Çfarë do të konservojnë?

Me pak gërmime në të kaluarën do gjejmë të dhëna tmerruese që thonë se 80 përqind e popullsisë shqiptare ka qenë analfabete deri në vitin 1940. Nga e cila popullsi vetëm 13 përqind ka jetuar në qytet. Gjithashtu tejet të varfër. Femra as që ka qenë prezente në jetën publike. Dhe më falni tani, çfarë do konservojnë konservatorët “tanë”, cilat vlera?

Nga Nazim RASHIDI

Mëngjeset për herë më fillojnë me lexime të lajmeve, sa e hap kompjuterin. Herë të servohen nga rrjetet sociale e herë nga faqet që mbledhin lajmet në një vend. Ky mëngjes më sugjeroi disa informacione që më sollën kontradiktë të theksuar për shoqërinë. Në fakt u mendova para se ta shkruaj këtë tekst, sepse me të qenurit gazetar për herë përballemi me sfidën për të qenë sa më të paanshëm kur raportojmë, apo kur ngremë pyetje e çështje, në varësi nga të ftuarit, por nga ana tjetër megjithatë mendoj se duhen sfiduar seriozisht idetë që servohen lehtësisht si mundësi ndryshimi pa menduar shumë ndikimet që mund të krijojnë.

Por ja po filloj me radhë. Në kompjuter paralelisht mu servua një informacion nga çmimet e MTV-së ku kishin dominuar mbrëmjen Dua Lipa e Ava Max, dy artiste shqiptare. Më pas një lajm tjetër për Rita Behadinin, kolegen e re të cilën e kishte vizituar në shtëpi në fshatin e saj Sllatinë të Tetovës presidenti Stevo Pendarovski. Presidenti e kishte vënë re punën e saj humanitare dhe e evidentoi si shembull. Por më pas më doli si sugjerim edhe një lajm nga debati i pak ditëve më parë në emisionin “Rruga Drejt” ku ndër të tjera flitej për femrat, konservatizmin, oda burrash dhe politikë.

Dhe kjo pamje e tillë, realisht është kundërthënëse sepse krijon një përplasje,ose më mirë thënë tenton të krijojë një përplasje që se di a edhe ekziston. Por nuk guxon të mos diskutohet, sepse lehtësisht mund të bëhet narrativ politik, ndërkohë që sfidat e shoqërisë janë krejt avangarde. Fillimisht më ka habitur e më habit pa masë, se si burra me xhaketa e kostume, por me çorape, që pretendojnë të bëjnë politikë, me aq lehtësi injorojnë gjysmën e popullsisë: femrat. Lere që nuk i shfaqin pranë vetës, por as që flasin për to, e nga ana tjetër simulojnë oda mesjete burrash nëpërmjet të cilave po promovohen vlera konservatore. Shikoni të dashur, kjo është shqetësuese në shumë dimensione.

E para fare, sepse është një model që s’ka lidhje me realitetin politik, qoftë historik të shqiptarëve e sidomos atë aktual ku nevojat politike janë krejtësisht progresive. Për shembull, shihni çfarë flet Albin Kurti, që e përshkruan veten “progresist” të cilit këta i ngjiten. Nuk dua të përdor, në fakt përmbahem mos të përdor epitete përshkruese se sa mosnjohje politike është ky narracion i konservatorëve. Por ja, do e shpjegoj. Fillimisht fjala konservator, do të thotë të ruash, të mbash diçka siç ka qenë më parë. Eh tani, në terma politike nëse je konservator tek ne çfarë ruan? Çfarë dëshiron të mbash si më parë? Përgjigjja e parë do jetë tradita. Ok? Po në terma politike, cila është tradita jonë?

Ajo është totalisht progresive. Dinamika politike apo dhe lëvizjet politike shqiptare për herë kanë pasur të bëjnë me pushtues, luftë ndaj tyre, me të drejta, me dëshirë për përparim. Dhe kur jemi tek kjo e fundit, vetëm para luftës së dytë botërore, shumica dërmuese e shqiptarëve kanë qenë analfabetë. (Si edhe popujt e tjerë në Ballkan). Me pak gërmime në të kaluarën do gjejmë të dhëna tmerruese që thonë 80 për qind e popullsisë shqiptare ishin analfabetë deri në vitin 1940. Nga e cila popullsi vetëm 13 për qind jetonin në qytet. Femrat thuajse nuk ekzistonin në jetën publike. Dhe ku kishte varfëri të madhe. Dhe më falni tani, çfarë do konservojmë? Por kur vjen çështja tek gratë, liritë e të drejtat tyre?

