Femrat janë shumicë mes 4.4 milionë amerikanëve mbi moshën 40-vjeçare, që kanë probleme me shikim ose janë të verbër, thotë Prevent Blindness. Organizata kombëtare e ka shpallur prillin si Muajin e Vetëdijesimit për Shëndetin dhe Sigurinë e të Parit të Femrës, dhe i ka përshkruar disa gjëra që femrat duhet t’i dinë në lidhje me shikimin dhe shëndetin e syrit. Grupi thotë që femrat janë në rrezik më të madh se sa meshkujt për humbjen e shikimit nga sëmundjet e syrit si katarakti, glaukoma dhe degjenerimi makular, si dhe një çrregullim që quhet syri i thatë, i cili është më i zakonshëm pas menopauzës. Shtatzënia mund të shkaktojë sy të thatë, qepalla të fryra dhe ndryshime refraktive (të thyerjes) të cilat mund të paraqiten si shikim i turbullt apo i dyfishtë. Shikimi i femrave shtatzëna mund të ndikohet nga dhimbjet migrenike të kokës, diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut, sipas Prevent Blindness, transmeton Koha.net. Organizata gjithashtu paralajmëron se disa medikamente për glaukomën mund ta dëmtojnë embrionin, dhe i këshillon gratë shtatzëna që të diskutojnë për të gjitha ilaçet dhe çfarëdo ndryshimi në shikim me mjekun e tyre. Sytë përfitojnë nga një mënyrë e shëndetshme jetese, duke përfshirë edhe ushtrimet e rregullta, të ushqyerit e mirë dhe mospirjen e duhanit, thanë ekspertët. Testet periodike të syve janë mënyra më e mirë për ta përcjellë shëndetin e syrit, dhe ato mund t’i zbulojnë edhe çrregullimet që ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm, si diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut, sipas Prevent Blindness.