Bëhet fjalë për programe kaq të mëdha dhe të gjithanshme në ndikim, sa që është e vështirë të kuptohen nga shumë amerikanë. Për shembull plani për infrastrukturën parashikon shpenzime jo thjesht për rrugë e ura, por edhe për përmirësimin e shkollave publike dhe për kujdesin për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara
Presidenti Joe Biden ishte në Lejk Çarls të Luizianës të enjten në vazhdën e përpjekjeve për të rritur mbështetjen për propozimet e tij me vlerë 2.3 trilionë dollarë të njohura si Plani për Punësim për Amerikanët, ose i njohur ndryshe si strategjia e presidentit për modernizimin e infrastrukturës. Ky propozim është një ndër nismat madhore që ka prezantuar presidenti në 100 ditët e para në detyrë. Një tjetër ishte Plani për Shpëtim me vlerë 1.9 trilionë dollarë i miratuar nga Kongresi në mars si dhe Plani për Familjet Amerikane i prezantuar në prill. Këto tre programe së bashku kanë një kosto totale prej 6 trilionë dollarësh dhe do të ndryshojnë rrënjësisht raportin mes qeverisë federale dhe qytetarit.
Bëhet fjalë për programe kaq të mëdha dhe të gjithanshme në ndikim, sa që është e vështirë të kuptohen nga shumë amerikanë. Për shembull plani për infrastrukturën parashikon shpenzime jo thjesht për rrugë e ura, por edhe për përmirësimin e shkollave publike dhe për kujdesin për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Shumë demokratë liberalë i kanë përshëndetur përpjekjet e presidentit, por republikanët dhe demokratë të qendrës kanë shprehur shqetësim se do të rrisin borxhin publik të vendit.
PLANI AMERIKAN PËR SHPËTIM
Ky plan, i njohur edhe si “paketa stimuluese” me një vlerë prej 1.9 trilionë dollarësh është i vetmi që ka hyrë në zbatim deri tani. Ai përmban dhjetëra elementë, por më të rëndësishmet janë: Fonde emergjente për shtetet, komunat dhe qeveritë e fiseve autoktone. $350 miliardë; Një pagesë prej 1400 dollarësh e dërguar një herë të vetme për personat në nevojë si dhe 300 dollarë në javë ndihma shtesë për personat që marrin asistencë papunësie $242 miliardë ulje taksash që paguan një familje në masën 3000-3600 dollarë për çdo fëmijë (ulja bëhet përmes pagesave mujore $104 miliardë); Fonde për të shpëtuar nga falimentimi planet për pagesat e pensioneve – $86 miliardë; Fonde për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave – $50 miliardë; Testime, masa luftuese, gjurmim i të ekspozuarve ndaj koronavirusit – $47.8 miliardë; Ndihmë për të paguar qeranë për amerikanët në nevojë – $21.6 miliardë.
PLANI PËR PUNËSIMIN E AMERIKANËVE
Ndryshe nga Plani për Shpëtim, i cili u miratua relativisht pa probleme në Kongres, megjithëse pa mbështetjen e republikanëve, Plani për Punësim është ende në fazën e debateve në Kongres. Shumë kanë shprehur shqetësim për koston e lartë si dhe për termin e gjerë “infrastrukturë”. Kostoja prej 2.3 trilionë dollarësh e këtij plani e bën atë propozimin më të shtrenjtë të administratës aktuale. Ky plan përfshin një numër nismash. Ja disa prej tyre: Fonde për rrugë, ura, sisteme të transportit publik, aeroporte dhe stacione për karikimin e makinave elektrike – $621 miliardë; Fonde për shtëpi për të moshuarit si dhe personat me aftësi të kufizuara – $400 miliardë; Ndihmë për prodhuesit industrialë dhe bizneset e vogla, duke u ofruar qasje në kredi dhe në investime në energjinë e gjelbër – $300 miliardë; Krijimi, përmirësimi dhe adaptimi i më shumë se dy milionë njësive të banimit për nevojat e personave me të ardhura të ulëta – $213 miliardë; Përmirësimi i sistemeve të ujit të pijshëm, rrjeteve energjetike dhe qasjes në internet të shpejtë – $111 miliardë; Trajnimi dhe kualifikimi i krahut të punës – $100 miliardë; Përmirësimi/modernizimi i shkollave publike – $100 miliardë.
PLANI PËR FAMILJET AMERIKANE
E treta nismë e madhe e Presidentit Biden me vlerë 1.8 trilionë dollarë përqendrohet tek familjet dhe fëmijët amerikanë, me premtimin për të zgjeruar mundësitë për arsim, kujdesin parashkollor për fëmijët dhe reduktimin e varfërisë që prek fëmijët. Plani parashikon katër vjet shtesë shkollim falas (dy vjet falas në çerdhe/kopshte për fëmijë nën 5 vjeç si dhe dy vjet falas në institucione komunitare 2-4 vjeçare të arsimit të lartë), si dhe zgjerimin e programeve që parashikohen në Planin për Punësim, duke zgjeruar shpenzimet për kujdesin për fëmijët e familjeve punëtore. Plani për Familjet parashikon deri në vitin 2025 një ulje tjetër vjetore të taksave që paguajnë prindërit, në bazë të numrit të fëmijëve – $400 miliardë.
Investimet në çerdhe/kopshte si dhe në kualifikimin e personelit që punon në këto qendra do të arrijnë në $225 miliardë, ndërsa krijimi i një programi mbarëkombëtar për lejen e paguar për nevoja familjare parasheh $225 miliardë. Gjithashtu, kujdesi falas për 3-4 vjeçarët në kopshte ka $200 miliardë. Për dy vjet falas në një institucion dyvjeçar të arsimit të lartë janë ndarë $109 miliardë, derisa shtimi i fondit qeveritar që ndihmon me grante të rinjtë që nuk e përballojnë dot koston e universitetit – do të ketë $80 miliardë. Do të ketë edhe $80 miliardë për uljen e mëtejshme të taksave për familjet që shpenzojnë për kujdesin për fëmijët apo për të moshuarit, duke e bërë këtë masë të përhershme. Investime në programet që inkurajojnë nxënësit të vazhdojnë studimet në kolegjet komunitare që tradicionalisht u shërbejnë popullatave më në disavantazh parashihen me $62 miliardë. Rreth $40 miliardë janë paraparë për projektin dy vjet studime falas në kolegje e universitete që frekuentohen në masë nga të rinj afrikano-amerikanë, të fiseve autoktone apo pakica të tjera.