Ato kanë qenë inekzistente në të kaluarën. Sot, idetë që i referohen konservatorizmit, në traditën shqiptare në kontekst politik, është (janë) shkatërruese. Gjithçka politike shqiptare, që buron në kontekst politik për shqiptarët është veç e lidhur me progres. Shkolla, arsim, zhvillim, mirëqenie, punë, qytetërim… Por për ta bërë këtë s’ke si të lidhesh në konservatorizëm. Në terma politik, konservatorizmi në botë ka të bëjë e ruajtjen e kulturës dhe traditave të së kaluarës por, dhe vini re: sidomos hierarkinë, autoritetin, theksohet feja por dhe një element tjetër tejet i rëndësishëm që këta konservatorët “tanë” se kanë marrë parasysh, prona. Pra paraja, pasuria. Ose meqë e kanë marrë “cut and paste” idenë e konservatorizmit, ta shpjegojmë se në botë, ajo ka të bëjë kryesisht me shtresa që i përkasin mbretërive, regjimeve, pushteteve, aristokracive, elitave që për herë kanë pasur para e ndikim në shoqëri dhe duan që gjërat “të mbesin ashtu siç janë”, siç shpjegohet konservatorizmi.

Përsëri do ta bëj pyetjen: Çfarë duan këta të mbesë ashtu siç ka qenë?

Varfëria, injoranca, moszhvillimi. Çfarë do konservojnë? Para e pasuri s’kanë. Se s’janë e s’kanë qenë të pasur. Nuk flas për shtëpi e makina, por toka, qytete, kështjella, krahina e më pas fabrika, industri, korporata, etj. Tituj s’kanë. Kështu që as status social s’mund të ruajnë, se as mbretër e as aristokratë, e as bejlerë e agallarë s’kanë qenë. Çfarë do ruajnë? E vetmja që ju mbetet? Veç feja. Elementi konservator tek feja dhe folklori i vonë e krahinor me oda burrash. (Se folklori më i vjetër dhe në zona tjera është i ndryshëm). Pastaj fenë përpiqen ta ngrenë në normë morale, se demek fetarët nuk bëjnë keq, edhe pse ja po shohim haxhinjtë që janë në politikë se si po sillen. Dhe kështu duan të tërheqin vota. Më falni, se ky është zhvillimi? Kjo është alternativa? E pamë veç pak muaj më parë se me lutje e narrativ fetar, as nuk merret pushteti e as nuk fitohen vota. Por më e rrezikshme se krejt është futja në debat politik të kësaj fryme, që mbi të gjitha ka mosnjohje politike. S’do merrem gjatë, por s’mund mos të përmend atë që pashë se të jesh në qeveri e të thuash je në opozitë të trajtohet si normale. S’mund që ministrat e drejtorë të marrin vendime në organe kolektive e të thuash se s’je pjesë e tyre. S’mundesh. E aq më shumë s’mundet më, se s’shkon me asgjë të sotme, të organizosh takime partiake, dhe e vetmja femër në “odë” të jetë një kukull.

Jo të dashur. Për ca vota më shumë, këto ide as që duhen të qasen e ku më të merren me një farë relevance. As janë në përputhje me konservatorizmin shqiptar politik e shoqëror, e as sjellin zhvillimin e munguar. Kjo veç tregon dëshirë për pushtet. Sepse po të kesh vlera konservatore vërtet, s’mund të jesh në një qeveri që mbështet liritë seksuale të njerëzve, apo ku burri dhe gruaja trajtohet në propozim ligj si “prindi 1” dhe “prindi 2”, etj. etj. Para se të dalë Dua Lipa në ceremoninë e çmimeve MTV, kishte dhënë një intervistë në të cilën e parafrazuar thoshte se feminizmi është përgjigje ndaj pabarazisë. Dhe brezat e sotëm me këtë frymë rriten. Po s’mundesh t’ju thuash si femër mund jesh veç kukull. Se ke vendin tek oda se ashtu thotë tradita, apo se s’mund të zhvillohesh. Sepse liria nënkupton respekt për tjetrin/tjetrën. Realisht mendon dikush se Rita Behadini, aktivisten dhe gazetaren që mbase peshon veç 40 kilogram, do e ndalojë dikush të ngrejë zërin apo mos të marrë nisma të tjera që kanë në thelb zhvillimin, librat, progresin. Mendon dikush se do ndalohet vala e zhvillimit vetëm se ca burra kanë mbetur të motivuar tek tradita e folklori më i keq?

Kjo nuk do ndodhë. Por, demokracia e lejon këtë. Edhe ata mund të shprehen. Është OK. Prandaj duhen folur këto çështje e sqaruar. Se do t’i shohim këto tendenca konservatore pjesë e koalicioneve, ku sërish veç për ca vota më shumë, margjinalistët me vëmendjen që s’duhej ta kishin, do jenë prezent. Sepse gara për më shumë vota i gëlltit të gjithë, pavarësisht bindjeve. Por vetëm kaq ama.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)