“Bosi” i prostitucionit në Shkodër, Frederik Tata është përplasur me gjyqtaren Isabela Radovani gjatë zhvillimit të seancës së sotme. Shkak për këtë përplasje është bërë kërkesa për dorëheqjen që gjyqtarja dorëzoi një javë më parë, por kërkesa nuk i është pranuar.
50-vjeçari Frederik Tata është i dyshuar për prostitucion, ndërsa avokati mbrojtës Ilir Golemi ka kërkuar lehtësim të masës së sigurisë “arrest me burg”. Në seancën e para pak ditëve gjyqtarja Radovani nuk dha një vendim por u shpreh se do të japë dorëheqjen nga kjo çështje për shkak se i dyshuari Tata e ka akuzuar gjyqtaren për korrupsion. Gjykata e shkallës së parë nuk e ka pranuar dorëheqjen e gjyqtares Radovani ndaj është detyruar të vazhdojë sërish me këtë çështje.
Edhe sot Frederik Tata ka ngritur tonet në sallën e gjyqit duke akuzuar gjyqtaren Radovani dhe duke i thënë “çfarë do t’i këtu, a ke dhënë dorëheqjen. Je e korruptuar dhe s’mund të më gjykosh mua”. Duke parë situatën e tensionuar gjyqtarja Radovani ka refuzuar sërish ta zhvillojë seancën për zëvendësim masë sigurie për Frederik Tatën.