë. Të gjithë kompjuterët e zyrave janë krejtësisht të prodhuar në Rusi dhe ka ekrane të mëdhenj që monitorojnë situatën ushtarake në kohë reale, ashtu si edhe vendndodhjet e nëndetëseve dhe bombarduesve strategjikë bërthamorë rusë. Ndërtesa e re ka gjithashtu një pishinë, një spa, sauna të shumta, fusha tenisi, basketbolli e volejbolli dhe një kopsht dimëror. Nganjëherë, oficerët e GRU-së bëjnë shaka duke thënë se janë transferuar në një hotel me 5 yje./Bota.al

Comments are closed.