Pas një jave protestash të ashpra kundër qeverisë udhëheqja iraniane mobilizoi të mërkurën (03.01.) mbështetësit e vet. Ndërsa mediat shtetërore heshtën për protestat e kritikëve ato transmetuan marshimin e përkrahësve të qeverisë në të gjitha kanalet. Komentatorët e përshkruanin marshimin si “mbështetje e popullit për qeverinë e në radhë të parë për udhëheqësin fetar Ali Chamenei personalisht”. Pak pas kësaj gjeneral-majori Mohammad Ali Jafari, komandant i Gardës së fuqishme të Revolucionit, deklaroi fundin e protestave antiqeveritare. Por ato përfunduan vetëm derisa ra errësira. Gjatë natës (04.01) sërish pati protesta të pjesshme në provinca, pavarësisht përforcimit të trupave të policisë. Përdorues anonimë të rrjeteve sociale u dërgonin video gazetarëve nga këto protesta. Por vërtetësia e videove nuk mund të verifikohet.
“Çfarë duan demonstruesit? Nuk e kam idenë!”, thotë Mohmudi nga Teheran në intervistë me telefon për DW. “Unë nuk i mbështes ata. Por ajo që kanë arritur është impresionuese. Çmimi i vezëve është ulur. A nuk është kjo më shumë, se sa ka arritur opozita e orientuar nga reformat në këto 20 vitet e fundit?”. 31-vjeçari Mahmud shprehet plot cinizëm. Ai doktoron në fushën e fizikës. Pas studimeve ai do të largohet nga vendi. Shpresa që mund të përmirësohet gjë, atij i ka humbur prej kohësh. Mahmudi ka qenë mbështetës i “Lëvizjes së Gjelbër” në vitin 2009. Gjatë protestave atëherë kundër zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale atë e rrahën disa herë dhe e kanë arrestuar.
“Atëherë ne e dinim se ç’donim. Ne mbështesnim kandidatin tonë Mir Hossein Musaui. Ne donim që vota jonë të kishte vlerë. Prej kësaj u krijua një lëvizje. Njerëzit që kanë dalë në rrugë ditët e fundit kanë protestuar kundër gjithçkaje, por ata nuk e dinë se për çfarë”. Protestat nisën të enjten e kaluar (28.12.) në Mashad në veri të vendit. Shkaku ishin çmimet e vezëve. Ato u rritën me rreth 70 për qind. Njëkohësisht u komunikua plani i qeverisë për rritjen me 50 për qind të çmimit të benzinës. Fillimisht protesta u drejtua kundër politikës ekonomike të qeverisë, por nisi të marrë gjithnjë e më shumë trajtën e protestës kritike ndaj sistemit. Shpejt situata u përshkallëzua dhe protestat u bënë gjithnjë e më të dhunshme. Nuk është e qartë se kush e nisi dhunën. Sipas të dhënave zyrtare ditët e fundit gjetën vdekjen të paktën 22 vetë. Në mbarë vendin u arrestuan mbi 1000 demonstrues. Mosha mesatare e demonsruesve është nën 25 vjeç. “Kemi të bëjmë me të rinj që vijnë nga pjesë të vendit të lëna pas dore”, thotë për DW politologu Sadegh Zibakalam nga Universiteti i Teheranit. “Ata janë të zhgënjyer prej gjithçkaje. Shumë prej tyre votuan para shtatë muajsh për presidentin Hasan Rohani. Ai premtoi shumë, por deri tani nuk ka mundur të realizojë asgjë. Zhgënjimi e ka kthyer pendulin në kahun e kundërt”.
Rohani u pati premtuar zgjedhësve vende të reja pune. Ai shpresonte që me shfuqizimin e sanksioneve ndërkombëtare pas marrëveshjes atomike, ekonomia do të merrte hov. Por kjo nuk ndodhi. Papunësia që nga viti 2016 është në nivelin 12 për qind. Irani ka një popullsi të re nën 25 vjeç. Mosha mesatare është 31 vjeç. Gazeta “Iran”, që botohet nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, shkruan, se qytetet me papunësinë më të lartë janë prekur më shumë nga protestat. “Shteti përballet me një brez, që nuk beson më në asgjë e tek askush. Ata nuk kanë më besim as tek qeveria, as të institucionet fetare e as tek opozita e orientuar nga reformat”, thotë politologu Zibakalam. “Këta të rinj nuk kanë më durim. Ne duhet t’i marrim seriozisht problemet e tyre. Pakënaqësia e tyre është një sfidë e madhe, që ne nuk duhet ta nënvleftësojmë”.